Në pjesën e dytë të shtatorit, njësitë partizane në shenjë hakmarrje, dogjën fshatrat Runicë dhe Gllaznje të Karadakut të Kumanovës. Kjo ngjarje ndodhi menjëherë pas luftës së Preshevës, e cila u zhvillua natën e Bajramit (më datë 18-19 shtator 1944), midis njësive kreshnike shqiptare nga njëra anë dhe njësive partizane jugosllave, përkatësisht: Brigadës së VIII, asaj XIII Preshevare, Brigadës e XII të Bujanocit, Njësitit Partizan të Shkupit, Brigadës së Moravës së Jugut, si dhe Brigadës II dhe III Kosovare.
Nga Qerim LITA
Ripushtimi i tokave shqiptare (nëntor 1944), nga brigadat komuniste jugosllave-maqedonase të ndihmuara edhe nga ato bullgare dhe shqiptare, u shoqërua me një gjakderdhje dhe krim të paparë ndaj popullsisë civile shqiptare. Të dhënat që ofrohen nga disa studiues eminentë shqiptar, por edhe nga dokumentacioni arkivor, flasin se mes periudhës nëntor 1944 – shtator 1945, forcat komuniste jugosllave vranë, masakruan dhe pushkatuan rreth 50.000 shqiptarë, kryesisht popullatë civile.
Është me rëndësi të vihet në dukje se një politikë e tillë antishqiptare në trevat verilindore, u vërejt menjëherë pasi njësitë komuniste jugosllave-maqedonase me ndihmën edhe të njësive komuniste shqiptare, më 2 shtator 1944 ripushtuan Dibrën e Madhe. Po atë ditë u vendos pushteti ushtarak jugosllav, i cili në emër të “grumbullimit të armëve”, si dhe në emër të “zbulimit të ballistëve”, arrestoi me dhjetëra veprimtarë të shquar shqiptarë nga ky qytet me rrethinë, një pjesë e të cilëve u pushkatuan pa asnjë proces gjyqësor. Në mesin e të burgosurve ishte edhe komandanti i Zonës Operative I të LNÇJ-së për Maqedoni, Hamdi Dema,i cili u akuzua gjoja se në radhët e LNÇJ-së, ishte kyçur me sugjerimin e shërbimit sekret gjerman. Ja se si e shpjegon burgosjen e më pa vrasjen e H. Demës, shërbimi sekret ushtarak jugosllav OZN-a:
“Hamdi Dema: Si agjent e MK AbWKdO 310, është futur në LNÇ-ë në territorin Kërçovë-Dibër, ku arriti deri te pozita komandant i Zonës operative I, i cili shkonte në linjën e copëtimit të lëvizjes. Është burgosur dhe likuiduar në vitin 1944 nga të besuarit e OZN-ës gjatë përpjekjes së arratisjes nga burgu i Prilepit”.
Në pjesën e dytë të shtatorit, njësitë partizane në shenjë hakmarrje, dogjën fshatrat Runicë dhe Gllaznje të Karadakut të Kumanovës. Kjo ngjarje ndodhi menjëherë pas luftës së Preshevës, e cila u zhvillua natën e Bajramit (më datë 18-19 shtator 1944), midis njësive kreshnike shqiptare nga njëra anë dhe njësive partizane jugosllave, përkatësisht: Brigadës së VIII, asaj XIII Preshevare, Brigadës e XII të Bujanocit, Njësitit Partizan të Shkupit, Brigadës së Moravës së Jugut, si dhe Brigadës II dhe III Kosovare. Forcat partizane-jugosllave me humbje të mëdha u tërhoqën nga fronti i luftës, ku Brigada e VIII dhe XII së bashku me njësitin e Shkupit, u nisën në drejtim të Karadakut të Shkupit. Më 22 shtator, në mes Vaksincës dhe Llojanit u ndeshën me forcat vullnetare të Sylë Hotlës, me çka ata u tërhoqën, në drejtim të Runicës. Këto njësi partizane ia dhanë flakën fshatit, e pushkatuan dhjetëra banorë të tij. Në flakën e zjarrit u dogjën dy gra, tri vajza dhe katër fëmijë të vegjël. Niko Vukçeviq, komandant brigade e pranon se ia ka vënë zjarrin Runicës dhe Gllazhnjës. Ai shprehimisht thotë: “Në agimin (e 23 shtatorit –v.j.) arritëm në fshatin Runicë, i cili na bëri rezistencë të madhe. Urdhërova që i tërë fshati të digjet…Dogjëm edhe disa shtëpi në fshatin Gllazhnjë nga i cili jepej rezistenca…”.
