Shkruan: Gani Mehmetaj
Euforia e pasluftës, sidomos fryma properëndimore e pjesës dërmuese të shqiptarëve, ku përmendej jo rrallë edhe mundësia e bashkimi kombëtar, i frikësoi qarqet ndërkombëtare, të cilat nisin t’i shohin më dyshim lëvizjet e reja. Ëndrra e dikurshme mund të bëhej realitet. Shqiptarët nisën të bëhen vetja, t’u ktheheshin rrënjëve, t’u përmbaheshin vlerave fondamentale, pavarësisht grupeve mafiozo-ideologjike që nisën ta ngufasnin frymën kombëtare e demokratike me metoda të nëntokës.
Propaganda serbe me kinse fundamentalizmin islamik në mesin e shqiptarëve, doli tullumbace që nuk e besonte askush. Rugova, lideri më popullor i shqiptarëve në Gadishullin Ilirik, e mbante në zyrën e tij fotografinë me Papa Gjon Palin e Dytë, e theksonte se Perëndimi është shpëtimi ynë i vetëm, i orientonte popullatën nga rrënjët, ua kultivonte krenarinë kombëtare. Ndikimi islamik përmes shërbimit të fshehtë turk e arab, që fshiheshin prapa shoqatave fetare, ishte ende i papërfillshëm, në fillim të mileniumit të tretë. Prandaj, Serbia ktheu tehun e sulmit, nisi ta ve në pah rrezikun nga nacionalizmi shqiptar, ndërsa “Shqipërinë e madhe”, eufemizëm frikësues për Shqipërinë etnike, e bëri gogol për t’i alarmuar perëndimorët, që na mbështeten.
Turqia nxitoi ta mbështeste teorinë serbe për rrezikun e nacionalizmit shqiptar, madje edhe më më agresivitet se sa Serbia. Turqia e Serbia bënë një varg ankesash në institucionet e UNMIK-ut, sikurse iu drejtuan me demarshe qendrave më të rëndësishme, që mund ta vulosnin fatin e shqiptarëve. Nacionalizmi shqiptar, sipas këtyre demarsheve, ndikonte që popullata shqiptare kinse e trajtonte keq minoritetin turk të paqenë apo të shpifur, ata nxituan t’i dalin ndesh rrezikut për Shqipërinë etnike. Natyrisht për ta penguar bashkëveprimin shqiptar, u dyndën mizëri oficerësh zbulimi nën petkun e humanitarëve islamikë, apo kinse hoxhallarë e mësues të islamit. Në vend të ndihmonin në ndërtimin e shkollave të rrënuara, sikurse bënin shoqatat e Evropës Perëndimore e të Izraelit, Turqia e shtetet arabe ndërtuan qindra xhami, hapën dhjetëra mejtepe, ngritën qindra qendra për shpëlarjen e trurit, duke iu përmbajtur parimit të ideologut islamik, Zija Gokalp: “ Xhamitë janë kazermat tona, minaret bajonetat tona, kupolat helmetat tona dhe besimtarët, ushtarët tanë!”. Por përderisa ideologu turk në këtë mënyrë përpiqej të nxiste nacionalizmin turk, në Kosovë islamikët turq e arab përpiqeshin që më këtë teori ta shuanin nacionalizmin shqiptare, madje nisën të përdhosnin heronjtë kombëtar, që e kishin luftuar pushtuesin turk dhe përhapjen e dhunshme të islamizmit. Në përdhosjen e heronjve shqiptarë ndihmë të madhe dhanë edhe disa grupe mercenarësh nga Tirana, “albanologët e rinj”, sikurse do t’i quante Kadareja, të cilët në emër të “demistfikimit” të Gjergj Katsriotit-Skënderbeut, nisën ta përbaltin këtë simbol të bashkimit kombëtar. Jo rastësisht u gjenden në të njëjtin taborë shqipfolësit e Tiranës që e përbaltnin Skënderbeun dhe e përqeshnin kombëtarizimin, propaganda serbe e turke që e sulmonin po ashtu Gjergj Kastriotin, dhe qarqet ndërkombëtare që përpiqeshin një vendnumërim për të penguar “ekspansionizmin shqiptar” në Gadishullin Ilirik, sepse edhe ata e shikonin me dyshim shtatoren e Skënderbeut në Prishtinë. Si do ta përjetojnë serbët këtë hero të shqiptarëve, me kanë pyetur dhjetëra ndërkombëtar, sa herë kalonim para shtatores së heroit tonë kombëtar.
Dikur serbët përpiqeshin ta shuanin nacionalizmin shqiptar me integralizmin jugosllavë, tash Turqia e shtetet islamike nisën përpjekjet për ta shuar ndjenjën kombëtare me integralizmin islamik, një ideologji thellësisht antishqiptare, ashtu si jugosllavizmi a serbizmi dikur.
Secili nga këto shtete veç e veç, apo së bashku, në mënyrë të koordinuar alarmuan strukturat ndërkombëtare . Ata këmbëngulnin se nacionalizmi shqiptar me tendencat gjithnjë në rritje për bashkim kombëtar, rrezikonte jo vetëm minoritetet e tyre, por rrezikonte paqen. “Mund të destabilizonte Maqedoninë, do të çrregullonte raportet në Mal të Zi dhe Kosovën lindore”, theksohej në raportet diplomatike turke e serbe. Po ashtu u vu në pah nga Serbia e Turqia, të ndihmuara nga Rusia se, nacionalizmi shqiptar sikur po ngjallej edhe në Shqipëri pas lëngatës së gjatë nga ideologjia komuniste dhe internacionalizmi proletar. Por ata nacionalizëm e trajtonin kombëtarizimin shqiptarë, atdhedashurinë dhe urrejtjen ndaj pushtuesit të ri e të vjetër.
Disa nga klerikët shqiptar të besimit mysliman i raportuan Rugovës për rrezikun e islamizmit të importuar nga shoqatat turke e arabe. Kreu i Bashkësia Islame të Kosovës që e monopolizoi këtë institucion fetar me metoda të intrigave e frikësimeve orientale, mori mbështetjen e grupeve “të dala nga lufta”, sikurse kishin dëshirë ta quanin vetën ish grupet majtiste, që u forcuan me mbjelljen e terrorit e të frikës.
Kleri tradicional shqiptar- myslimanë, shumica ithtarë të Rugovës, përpiqeshin të pengonin instrumentalizimin e fesë për qëllime të armikut. Por që në fillim u ndeshën më kërcënime nga grupet islamike e nga grupet e majta, që nisën aleancë të çoroditur. Klerikët nacionalistë, propozuan reformimin e fesë: përkthimi i lutjeve arabe në shqip, falja e mbajtja e ritualit shqip e jo arabisht, veshja kombëtare të cilën duhet ta mbajnë hoxhallarët e besimtarët si shenj të pietetit ndaj traditës kombëtare, pra në vend të çallmës orientale të mbanin plisat (qeleshet) e bardha shqiptare, kurse besimtarët në vend të “kapicave” turke-arabe, të mbanin qeleshe shqiptare. Por kjo frymë megjithëse shumë e pranishme, ndiqet nga kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës.