in

Merrick Garland emërohet Prokuror i Përgjithshëm i SHBA-së

Merrick Garland, një gjyqtar federal i gjykatës së apelit dhe ish zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, emërimi i të cilit në vitin 2016 në Gjykatën e Lartë u bllokua nga republikanët, u konfirmua të mërkurën nga Senati amerikan si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend.

Merrick Garland, 68 vjeçar, një jurist me përvojë, u konfirmua lehtësisht si Prokuror i Përgjithshëm- një nga emërimet më të rëndësishme të kabinetit të presidentit Joe Biden- me një votim dypartiak 70 me 30. Të gjitha 30 votat “kundër” u hodhën nga senatorët republikanë, përfshirë senatorët Ted Cruz dhe Josh Hawley.

Konfirmimi i zotit Garland në krye të Departamentit të Drejtësisë, pritet të çojë në ndryshime të rëndësishme të politikave të drejtësisë penale nën administratën e presidentit Biden, që nga një moratorium i mundshëm mbi ekzekutimet federale që rifilluan nën ish presidentin Donald Trump, deri në shqyrtimin nga afër të departamenteve të policisë, të akuzuara për shkeljen e të drejtave civile.

Zoti Garland trashëgon një agjenci masive të zbatimit të ligjit të ngarkuar me polemika dhe probleme morale pas katër vitesh të trazuara nën administratën e ish presidentit Trump, në një kohë që Departamenti i Drejtësisë po kryen një hetim të gjerë për sulmin e 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump.

Gjatë seancës së konfirmimit muajin e kaluar, zoti Garland tha se hetimi i mësymjes së përgjakshme, i cili ka çuar në akuza kundër më shumë se 300 personave, do të ishte përparësi e tij.

Mbështetja dypartiake për zotin Garland është në kontrast të fortë me votat përgjatë linjave partiake për dy prokurorët e përgjithshëm të zotit Trump – Jeff Session dhe William Barr.

Republikanë të shquar vlerësuan emërimin e zotit Garland, përfshirë udhëheqësin e pakicës në Senat, Mitch McConnell, i cili bllokoi emërimin e zotit Garland nga ish presidenti Barack Obama, për të mbushur një vend të lirë në Gjykatën e Lartë në vitin 2016, duke argumentuar se procesi ishte shumë afër zgjedhjeve presidenciale.

Si Prokuror i Përgjithshëm, zoti Garland do të drejtojë një departament me më shumë se 100 mijë punonjës dhe një buxhet prej më shumë se 31 miliardë dollarësh.

Lini një Përgjigje

Von Cramon dorëzon raportin për Kosovën në PE dhe kërkon që liberalizimi të ndodhë urgjentisht

Shtetasit shqiptarë kryesojnë listën e të dëbuarve nga Gjermania në vitin 2020