Kurdi i ri Kemal Kurkut u qëllua për vdekje më 2017-tën në Dijarbakir. Vrasësi i tij, një oficer i policisë turke që në fotografi shihet se si e qëllon nga pas shpine mbetet pa u ndëshkuar. Mirëpo fotografi që e kapi gjithë këtë ngjarje me kamerën e tij Abdulrahman Gok, përballet me një dënim 20-vjeçar,
Një fotografi vlenë sa një mijë fjalë, por tetë shkrepje të bëra nga fotoreporteri Abdulrahman Gok ulërijnë vetëm një gjë: vrasje. Goku është në gjyq për bërjen e këtyre fotove në Dijarbakir në mëngjesin e 21 Marsit të 2017-tës. Prokurori po kërkon që ai të dënohet me 20 vjet burgim.
23-vjeçari që është pa bluzë në foto është Kemal Kurkut. Ai ishte një student kolegji, i diplomuar në muzikë, një lojtar violine që udhëtoi në Dijarbakir atë ditë për festën e Newroz (viti i ri Iranian). Pas pothuajse katër vjet gjykimi, oficeri që e qëlloi me pistoletë u shpall i pafajshëm në mes të nëntorit.
Në intervistën për Al-Monitor, avokati i familjes Reyhan Yalcindag Baydemir tha. “Kurdët vriten, e pastaj detyrohen që të vërtetojnë para gjykatës vrasjet e tyre.” Është hapur edhe një uebfaqe https://www.failibelli.org/ ku dokumentohen rastet që në të kundërt do të etiketoheshin si të bëra nga “kryes të panjohur” dhe dëshmit e tilla si videot dhe fotot e sulmuesve të kapur në veprim ndahen me publikun. Por as kjo nuk ndihmon që drejtësia të vihet në vend.
Jeta e shkurtër e Kemalit ilustron pakënaqësinë në rritje të banorëve të Turqisë. Kurdët dhe Alevitët sidomos janë cak i shtypjeve arbitrare nga autoritetet në çdo kohë.
Ercan Kurkut, vëllau i madh i viktimës i tha Al-Monitor-it, “Ne e humbëm babanë kur Kemali ishte vetëm 6 vjeç. Si familje, ne përqendruam dashurinë dhe dhembshurinë tonë tek vëllau i vogël që ishte drita e syve tanë. Kemali ishte 19 vjeç gjatë kryengritjes së Gezit. Kur dëgjoi recitalet e pianos në Gezi Park, ai vendosi të kthehej në kolegj për të ndjekur pasionin e tij, muzikën. Gezi ishte edhe rasti i parë kur Kemali dëgjoi policët që pyesnin njerëzit se ‘Ku janë Kurdët?’ ’
Si pjesë e përpjekjeve për të shtypur lëvizjen, policia hoqi pianot që i kishin sjellë protestuesit në Parkun Gezi.Ercan vazhdoi, “Kemali ishte një nga të mbijetuarit e bombardimeve të stacionit të trenit në Ankara. Ai në atë kohë ishte 21 vjeç. Ai përjetoi vdekjen brutale të miqve të tij atje, dhe më pas ai ishte mjaft i dëshpëruar.”
Më 2015, kur një bombardues vetëvrasës i lidhur me Shtetin Islamik vrau 109 njerëz në një tubim paqeje në një stacion treni në Ankara, Kryeministri Ahmet Davutoglu i tha shtypit, “Ne kemi një listë të emrave të bombarduesve të mundshëm vetëvrasës, por nuk mund t’i arrestojmë derisa ata veprojnë.” Pas vrasjes së Kemalit dhe para se fotot e Gokut të lëshoheshin, guvernatori i Dijarbakir njoftoi se Kemali ishte vrarë nën dyshimin se ishte një bombardues vetëvrasës.
Ishte Newroza e parë pas përpjekjes për grusht shteti më 2016 dhe ligji i emergjencës ishte ende në fuqi. Dëshmitarët okularë thanë se Kemali ishte ngacmuar në postbllokun e policisë dhe nuk u lejua të hynte në shesh. Ai kishte hequr bluzën e tij për të treguar se ishte i paarmatosur. I hidhëruar ai kishte kapur një thikë buke nga një dyqan afër dhe e kishte drejtuar atë nga vetja. Vëllau dhe avokati i tij besojnë se ishte një moment i tipit “më jep liri ose vdekje” pasi iu kishte mbushur kupa pas shumë viteve ballafaqimi me diskriminim dhe abuzim nga qeveria e tij.