Menjëherë pasi njësitë partizane jugosllave, dështuan për marrjen e Preshevës, Komandanti i SHK të LNÇM-së, Mihajllo Apostollski, arrin marrëveshje me udhëheqjen e PKB-së (Partinë Komuniste të Bullgarisë), që brigadat partizane bullgare të vendoseshin në Maqedoni. Sipas marrëveshjes, këto brigada duhej të vepronin nga Kriva Pallanka në drejtim të Kumanovës. Veç kësaj, Apostollski, me pëlqimin e udhëheqjes komuniste bullgare, në Sofje, bëri mobilizimin e ushtarëve të ish armatës fashiste bullgare me prejardhja nga territori i Maqedonisë. Për këtë, SHK i LNÇM-së, më 27 shtator 1944, njoftonte Shtabin e zonës IV Operative se: “Gjeneral Apostollski në Sofje ka bërë pranimin e të gjithë maqedonasve të cilët kanë qenë në ushtrinë bullgare, i ka armatosur me armatim sovjetik dhe ka bërë organizimin e shumë njësive:”.
Më 25 tetor 1944, njësitë bullgare u vendosën në vendbanimet: Tabanoc, Sopot, Staro Nagoriçane dhe Novo Nagoriçane. Një ditë më pas ata u futën në fshatin Moravicë, ndërsa më 27 edhe në Bukuricë dhe Zhunicë, duke e vazhduar marshin e tyre në drejtim të fshatrave shqiptare që shtrihen mbi hekurudhë, të cilat kontrolloheshin nga forcat vullnetare shqiptare. Në afërsi të Zhunicës, ata u ndeshën me vullnetarët shqiptarë, dhe pas një lufte dy orëshe, bullgarët u detyruan të tërhiqen duke u vendosur brenda fshatit Zhunicë, ku atyre ju bashkuan edhe serbët vendor. Në anën tjetër, forcave shqiptare, ju erdhën në ndihmë qindra vullnetar shqiptar nga Presheva, të cilët e rrethuan fshatin nga dy anët, me çka ushtria bullgare u detyrua ta lëshoj fshatin, për t’u vendosur në Sopot. Posa u vendosën në Sopot, bullgarët në shenjë hakmarrjeje, grumbulluan banorët e fshatit, edhe atë gratë dhe fëmijët i vendosën në shkollë ndërsa burrat në numër 71 në xhami dhe pasi i torturojnë, 68 i pushkatojnë, një i ri i larë në gjak arrin t’u ikë, ndërsa dy pleq i falin.
Ndërkohë në fshatin Bllacë të Shkupit ndodhi një kasaphane e vërtetë. Kjo ngjarje e trishtueshme ndodhi mes datës 18-19 nëntor 1944, kur njësitë partizane të Brigadës XVI u futën në fshat pa ndonjë rezistencë, sepse paraprakisht ishin zhvilluar bisedime , ku dy palët kishin ra në ujdi që t’u mundësohet hyrja e njësive partizane në këtë fshatë buzë Karadakut të Shkupit. Një informatë të tillë, Shtabit të Brigadës XVI, e sjellë edhe një banorë serb i Çuçerit, i cili një kohë të gjatë kishte qëndruar si rob lufte në Bllacë. I njëjti me 15 nëntor lirohet dhe i shoqëruar nga një banorë i Bllacës kthehet në shtëpi. Sipas informatave që ua jep komandës së Brigadës XVI: “në Bllacë nuk përgatitej as çfarë rezistence në rast shkuarjes së njësive partizane atje”, dhe se e tërë popullata qëndronte në fshatë përveç, siç thekson ai: “disa fajtorëve që janë larguar nga fshati.”.
