in

Me xhepa të thellë, Kina synon të rrisë ndikimin në Lindjen e Mesme

Kina është zotuar se do të investojë 400 miliardë dollarë në Iran gjatë 25 vjetëve të ardhshëm.

Ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve, Wang Yi dhe Javad Zarif, kanë nënshkruar një marrëveshje më 27 mars, në Teheran.

Më ketë marrëveshje, Irani ka ofruar furnizime të qëndrueshme të naftës në këmbim të investimeve kineze.

“Kina mbështet fuqishëm Iranin në ruajtjen e sovranitetit të tij shtetëror dhe të dinjitetit kombëtar”, ka thënë Wang gjatë një takimi me presidentin e Iranit, Hassan Rohani.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i heqin sanksionet ekonomike kundër Republikës Islamike.

Kina është bërë një litar shpëtimi për ekonominë e Iranit dhe lidhjet midis dy vendeve janë ngrohur në vitet e fundit, pasi të dyja ato kanë kaluar nëpër konfrontime të intensifikuara diplomatike dhe ekonomike me Perëndimin.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndjekur një politikë të “presionit maksimal” mbi Teheranin, për shkak të programit të tij bërthamor dhe raketor.

Trump e ka nxjerrë SHBA-në nga një marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, përfshirë Kinën.

Pasardhësi i tij, Joe Biden, po vazhdon me këtë politikë të ashpër, por po sinjalizon edhe gatishmërinë për të ringjallur marrëveshjen bërthamore.

Derisa marrëveshja kineze me Iranin ka të bëjë me avancimin e ambicieve rajonale dhe globale të Pekinit si një fuqi udhëheqëse, ajo gjithashtu zvogëlon përpjekjet e Uashingtonit për ta mbajtur Iranin të izoluar dhe përmirëson pozicionin e Pekinit përpara çdo negocimi të ardhshëm rreth programit bërthamor të Iranit.

“Kina dëshiron të tregojë se është e domosdoshme në zgjidhjen e disa prej problemeve më të mprehta në botë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Daniel Markey, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe autor i librit “Horizonti Perëndimor i Kinës”.

“Pekini përpiqet ta portretizojë veten si një ndërmjetës i barabartë, ndërsa SHBA-në e nxjerr si lojtarin më problematik global”, thotë ai.

Dekada dhe qindra miliarda

As Qeveria iraniane dhe as ajo kineze nuk kanë dhënë specifika të marrëveshjes së nënshkruar, por një draft qa ka rrjedhur në gazetat perëndimore në korrik, ka treguar se bëhet fjalë për investime të mëdha në infrastrukturën iraniane.

Sipas draftit, Kina do të bëjë investime në vlerë prej 400 miliardë dollarësh, në këmbim të një furnizimi të qëndrueshëm të ekonomisë kineze me naftë.

Këto investime do të përqendrohen në sektorët e energjisë dhe teknologjisë së lartë, si dhe në fusha të tjera, të tilla si telekomunikacioni, portet, hekurudhat dhe kujdesi shëndetësor.

Drafti përmend edhe thellimin e bashkëpunimit ushtarak, përfshirë trajnimet dhe stërvitjet e përbashkëta, si dhe ndarjen e inteligjencës.REL

Lini një Përgjigje

Gjeniun në mesin e sulmuesve në Kapitol e tradhtoi bluza

Historia e “ Masakres së Tivarit” duhet të rishkruhet ( 2)