in

Martirët shqiptarë

 “Pas shërbimeve të para për të syrgjynosurit, duhej menduar për të vdekurit. Ata i kishin vendosur në lëndinë, mbuluar me ca lopata dhé. «Një varr i tillë nuk është mirë!» – tha mjeku anglez. Janë vëllezërit tanë. Vdekja e tyre ka qënë një vdekje martiri. Trupat e tyre janë të shenjtë. «Shpejt ne do të ikim dhe nuk është mirë që t’i lëmë në atë gjëndje, në atë vënd ku kanë hedhur kërma dhe plehra. Le t’i kërkojmë zëvëndës-prefektit një vënd varrimi. Dhe kjo gjë u akordua menjëherë, – thanë “motrat” Bernardine dhe Marie, dhe sipas dëshirës sonë. Pastaj sollën ca ustallarë dhe gurë të shumtë për të bërë një lloj muri. Për pak ditë muri u ngrit, iu vu një portë dhe një kryq mermeri në mes të varrezës. Ai kryq kishte një mbishkrim që do tu përcillte shekujve të ardhmë historinë e kësaj ngjarjeje. Dhe kur varreza u bë gati, atëherë u hapën gropat për t’i vendosur kufomat siç duhej. Por si t’i transportonim? Që prej 10, 15 apo 20 ditësh, ato ishin dekompozuar. Cili do ta kishte guximin dhe kurajon të gërmonte tokën dhe t’i nxirrte që andej, t’i mbështillte me qefinin e përgatitur nga “suorat” dhe t’i transportonte pastaj në varrezën e re? U vendos që më të fuqishmit e shqiptarëve ta bënin këtë shërbim për bashkëatdhetarët e tyre. Por sapo u afruam në gropat e vjetra me belat në duar, askush nuk guxonte të fillonte. Duke e parë se të gjithë hezitonin, mjeku anglez, nxorri diamantin e çmuar që kishte në gishtërinj, (të cilin mund ta thyente duke punuar), ia besoi “suorës” dhe nisi të gërmonte.

Atëherë të gjithë filluan menjëherë pas tij. Një çast më vonë kufomat u shfaqën. Ata i mbështollën me qefinë, i vunë në karroca dhe i çuan në varreza, të shoqëruar nga At Antonio, i cili lumturisht sapo kishte mbërritur. Në fakt, kur kishte gjetur derën e burgut hapur në Selanik, ai ia kishte mbathur dhe i veshur si xhandar, kishte mundur të vinte deri këtu. Varrimin e kufomave e bënë me vështirësi, pasi era e qelbur e kufomave ishte mbytëse. Por ishte dita e “Ascension”, (e ngjitjes së Krishtit në qiell) dhe Perëndia e bëri këtë vepër. Një erë e fortë nisi të frynte, aq sa të merrte frymën. Kurrë nuk do të na shqitet nga kujtesa ajo ditë, – kujtojnë suorat. – Kurrë nuk do ta harrojmë skenën që pamë kur trupi i një gruaje të varrosur 15 ditë më parë ishte dekompozuar. Flokët e saj të gjata e të zinj i binin nga koka dhe dy fëmijë të vegjël ajo i mbante ende në krahët e saj. Varrimi i të vdekurve tanë të shtrenjtë u bë në prani të gjithë njerëzve të Muhaliç-it. Kishin ardhur turq e ortodoksë. Një ndjesi respekti e tmerri e mbante atë turmë të madhe. At Antonio printe proçesionin. Mjeku anglez i shërbeu atij si fëmija e korrit, duke kënduar me sa fuqi kishte. Sapo kufomat u vunë në tokë, u dëgjua psallma për ta. Dhe At Antonio përfundoi me një falje të përgjithshme të mëkateve për ata të dashur që kishin vdekur tashmë. Megjithatë, shumë të sëmurë e kishin marrë veten dhe i kishin vendosur në ndërtesa të veçanta. Por ngaqë ai lloj strehimi nuk ishte për të qënë, apo nga vetë ajri i Muhaliç-it, ata u sëmurën nga ethet e herëpasherëshme.

Pra “suorat” dhe mjeku anglez menduan se duhej gjetur një vënd i përshtatshëm. «Le të shkojnë dy-tri nga ata që mbahen më mirë dhe le të gjejnë një vënd apo fshat që tu pëlqejë, – tha zëvëndës-prefekti. Ne i dërguam me shpresë që të tjerët do të bashkoheshin me ata. Pra, dy-tri nga më të fortit u nisën për të gjetur vëndin më të mirë. Nëntë ditë më pas ata u kthyen, duke thënë se Filidare ishte mjaft mirë për ata. Pamja ishte e bukur. Klima e shëndetshme, dhe atje, në atë vënd përballë Bursës, në breg të detit, midis Guemlek dhe Mudania, do të vendoseshin së shpejti.