Menjëherë pas këtyre bisedimeve, Shtabi i Divizionit të Kumanovës, me 16 nëntor 1944, urdhëroi që dy brigadat e saja të fillojnë marshimin e tyre në linjën Shkup Kaçanik, edhe atë: “Brigada e XVI me fuqitë e veta operative me 17 nëntor në ora 6” të marshoj në drejtimin: “Orizare-Çuçer”, dhe të lidhet me: “njësitë bullgare të cilat qëndrojnë në atë linjë të komunikacionit dhe nëpërmjet tyre të vendosin lidhje me Brigadën XVIII.” Në të njëjtën kohë: “Brigada e XVIII me fuqitë e veta operative” nga Kuçkova të lëviz në drejtimin: “Kaçanik-Krevenik-Gorancë-Kotlinë, duke u përqendruar në anën e djathtë të Lepencit dhe duke u lidhur me fuqitë bullgare e nëpërmjet tyre me Brigadën XVI. Në anën e majtë të saj brigada do të lidhet me brigadat e Divizionit 42 të cilat njëkohësisht do të nisen në sulm në krahun e majtë të Vardarit nga Sullarja e Epërm – uji i tharët, miniera e Kromit dhe më tej në drejtim të Orashës-Ragoçevës…”.
Në të njëjtën ditë, komandanti i Brigadës XVI, Gligorie Sharanoviq, i shkruante Komandës së Divizionit të Kumanovës, se sapo ta rregullonte njësinë do të nisej për Bllacë, dhe se sjelljet e tyre me banorët e atij fshati do të ishin ashtu siç do të “rrjedhin ngjarjet”, përkatësisht, nëse ata do të bënin edhe “rezistencën më të vogël” do ta eliminonin e tërë fshatin, ndërsa në rast të kundërt, atëherë do të pushkatonin “vetëm familjarët e atyre fajtorëve”, për të cilët i kishte informuar banori i lartpërmendur serbë. Paralajmërimi i Sharanoviqit, fatkeqësisht u bë realitet me 18 nëntor 1944. Në njoftimin e shtabit të kësaj brigade thuhej se ishin arrestuar 250 fshatarë të Bllacës së Epërme dhe 40 të Bllacës së Poshtme. Arrestimi i fshatarëve, u bë me pretekst se ato nuk e kanë dorëzuar armatimin, përkatësisht siç thuhet në njoftim: “jo vetëm që nuk e dorëzuan atë sasi që e premtuan, por madje filluan të kundërshtojnë me fjalët: a jeni ju njerëz, dhe kujt t’ia japim armën ?”. “Për këtë sjellje të keqe – thuhej më tej në njoftim – luftëtarët tanë aq shumë reaguan, saqë me një mund të madh arritëm ta pengojmë kasaphanën e vërtetë ndaj shqiptarëve, por megjithatë në këtë drejtim nuk u arrit shumë sepse luftëtarët depërtuan deri te vendi ku shqiptarët ishin të vendosur arritën të ndajnë një nëmur shumë të madh dhe të njëjtit i ekzekutuan.”. Paraprakisht, me urdhër të Sharanoviqit u ekzekutuan 15 vetë, me pretekst se kanë keqtrajtuar popullatën serbe në Karadak. E tërë kjo kasaphane nuk i kënaqi gjakpirësit sllavo-komunistë, të cilët me 19 nëntor, gjatë marshimit të tyre në drejtim të Kaçanikut morën edhe 50 banorë tjerë të Bllacës, dhe në afërsi të Lepencit i ekzekutojnë. (koha.mk)
(vijon në numrin e ardhshëm)