in

Lufta me akrepat helmues, shkretëtirën dhe thikat arabe

Gani Mehmetaj- Fragment romani në dorëshkrim

-Dielli u ba tmerr, nuk na hiqej qafe, – tregonte ai për ditën me vapë të shkretëtirës, edhe pse fshiheshin nën çadra, por çadra nuk u ndihmonte. U thaheshin buzët, shkrumb u bëheshin, ujin e kishin me pikatore. Kur ecnin në patrullim, i dilte para sysh lumi i Drinit, pastaj Lumbardhi, ujëvara. Pinte ujë aq shumë sa i dukej se po e shteronte burimin e Drinit, por etja nuk i hiqej. Pastaj këndellej i dërmuar me këmbët që i tërhiqte zvarrë nëpër shkretëtirë.

-Nëse s’të rrinin gati shokët, treteshe në ranë si kokrra e orizit në det,-na tregonte për shajninë, që e dëgjonim për herë të parë.

– Ec e ec, shkretëtira të largohej. Buzët të thaheshin, kurse para sysh të dilnin burime uji. Vrapoje si i marr, por ujë nuk kishte. Të largohej burimi. Iknin njerëzit, zhduket tufa e deveve me kalorësitë e tyre. Shkretëtira të përpinte.

Natën tjetër fliste për akrepat e tmerrshëm në shkretinë. Me një pickim akrepi, vdisje në vend, nuk arrije të shpëtoje. Efekti i helmit ishte i menjëhershëm. I kishte tmerr akrepat. Duhej të ruheshin prej tyre, ndërsa befasisht i ndeshje kudo: nën çadër, në rrugë, nën shtrat. Dhe s’mund ta kuptonte atë tokë pa ujë dhe pa hije. Kund pemë a shkurre nuk shihje sa të kapte syri. Shi kurrë nuk binte, verë as dimër.

-Pa-pa-pa, – lëshonte pasthirrma habie dikush. -Ç’e paska mallkuar Zoti atë vend.

-Çka bëjnë me pemë? Si i ujisin?

-Pemë nuk ka. Tek-tuk ndonjë shkurre si theret e magarit të ne. Për borën arabët nuk kishin ndëgju,-rrëfente Zeqo, i emocionuar. Burrat e gratë e dëgjonin më vëmendje. Njerëzit ia kapsallisnin sytë. Kushëriri i mësuar me krahinën tonë që ujë kishte sa të duash, katundi i tij ishte në mes të dy lumenjve, kur binin shirat përmbytej, atje një pik uji i thaheshin buzët.

-Kisha mall të shihja një cukël re, shi nuk binte.

   Por Zeqo i la pa mend burrat kur u tha: -Palestinezët ishin arabë.  

   -Si, si?, -pyeti dikush i habitur. – Nuk paska palestinezë? 

  • Palestinë është vendi, por banorët janë arabë, që kishin ardhur me ushtrinë e Muhametit. Janë beduinë.  

      Njerëzit shihnin njëri-tjetri dhe nuk e kapnin. Radioja dhe televizioni ynë u thoshte palestinezë, ata e quanin vetën arabë.

   – Dreqi i raft në fije kësaj pune, -tha dikush që ta përmbyllte debatin e mëtutjeshëm, sepse donin ta dëgjonin Zeqon.    

Zeqo u bë protagonist i mbrëmjeve, pasdarkave tona të famshme. Kur mblidheshin kushërinjtë, nisnin dhe e zbërthenin politikën. Më shumë flisnin për Egjiptin, për arabët, prapambetjen e tyre e më pak për Izraelin. Aty e mora vesh se kryetari i Egjiptit, Naser quhej, që radioja jonë e lavdëronte, e kishte rrëzuar nga pushteti mbretin Faruk. Ndërkaq, mbreti i Egjiptit paska qenë shqiptar, tregonin pastaj njëri pas tjetrit burrat. Të gjithë e dinin. Unë e mësoja për herë të parë. Dhe nisnin të tregoni për të parët e mbretit Faruk që flisnin si ne. Madje dikush tha se edhe në Pallatin Mbretëror flisnin shqip. Shkuan, luftuan dhe e morën Egjiptin shqiptarët. Ua nxorën nga dora Turqisë, ua morën edhe arabëve.

– Naserin e ndihmuan rusët, -thoshte Bardhi.