Në fakt, Filadare ishte ajo që ata shpresonin më mirë. Por për t’i çuar atje duheshin karroca. Zëvëndës-prefekti dha 22 karro të tilla. Motra Lesueur, xhandari i lënë nga zoti Crepin dhe Charles, interpreti i mjekut anglez, u ngarkuan me detyrën që t’i çonin ata gjer në destinacionin e ri. Kjo nisje ndodhi ditën e dytë të Pentecôte-s. Për të shmangur një kthesë të madhe, u vendos që burrat t’i transportonin përmes liqenit me varka, me buaj apo me not. Por që të bëhej ky lloj kalimi, u deshën shumë mundime, pasi bënte një vapë e madhe dhe buajt, sapo hynin në ujë s’donin të lëviznin më. Më e keqja është se pas një stuhie të tmerrshme, era përmbysi gjithçka dhe u desh që të shtriheshin në mes të fushës me karrot dhe plaçkat e bëra qull. Kishte ende dhe një ditë udhë e të nesërmen askush nuk donte të lëvizte, aq e keqe kishte qënë ajo natë. «Nëse s’doni të lëvizni, askush nuk do të hajë! – u tha “suora” Lesueur. Dhe menjëherë ajo nisi përpara karron që mbante ushqimet. Karrot e tjera e ndoqën. Me hir a me pahir, të gjithë u vunë në rrugëtim. Natën mbërritën në Filadare dhe kërkuan vënd për të fjetur. «Po ku tu gjejmë vënd për të fjetur? – u thanë atje banorët.

**********************

Të gjitha shtëpitë tona janë plot krimba mëndafshi, ndërsa ne flemë në qiell të hapur. Një burrë i veshur më mirë se të tjerët u tha se ishte mësuesi i fshatit. «Të jini e sigurt! – i tha ai “suorës” Lesueur, – se ambasada u është mirënjohëse për gjithçka keni bërë për këta të mjerë. Ç’mbrojtje e përkujdesje për ata!» Dhe sa tha këto fjalë, zotëria vendosi t’i presë miqtë e rinj. A do ia dilte mbanë? Dukej e dyshimtë, sepse kishte të bënte me ortodoksë. Ja ku erdhën ndërkohë dy kalorës. Ishin dy xhandarë të dërguar nga guvernatori i Bursës. Menjëherë dhe pa diskutuar duhej që t’i prisnin shqiptarët tanë të shenjtë, por dhe tu gjenin një vënd të mirë për të fjetur. Suora Lesueur pati strehën më të bukur. Ishte një shtëpi e re, pa portë e dritare. Por të paktën ishin të mbrojtur nga shiu. Pra Filadare ishte më i përshtatshëm për shqiptarët e mjerë. Ajri ishte i pastërt dhe klima e shëndetshme. “Suora” Lesueur qëndroi pranë tyre që mos tu mungonte asgjë. Dy “suorat » e tjera, mjeku anglez dhe At Antonio qëndruan që të katër në Muhaliç për të shëruar të sëmurët. Midis tyre gjëndej dikush që quhej Andrea. Gjatë rrugës nga Shqipëria në Muhaliç, duke e rrahur me shkopinj, atij i kishin thyer krahët dhe këmbët. Më vonë, kur të sëmurët e fundit i dërguan në Filadare dhe në Bursë, me ata shkoi dhe “suora” Marie, që të shëronte plagët e këtij të riu. Kur të shtrenjtët tanë shqiptarë ishin ende në Muhaliç, ata panë të vinin për te ata dy njerëz të legatës prusiane, të cilët i siguruan se Shkëlqesia e Tij, Frédéric-Guillaume IV interesohej për fatin e katolikëve shqiptarë. «Një ditë, – më tha “suora” Marie, – kur ne i kishim varrosur ata tri fëmijë, tri ëngjëj tre-katër vjeçarë, unë kisha thurrur për ata një kurorë me lule që i kisha mbledhur fushave.» Kur ne filluam të shkojmë drejt varrezave, një nga këta zotërinj tha : – “Suora” Marie, më jep dhe mua një nga këto kurora! Dëshiroj ta mbaj në dorë dhe t’i shoqëroj këta tri ëngjëj të vegjël për në banesën e fundit dhe pastaj do ta vë në krye të atij, të cilit kishit menduar t’ia vinit». «Ka disa vjet, – thotë “suora” Marie, – kur isha në Selanik, shkoja buzë Vardarit, kur papritmas u gjënda pranë tri xhandarëve. «Ah, tha njëri nga ata. Kur isha në Bursa kisha bërë një udhëtim bashkë me ca gra të veshura si kjo gruaja këtu». Kur dëgjova këto fjalë, e vështrova xhandarin dhe e njoha. Ishte turku që na kishte dhënë me vete z. Crepin. – Ah Mustafa! Nuk e njeh më “suorën” Marie? – i thashë. Xhandari i shkretë u habit nga ky takim dhe plot dëshirë më përqafoi. Që nga ajo kohë nuk e kam parë më atë burrë të mirë. Sa shumë na shërbeu ai njeri, neve dhe shqiptarëve të shtrenjtë!».

