Mediumi nga Norvegjia “TV2”, i ka kushtuar një artikull të gjatë rastit të vdekjes së Artan Zymberit me prejardhje nga Kosova e shtetësi norvegjeze. 28 vjeçari vdiq në burgun e Serbisë me 26 nëntor të vitit të kaluar. Në këtë artikull përmendet edhe mesazhi i klubit basketbollistik “Vëllaznimi” teksa flitet për raportet e tensionuara mes Kosovës e Serbisë, shkruan Insajderi.
Vrasje e supozuar, është nëntitulli që TV2 i ka vendosur pjesës ku flet për raportet mes dy shteteve.
Në Kosovë, rasti ka bërë bujë në gazetat online dhe rrjetet sociale.
Shqiptarët dhe serbët e Kosovës kanë një histori konfliktesh. Sot, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë veçanërisht të tensionuara.
Më poshtë mund t’i shihni tifozët e ekipit të basketbollit “Vëllaznimi” para një ndeshjeje në top ligën e Kosovës. Ata nderojnë Artanin me një pankartë, teksti i të cilit thotë: “Artan Zymberaj pusho i qetë. Herët a vonë, gjakin kem me ta nxjerr”.
Dy muaj më parë, në ndeshjen mes “Golden Eagle Ylli” dhe “Vëllaznimi” në kuadër të Superkupës së Kosovës në basketboll, tifozët e Vëllaznimit “Kuqezinjtë e Jakovës” i kanë kushtuar një baner me mesazh të fortë Artan Zymberit në të cilin shkruhej: Artan Zymbraj pusho i qetë, herët a vonë, gjakun kemi me ta nxjerr.
Natën e 21 nëntorit, në burgun e Mitrovicës së Sremit, ku Artani po vuante dënimin, shpërtheu zjarri. Gjithsej katër roje dhe dy të burgosur janë lënduar, shkruante gazeta serbe “Kurir”.
Nuk u raportua asnjë vdekje.
Mediat në Kosovë pretendojnë se dikush e ka vrarë Artanin nën maskën e zjarrit, për shkak të tatuazheve të tij me simbolet kombëtare shqiptare. Autoritetet serbe e mohojnë këtë.
Familja ka kërkuar që djalit të tyre t’i bëhet autopsi në Norvegji. Autopsia përfundimtare nuk është gati, por familjes i është thënë se të dhënat paraprake tregojnë se Artani ka vdekur nga ulcera në stomak.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë shkruan se Artani gjatë qëndrimit në burg ka pasur kujdes të mirë dhe të dokumentuar mirë shëndetësor. “Të gjithë ata që vuajnë dënimet në Serbi kanë të njëjtat të drejta statutore, pa përjashtim dhe pa dallim përkatësie”, shkruajnë ata.
“Ne hedhim poshtë të gjitha gënjeshtrat e përhapura nga individë përmes rrjeteve sociale për këtë rast, me qëllim që të shqetësojnë familjen e të ndjerit, të dënuarit e tjerë dhe opinionin e gjerë”.
Ministria e Drejtësisë e Serbisë njoftoi se nga 3 shkurti 2022, Zymberi ishte duke vuajtur dënimin me burg në Sremska Mitrovicë, me kohëzgjatje prej tre vjetësh e tetë muajsh, për siç thuhet veprat penale: prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.