-E rrezuan nga pushteti mbretin shqiptar, e dëbuan nga vendi dhe e armiqësuan Egjiptin më të gjithë, me Amerikën, me Anglinë, Francën, me Italinë.

-Naseri u bë mik me Titon, -thoshte dikush.

Bardhi nuk e përjashtonte që në rrëzimin e mbretit Faruk të kishte gisht edhe ky i yni, ndërsa mendonte për Titon, por emrin nuk ia përmendte.

Pastaj prapë i ktheheshin mbarimit të luftës së Dytë , kur Izlami, kushëriri ynë ballist para se të shkonte në Australi zbarkoi në Aleksandri. I kishin thënë se atje kishte shqiptarë të moçëm.

 Derisa ata flisnin desha t’i ndërprisja dhe t’u tregoja se në Misir-Egjipt kishin jetuar shkrimtarë tonë, kishin pasur shoqatat e tyre, kishin shkruar libra, që ne i mësonim në shkollë. Andon Zako Çajupi aty jetoi dhe vdiq, Thimi Mitko. Doja t’ua rendisja koloninë e shqiptarëve në zë. Por ata flisnin për kohën e luftës, kur kush nuk kujtohej për shkrimtarë.

-U nis Izlami me Andonin e Korçës, ballist i thekur, – vazhdonte babai. E takoi në anije nga Selaniku në Aleksandri, apo u takuan gjatë ikjes, nuk dihej. Zbritën së bashku në Aleksandri me qindra shqiptarë të tjerë. Ndanë mendjen të nguliteshin në Misir, sikurse i thoshte gjyshja dhe shkrimtarët e Rilindjes Egjiptit. Mirëpo, e ndjen se këtu ishte rrëmujë, se nuk ishte vendi në ditë të mira, edhe pse thuhej se mbreti Faruk do t’u ndihmonte shqiptarëve të ikur nga komunizmi e Jugosllavia. Vazhduan tutje në Singapor deri në Sidnej. Për kushëririn Izlam flisnin aventura si në filma. Ai ishte burrë i regjur nga luftërat e vuajtjet. Australianët e angazhuan në kapjen e aborigjinëve, vendësve australianë. Dikush tha se ai vazhdoi tutje, në Zelandën e Re. Tokat e reja dhe aventurat e joshnin. Izlami ma nxiste imagjinatën, me bënte të fantazoja për aventura si në filma: unë me një kalë shale, me një tufë lopësh në fushën e paanë. Kangurët kërcenin prapa gëmushave. Australia ishte kontinenti ku do të doja të jetoja, i thosha vetës shpesh mbrëmjeve, para se të më kapiste gjumi. Një kërcim kanguri me trembte në gjumë dhe kërceja nga e papritura.

Natën tjetër kur po tregonte kushëriri Zeqo, për zbarkimin e trupave jugosllavë në Zarë, dikush u kujtua se atje kishte shqiptarë të rinj e të moçëm. Të moçmeve u thonë arbnesh. Dikush që kishte jetuar pas përfundim të luftës në Arbanasi, sikurse i thoshin lagjes së vjetër, tha se edhe arbneshëve të Zarës, ua kanë vënë këmbën, i akuzonin se gjatë luftës qenkan solidarizuar me Italinë fashiste. Disa i pushkatuan. Shumë burra ikën në Itali, e më tutje në Amerikë, Argjentinë, tregonte ai më pikëllim.

E kisha lexuar dramën “Nita” të Josip Reles, abresh i Zarës dhe kujtoja vuajtjet që kishin hequr kur u larguan nga Shqipëria, nga Ljarja e Shestani.

-Ka shumë arbnesh që janë bërë të njohur në Kroaci, -tha Bardhi, që ishte më i informuar.

-Neve na duan shumë. Më kanë pritur si mbret. Ishin aq të përmalluar,  sa që lotët me shkonin.

Në njërën nga këto mbrëmje mora vesh se kushëriri tjetër Uka, kishte qenë xhandar i mbretit Zog në Fier. E fliste toskërishten mirë, prandaj Toskë e thërrisnin në vend të emrit të pagëzimit. Uka kishte ikur nga vendlindja në kohën e Kralit, pasi e plagosi kolonin serb, që ia kishte marr arën buzë lumit Drin. Kur u shpartallua Jugosllavia dhe hyri Italia nga Tropoja e Morina, Uka hoqi uniformën e xhandarit të mbretit dhe u kthye. Veshi uniformën e Ballit Kombëtar. Pas luftës kur e kishte punën ngushtë, e ndau mendjen të shkonte në Egjipt. Shpresonte që edhe në Egjipt do t’ia kishin nevojën xhandarit më përvojë a ballistit të thekur.

