Shkruan: Gani Mehmetaj
Nuk e di a e dini, z. kryeministër, por administrata juaj me ministrin e Financave në krye, për fillim ka përgatitur dhe ka nis të shpërndajë listën prej 700 emrash të atyre që do t’u ndërpriten pensionet, sepse e kanë vërtetuar se nuk i paskan paguar kontributet për Serbinë.
Mbi njëqind mijë shqiptarë: gazetarë, mjek, inxhinierë, ekomomistë, juristë, punëtorë fizik e ndërtimtarie, minatorë, zyrtarë administrate, artistë, shkrimtarë, regjisorë teatri e filmi etj, që i ka dëbuar policia e Milosheviqit nga puna e nga institucionet, shteti i Kosovës pas luftës në vend t’i shpërblente i la pa pensione. Një pjesë të tyre i mbytën me varfëri të skajshme. Të tjerët përpëliten për jetë a vdekje nga varfëria. Shembull të ngjashëm nuk ka kund në botë. Vetëm Serbia ishte kaq e pamëshirshme ndaj shqiptarëve.
Armatën e punëtorëve që e ngritën dhe i mbajtën institucionet, Universitetin e Prishtinës, spitalet, qendrat mjekësore, shkollat fillore e të mesme, teatrot, kinematë, rrugët, minierat, shkritoret e xeheve, qendra sportive dhe godinat më madhështore që i ka shteti ynë, deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së i flakën si lecka, i lanë pa pensione, i mbyten me varfëri. Turpi i mbuloftë këta deputetë dhe qeveritarët që e tumirën Ligjin për Pensionet.
Njëzet vjet të pasluftës këta deputetë, qeveritarë e partiak, nuk e ndërtuan asnjë teatër, kinema, sallë koncertesh, godinë universitare, qendër mjekësore, nuk e vunë asnjë gur në themelin e këtij shteti, por e zhvatën pasurinë e kombit në mënyrë të pamëshirshme. Njëzet vjet të pasluftës e zhvlerësuan nivelin e arsimit, të kulturës, jetës urbane, qytetërimit e traditës. Ishim në Evropë, por na kthyen prapa, na e sollën primitivizmin dhe mesjetën.
Po partia e re. Vetëvendosja, që premtoi shumë ç’bëri? Asgjë. Në vend ta hidhte në plehra këtë ligj turpi dhe t’ua kthente pensionet mbi njëqind mijë punëtorëve shqiptarë, ka nis ta thellojë këtë fatkeqësi e varfëri.
Me urdhrin e ministrit të Financave, H, Murati, administrata ka përgatitë mbi 700 dosje të reja, me të cilat i heq nga lista e përfituesve të pensioneve ata që janë “përvjedhur”, ndërsa nuk kanë paguar në Fondin e Pensioneve të Serbisë.
Administrata e re shtetërore po e thellon krizën e pensionistëve dhe po e zbaton ligjin e turpit me fanatizëm të habitshëm. Çfarë detyrimi ka ndaj Serbisë kjo administratë, kur po i ndëshkon shqiptarët që nuk kanë paguara në Fondin e Serbisë?
Lidhja Demokratike e Kosovës, që e votoi këtë ligj, ra në grackën e presioneve të PDK-së (nuk përjashtohet edhe ryshfeti e disa favore), iu nënshtrua edhe AAK-së, me votimin e ligjit të turpit, i humbi mbi 100 mijë votues-pensionistë, ndërsa kryekëput ishin anëtarë të LDK-së.
Ndërkaq, PDK dhe AAK fituan 100 mijë votues, sepse hoqën nga skema e pensioneve pjesën më kreative të kombit, që e ndërtuan shtetin, ndërsa futën kontrabandë rreth 40 mijë “veteranë”, të hurit e të litarit.
Po Vetëvendosja çka do të përfitojë nga zbatimi me fanatizëm i ligjit të turpit kombëtar? Asgjë. Do t’i humbas zgjedhjet e ardhshme, sepse premtoi e mashtroi. Pensionistët nuk duan mëshirë 100 a 200 euro. Ata e kërkojnë të drejtën e tyre, ata e ndërtuan shtetin e institucionet.