“Suorat” qëndruan një muaj pranë shqiptarëve tanë, si në Muhaliç ashtu dhe në Filadare, ku “suora” Bernardine ishte bashkuar me kryemurgeshën, ndërkohë që “suora” Marie shëronte plagët e Andreas në Bursa. Ato mbërritën nga Bursa në Konstantinopojë ditën e festës së Zotit, ditën e Proçesionit. Kishin sjellë me vete tri fëmijë, një vajzë dhe dy djem. Pak më vonë, vajzën e kërkuan prindërit, të cilët e morën pranë tyre. Një nga djemtë vdiq më 1847, koha kur unë mbërrita në Konstantinopojë. Disa vite me rradhë qëndroi me ne djaloshi tjetër. Ai mësoi të lexojë, të shkruajë e të flasë mirë frëngjisht. At Paolo, i cili atëherë ishte një prift i thjeshtë dhe sot peshkop, erdhi në Konstantinopojë për çështjen e shqiptarëve tanë të thjeshtë dhe i kërkoi superiorit tonë, z. Doumerq, autorizimin që ta merrte këtë djalë në Romë që të bënte studime. Nga Roma, djaloshi Mark, i shkruante herë pas here superiorit tonë z. Gamba dhe “suorës” Lesueur. Tani është prift dhe shërben në dioqezën e Prizerenit, por nuk e di në cilën kishë. Mjeku anglez i la të surgjynosurit tanë, në një kohë me «suorat». Nuk di se ç’bëhet me të, nëse është gjallë apo ka vdekur. Por «suora» Bernardine thotë se është gjallë me siguri, sepse erdhën bashkë gjer në Guemlek dhe se me të mbërritur në një fushë, rrethuar plot pemë, ai i tregoi një aventurë që i kishte ndodhur pikërisht këtu, kur po shkonte për në Muhaliç. Ai kishte pikasur mes barishteve diçka si një qënie njerëzore dhe kishte pyetur se çfarë ishin. «Janë njerëz që vijnë nga Ismid, (Nicomedie). Uria i ka detyruar të lënë vëndin e tyre dhe tani kërkojnë të hanë bar. I prekur, doktori i thirri ata të mjerë, u bleu bukë, u dha kafe dhe duke u lënë një shumë parash, vazhdoi udhën…»

Në librin e tij Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, konsulli francez Hyacinthe Hecquard, i cili ishte marrë me këtë çështje në atë kohë, pohon se të dëshpëruar në kulm me fatin e tyre, shqiptarët pritën për një kohë të gjatë që sipas fjalës së dhënë t’i kthenin më së fundi në fshatrat e tyre. «At Markoviçi, – shkruan ai, – i emëruar famullitar i tyre në këtë vendbanim të ri, shkoi përsëri në Stamboll, ku, në sajë të ndërhyrjes këmbëngulëse të ambasadorëve të Francës dhe të Anglisë, arriti të merrte dekretin që i riatdhesonte këta njerëz të mjerë me shpenzimet e Portës së Lartë dhe që u rikthente pronat. Këto urdhëra u vunë në zbatim. Një anije me avull i çoi ata në Selanik, nga ku me një ferman të veçantë ata duhej të ktheheshin në vendlindje. Nga njëqind e njëzet familje me mbi njëmijë persona që kishin qënë në fillim, kishin mbetur veçse tetëdhjetë njerëz. Por pritja ishte e pafund… Kryepeshkopi i tyre i mundua t’i bindëte që të prisnin edhe pak, por ata iu përgjigjën duke e vënë atë në siklet: «Nëse ky çast vjen pasi të kemi vdekur ne, a nuk do tu vijë turp që keni humbur shpirtrat tanë?»…

Sigurisht, kjo ngjarje mbeti kulminante në kujtimet e Atit Faveyrial. Dhe ajo nuk ishte e vetme, pasi jezuitë e françiskanë shqiptarë kishin rënë si martirë nga ndëshkimi osman, siç kishte qënë peshkopi Antonio d’Aici i Shkodrës apo françiskani Antonio Lorante i varur në një pemë. Në librin e tij Historia e Shqipërisë ai shton ngjarjet e hidhura të ndodhura. Po kështu, ai sjell dhe historinë e dikujt, i cili kërkoi të kthehej në besimin e tij të parë, atë kristian. «Më 1709, – shkruan ai, – një njeri i quajtur Nicodimos, u ekzekutua në Berat. Kohë më parë ai kishte pranuar të bëhej musliman, por më vonë e kishte kuptuar aktin e tij dhe ishte nisur për në Malin e Shenjtë Athos që të pendohej. Kur u kthye në Berat, ai shkoi te guvernatori turk dhe i deklaroi se ishte i krishterë. Meqë nuk pranoi të rikthehej në fenë muslimanë, një të djelë, me urdhër të Hasan Pashës, atij ia prenë kokën».

Lini një Përgjigje

Familja e Mahmutbegollëve ndër familjet më të shquara të kombit

Pjetër Budi – enciklopedia e gjallë e mbytur në Dri