– Sikur të bëhej xhandar i mbretit Faruk? Të gjithë do t’i shkonim pas, – thoshte Bardhi,

– Egjipti ishte vend ku të shkriheshin eshtrat nga vapa.

Pastaj nisja ta përkëdhelja sedrën. Dikur kishim dy mbretër, dy shtete dhe dy mbretëri. Por që të dy mbretëritë, i shprishi Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia. Mbretit Zog ia ndaluan kthimin komunistët që ishin të lidhur me Bashkimin Sovjetik e Jugosllavinë. Mbretin Faruk e rrëzuan nga froni arabët me ndihmën e Bashkimit Sovjetik e të Jugosllavisë. Me kishte treguar Bardhi se në oborrin mbretëror kishte jetuar princesha më e bukur në botë.

– Grua më të bukur, nuk kishte në faqe të dheut, -tregonte ai. Kur e pashë fotografinë e saj në një zhurnal filmi sytë me mbetën në te.

 Princesha e bukur, Fevzia, ishte bija më e madhe e Mbretit Fuat të Egjiptit, nisi ta shprishte biografinë e familjes mbretërore ai.

Athua ku ishte? Nisa të dashurohesha fshehurazi në te. Por në vend të pyesja për princeshën më të bukur në botë, bëra pyetje tjetër.

-Ku është mbreti i Egjiptit?

-Me duket iku në Francë. Thonë se mbreti Zog, qëndroi disa kohë në pallatin e mbretit shqiptar të Egjiptit, por kur pa se ai i kishte punët piskë, u kthye në Francë.

 Doja por me erdhi turp ta pyesja për princeshën shqiptare të oborrit mbretëror. Nuk e dija a është gjallë.

Gjatë këtyre bisedave mora vesh se mbretin Zog, Franca e Britania e Madhe, donin ta bënin mbret të Sirisë e Mbretërisë së Bashkuar Arabe, meqë arabët nuk merreshin vesh në mes veti se kush duhej të bëhej mbret. Të gjithë pretendonin se janë pasardhës të profetit Muhamet. “Secili arab ishte Muhamet ne veti”, tregonte Bardhi. Prandaj në këtë mosmarrëveshje arabësh duhej të ndërhynte një mbret shqiptar. Por prapë si në filmat më të këqinjtë e shtini dorën Bashkimi Sovjetik dhe ua prishi planet Francës e Anglisë, e prishi punën që të bëhej edhe një mbret shqiptar.

Dikush tha se po i ndiqnin shqiptarët në Siri, nga frika se do t’u sjellin një mbret të tyre. Mu ngjall një urrejtje e madhe ndaj Bashkimit Sovjetik, që i përziente gishtat kudo ku kishte mbretër shqiptarë.

Sa doja të jetoja në një mbretëri shqiptare, me pallate, ceremoni mbretërore, princesha të bukura, kalorës e shpatarë idhnak. E shihja në ëndërr princeshën Fevzie. Ëndrrat me ngatërroheshin me luftën: kalorësit shqiptarë që luftonin kundër beduinëve në shkretëtirë. Dy ushtri egërshane që do të luftonin për jetë a vdekje. Britmat e kalorësve:

“ Bjeruni burra”, që ishte kushtrim për sulm. Dhe klithmat e luftëtarëve beduinë: “Allahu ekber”. Re pluhuri e mbulonin shkretëtirën nga periferia e Kairos deri në Meke e tutje Xheda. Vapë. Dielli piqte, gjaku dhe djerset shkonin rreke. Kur lodheshin luftëtarët, dielli fshihej prapa dunave. Në muzgun e parë shkretëtira shtrihej në pafundësi.  Një këngë e zvargur shtrihej mbi horizont: vajtonte herë shqip luftëtarët e rënë për vendin e huaj, herë arabisht. Ishte diçka që të mrekullonte e të frikësonte. Ishte një botë e mistershme që do të doja ta eksploroja, por si?

Lini një Përgjigje

Rusia e akuzon Britaninë se po e nxit Kosovën

Pediatri kosovar kërkon nga Qeveria ta ndalojë djepin në Kosovë: Torturë e trurit të fëmijës