in

Lirohen tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe

Tre policët e Kosovës që u rrëmbyen nga forcat serbe me 14 qershor janë liruar të hënën nga Gjykata në Kralevë. Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi u paraqitën sot para gjykatës në Serbi, e cila vendosi për lirimin e tyre. Edhe njëri nga familjarët e të rrëmbyerve ka deklaruar për RTK, se policët janë liruar dhe vetëm po pritet nisja për në Kosovë.

Lirimin e tre policëve e ka konfirmuar nëpërmjet një konference për media Gjykata e Kralevës, e cila thotë se të pandehurve u ndërpritet paraburgimi.

Policët u arrestuan nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës gjatë patrullimit kufitar në pikën e quajtur Tresave/Bare, në përpjekje për të parandaluar krimin e organizuar dhe kontrabandën.

Arrestimi i tre policëve kishte nxitur reagime të shumta në vend. Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka cilësuar këtë rrëmbim, si një agresion nga ana e Serbisë.

“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit. Dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës, tendencat hegjemoniste të së cilës kanë shkaktuar krime të tmerrshme dhe shumë viktima”, ka deklaruar presidentja pas rrëmbimit të policëve.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë rrëmbim të policëve kosovarë, Serbia ka shkelur  Marrëveshjen e Kumanovës, ndërsa rastin e quajti dhe agresion. Madje Kurti ka shfaqur edhe harta ku janë rrëmbyer policët, që dëshmon se ata ishin brenda territorit të Kosovës.  

“Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët. Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka thënë Kurti.

Lini një Përgjigje

Abaz (0) – viçi, emërohet ndërmjetësues mes Putinit dhe Wagner – it!

Kurti e Blinken pajtohen për komunikim të dendur në funksion të paqes