Shkruan av. Zanfir Kryeziu
Në ditët e agresionit çetnik me 1943-1944, Rifati organizoi qëndresën shqiptare në rajonin e Peshterit dhe të Tutinit së bashku me Aqif Blyten.
Në kuadër të manifestimeve të mbajtura për nderë të ditës së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë Partia Balli Kombëtar Demokrat me dt.28.11.2023 në Gjakovë ndau mirënjohje trashëgimtarëve të luftëtarëve të Shqipërisë Etnike të ekzekutuar nga regjimi sllavo komunist gjatë Luftës së dytë Botërore. Për rëndësinë e këtij manifestimi fjalën e rastit e mbajtën kryetari i Ballit Nikollë Perkaj dhe mr. Muhamet Rogova.
Për familjen emblematike të Mahmutbegollajve të Pejës me kumtesë foli av. Zanfir Kryeziu, i cili në mes tjerash theksoi: Familja e Mahmutbegollajve është familje me tradita nacionaliste për të cilën thotë se ka qenë dhe mbetet në qendër të vemendjes historike para dhe në mes të dy luftërave botërore, por sidomos pas vitit 1941. Nga kjo familje kishte dy firmëtar të aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë me 1912 dhe ata ishin: Zenel dhe Qerim Mahmutbegolli.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore në përpjekje për çlirim nga robëria shekullore dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në rrethana të ndryshme dhanë jetën shumë pjesëtar të kësaj familje. Qerimi siç theksuam ishte firmëtar i aktit të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë me 28.11. 2012. Ishte nënkryetar i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës dhe anëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, bashkëveprimtar dhe mik i afërt i Mid’hat bej Frashërit. Rifati, ishte ministër i Ekonomisë (Punët Botore) në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës me 1944, të cilën pozitë e mbante edhe në Qeverinë e Fiqri Dinos.
Në ditët e agresionit çetnik me 1943-1944, Rifati organizoi qëndresën shqiptare në rajonin e Peshterit dhe të Tutinit së bashku me Aqif Blyten. Hasim Mahmutbegolli ishte komandant i njisive vullnetare për mbrojte të kufirit me Malin e Zi, me ç’rast zihet rob lufte.
Xhevati, po ashtu luftëtar në mbrojtje të kufijve nga pushtuesit sllavo-komunist i cili shkollën fillore e kreu në Pejë, ndërsa të mesmen së bashku me Rifatin, në Vjenë të Austrisë. Pas shkollës së mesme punoi në Gjimnazin e qytetit.Vëllezërit Kishin një kulturë intelektuale dhe ishin poliglot, sepse të gjithë ishin shkolluar në Vjenë të Austrisë duke folur dhe shkruar aktivisht gjermanisht, italisht, turqisht, arabisht dhe gjuhët sllave.
Vëllezërit Qerimi, Xhevati dhe Rifati ishin koleksionist të pasionuar të rariteteve, kishin interesim për kulturë dhe histori. Kishin një bibliotekë të pasur personale prej 4.000,librash. Familja e tyre u vu në ballë të luftës për mbrojtjen e kufijve etnikë, më së shpeshti në pjesën veriore, pasi kjo pjesë sulmohej vazhdimisht nga forcat serbo-malaziase-çetnike.
Vëllezërit Mahmutbegolli ishin dhe mbetet simbol i rolit prijës të qytetit dhe të rrethinës së Pejës të cilët me këto përpjekje kombëtare i kishin angazhuar edhe parin e Rugovës dhe fshatrave për rreth Pejës. Në periudhën 1941-1944, me ndërprerje, Xhevati ishte në postin e prefektit të Pejës. Shtëpia e Mahmutbegollve ishte bërë vatër e lëvizjes kombëtare. Derisa, Qerimi qëndroi në Shqipëri, duke bashkëvepruar me Mid’hat Frashërin për organizimin e luftëtarve për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë etnike, Xhevati nga pozita e prefekturës së Pejës kishte reflektuar fuqishëm në lëvizjen kombëtare. Në kohën e qeverisjes së tij të prefekturës, Peja me rrethinë ishte bërë fortifikatë e sigurt e mbrojtjes së kufijve nga pushtuesit Serbo-Malazez.
Në vitin 1941, Xhevati bashkë me Xhafer Devën, Aqif Blytën dhe përfaqësues të tjerë, në emër të prefekturës së Pejës, bëhet nënshkrues i Marrëveshjes së Mitrovicës. Kapacitetin e tij përfaqësues e dëshmon edhe si pjesëmarrës nga prefektura e Pejës në Lidhjen e Dytë të Prizrenirt, si përpjekje për të forcuar identitetin kombëtar dhe shtetëror të trojeve etnike shqiptare. Ishte ideolog i pashoq në rrumbullakimin e kësaj tërësie. Roli udhëheqës i Xhevatit në organizimin e forcave të armatosura kishte mbrapsur shpesh here forcat serbo-çetnike nga planet e tyre për të sulmuar Pejën me rrethinë. Në vitin 1944 nga agjentet e OZN-ës Xhevati zihet rob dhe burgoset në shtëpinë e tij. Nga kjo shtëpi të gjithë të burgosurit zakonisht pushkatoheshin. Për Xhevatin pushteti sllavo- komunist kishte organizuar një gjykim popullor të improvizuar, duke e dënuar me vdekje dhe më pas e pushkatojnë.
Sipas librit të Shefqet Kelmendit “Një brez i veçantë” për rrethanat e vdekjes së Xhevatit thuhet: ”pas torturave ç’njerëzore që i bënë trupit të tij, e vranë, në bahçe të kullës së vet, ndërsa kullën e tij e shndërruan në burg të tmerrshëm”.
Edhe vëllai i tij Rifati, dënohet nga regjimi i Enver Hoxhës me 15 vite burg. Vdes në burgun e Tiranës, ndërsa Qerimi, firmëtari i pavarësisë pushkatohet në rrugë nga Shqipëria për Kosovë, diku në Mal të Zi, varrët e të cilëve edhe sot nuk u dihen, sepse okupuesit sllavo-komunist janë përkujdesur për zhdukjen e tyre me frikë se ato mund të jenë frymëzim për gjeneratat e ardhshme për të vazhduar rrugën e trasuar nga ata për një Shqipëri Etnike.
Pos këtyre, veprimtarinë atdhetare kundër pushtuesve sllavo-komunist me kokë e paguan edhe kasherit e tyre vëllezërit Manush dhe Sani Mahmutbegolli i cili në tradhti u zu nga agjentët e OZN-ës në Rugovë të Pejës dhe pa gjyq u ekzekutua. Rugovasit i ngritën lapidar.
Kalvari i vrasjeve të pjesëtarve të kësaj familje amblematike vazhdoi me 1946 kur agjentet e OZN-ës rrethuan shtëpinë ku ishte strehuar kryebashkiaku i Pejës Sefedin Begolli, bashkëveprimtar i Bedri Pejanit dhe babai i aktorit të mirënjohur kosovar Faruk Begollit.
Sefedini duke njohur torturat ç’njerëzore që kishin bërë agjentet e OZN-ës në trupin e Xhevatit, për të mos u dorëzuar i gjallë në duar të tyre, vetëhelmohet me qëllim që t’i kursej familjarët e strehuesit nga pasojat e strehimit të tij.