Nëse nuk do të kishin qenë fotot e sinqerta të Gokut, Kemali do të kishte qenë edhe një rast tjetër që do të ishte shënuar në regjistrat e shtetit si një ‘eliminim të një terroristi potencial’. Gokut iu desh të fshehte kartën e memories së kamerës së tij pasi që polica e kontrolloi atë në mënyrë të paligjshme. Avokati i familjes Baydemir i tha Al-Monitorit se të gjitha inçizimet e tjera ju konfiskuan nga policia. Fotografitë e Gokut dolën në publik pas njoftimit të policisë se ishte eliminuar një bombardues i mundshëm vetëvrasës, duke i diskredituar ata.
Baydemir tha, “Shkatërrimi i dëshmive është krim. Nëse zyrtarët qeveritarë nuk i paraqesin të gjitha dokumentet në gjykatë, dënimet bëhen edhe më të larta. Provat në këtë rast janë të bollshme dhe me fotot e Gokut, ato janë edhe publike. Por ne jemi ende duke u përpjekur të vërtetojmë para gjyqit që Kemali u vra.” Baydemir shpjegoi se nëse policia pretendon se ka qenë duke luftuar terrorizmin, atëherë ata nuk janë përgjegjës për asnjë nga veprimet e tyre.
Por Baydemir edhe më tutje beson se drejtësia do të vihet në vend. “Mund të duhet një dekadë ose më shumë, por ne do të marrim drejtësi,” komentoi ajo.
Al-Monitor foli me një inspektor në pension të policisë i cili shërbeu mbi tre dekada në forcë. Ai tha, “Jam i sigurt që kur ata kontrolluan ID-në e Kemalit, e kanë kuptuar menjëherë që ai ishte një Kurd apo ndoshta një Alevi. Është shumë e qartë edhe pse tmerrësisht e padrejtë që policia në Turqi përcaktohet nga identiteti fetar dhe etnik. Të jesh Alevi dhe Kurd do të thotë të jesh i padëshiruar. Qfarë duhet të pyesim është se pse forcat e brendshme turke të sigurisë janë bërë kaq të mëdha?”.
Në rajonin kurd, forcat e policisë turke ngjajnë më shumë me ushtri pushtuese, si me pajisje ashtu edhe me metodat e tyre barbare. Shkalla e lartë e papunësisë, varësisë nga droga dhe prostitucionit janë duke shkatërruar qytetet kurde të Turqisë. Kryebashkiakët e emëruar nga qeveria, brutaliteti i shfrenuar i policisë dhe një ushtri hoxhallarësh kanë ndryshuar gradualisht strukturën e shoqërisë së tyre.
Akuzat kundër forcave speciale për përdhunim dhe ngacmime seksuale nuk merren parasysh. Në rastet e rralla kur akuza të tilla publikohen, zyrtarët turq hedhin poshtë këto çështje dhe i quajnë si afera të gabuara mes ushtarëve dhe vajzave që duan të martohen me ta. Ish-kryetari i Bashkisë së Siirtit ka thënë se, “është më mirë që ata të jenë të përfshier në prostitucion sesa të protestojnë ndaj qeverisë.”
Në këtë kontekst, festimet e Newroz-ut janë një mundësi e rrallë për të rinjtë kurdë që të lidhen me identitetin e tyre. Në shprehjen kulturore ata gjejnë një formë rezistence kundër shtypjes dhe margjinalizimit nga shteti turk.
Shpallja e pafajësisë për oficerin e policisë dhe për bashkëpunëtorët e tij erdhi në një kohë kur Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po përpiqet dëshpërimisht të tërheqë investitorë të huaj duke pretenduar se Turqia i përket Evropës. Edhe masat më të thjeshta të reformës do të kërkojnë ndryshimin drastik të mënyrës se si Turqia komandon me policinë e saj, si ndjek penalisht, gjykon e burgos banorët e saj.
Shkroi: Pinar Tremblay për Al-Monitor
Përgatiti dhe përktheu: Valmir Mehmetaj