(Fragment nga romani “Udhëtimi në kohë”, që del nga shtypi këto ditë)
Im Vëlla binjak më tha se ishte koha të ndaheshim. “U pamë apo s’u pamë, pa marrë parasysh se nëpër çfarë mjegullash do të humbim pusullën, jemi vëllezër binjakë dhe mbesim vëllezër, të vrarë ose vrasës, krejt një…
“Kur m’i tha këto, më mori ngrykë.
Kishte çehren e meitit.Lotët e tij prekën fytyrën time dhe çuditërisht shpupurishnin mugun e ftohtësisë sime të thellë, saqë fillova ta ndjejë frikën e afrisë me tim vëllai binjak.
E mora ngrykë dhe e shtrëngova fort.
Kur u ndamë, ndjeva sikur m’u shkëput një copë e trupit.
Çfarë po ndodhte me mua, vallë? Isha ligështuar, apo për herë të parë po ndieja diçka që kishte qenë në mua, ngaqë e kisha kundërshtuar dhe ndrydhur pareshtur, nuk kishte lëvizur dot?
Nën trysninë e kësaj ndjenje, nisa të flas përçart diçka, një si vjershë, që nuk e kuptoja.Ajo gjendje zgjati përderisa midis nesh, hapësira e vogël, po bëhej e madhe dhe më e madhe.
Në atë përhumbje, im Vëlla binjak po më thoshte:”Mos kujto se e gjitha që ndodhi sot ishte vetëm një rastisje e thjeshtë…
Mos kujto se vargjet që nxore ishin vetëm çapitje të thjeshta… Mos kujto se gjaku i dijes (mendimet, idetë e të tjerat) janë më të fuqishme se dija e gjakut (origjina).
Ndonëse e para, na ndanë, e dyta na bashkon… Kështuqë, edhe kur të takohemi pas ndonjë njëqind apo ndonjë një mijë vjetësh, të shkallmuar nga plagët e pashërueshme të shpirtit tonë të sëmurë, prapë dhe prapë do të flasim për atë: me vra ose me u vra…
”Desha t’i thosha se dija e gjakut pa dashje të kthente edhe në vrasës, ndërsa gjaku i dijës, me dashje të kthen në të vrarë të pavrarë, në shpirt, në kujtesë, por ai tashmë ishte larg, e hapësira midis nesh bëhej gjithnjë e më e madhe, greminë, ku sharronim, ai me mashtrimin se ishim të pandashëm dhe unë me bindjen së ishim të pabashkueshëm…