REL
Pajisje elektronike kanë shpërthyer në një valë të dytë shpërthimesh të mërkurën në pjesë të shumta të Libani dhe në Bejrut, thanë zyrtarët e Hezbollahut dhe mediat shtetërore.
Së paku 14 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 450 të tjerë janë plagosur nga shpërthimet e reja të mërkurën, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Sipas tyre, radiolidhje dhe pajisje solare kanë shpërthyer të mërkurën, një ditë pasi qindra pejxherë – pajisje të telekomunikimit me valë – shpërthyen dhe për pasojë vranë 12 njerëz.
Disa shpërthime u dëgjuan në Bejrut në varrimin e tre anëtarëve të Hezbollahut dhe një fëmije të vrarë nga shpërthimi i pejxherëve një ditë më parë, sipas gazetarëve të Associated Press në vendin e ngjarjes.
Një fotograf i Associated Press në jug të qytetit bregdetar, Sidon, tha se një veturë dhe një dyqan u dëmtuan pasi pajisje elektronike brenda tyre shpërthyen të mërkurën.
Një zyrtar i Hezbollahut – grupit libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – tha për Associated Press se radiolidhje të përdorura nga ky grup shpërthyen.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Libanit raportoi se sistemet e energjisë diellore shpërthyen nëpër shtëpi në disa pjesë të Bejrutit dhe në jug të Libanit, duke e plagosur një vajzë.
Shpërthimet e reja ndodhën në një kohë kur Libani është i zemëruar dhe i hutuar pas sulmeve të së martës me pejxherë, të cilat duket se ishin një sulm izraelit ndaj anëtarëve të Hezbollahut që shkaktoi viktima edhe në mesin e civilëve.
Së paku 12 njerëz u vranë, përfshirë dy fëmijë, dhe rreth 3.000 u plagosën, pasi qindra pejxherë të përdorur nga anëtarët e Hezbollahut shpërthyen njëkohësisht kudo që ishin: nëpër shtëpi, vetura, dyqane e kafene.
Këto sulme, të cilat s’i ka komentuar Izraeli, kanë shtuar frikën se konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut mund të përshkallëzojë në një luftë të përgjithshme.
Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin për atë që u duk të ketë qenë një sulm i sofistikuar nga largësia.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vlerësuar shpërthimet e pejxherëve të martën në Liban.
Izraeli filloi zhvendosjen e më shumë trupave në kufirin e vet me Libanin të mërkurën, si masë parandaluese, sipas një zyrtari izraelit i cili foli në kushte anonimiteti.
Hezbollah dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë prej 8 tetorit, një ditë pas një sulmi vdekjeprurës të udhëhequr nga Hamas në jug të Izraelit, i cili e nxiti një luftë në Gazë.
Prej atëherë, qindra persona janë vrarë nga sulmet në Liban dhe dhjetëra nga ato në Izrael. Dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur nga të dyja anët e kufirit. Hamas dhe Hezbollah janë aleatë dhe të dy mbështeten nga Irani.
Liderët izraelitë kanë bërë disa paralajmërime gjatë javëve të fundit se mund t’i shtojnë operacionet kundër Hezbollahut në Liban, duke thënë se duhet t’u japin fund shkëmbimeve zjarrit, për t’ua mundësuar njerëzve të kthehen në shtëpitë e tyre pranë kufirit.
https://www.evropaelire.org/a/raportohet-vale-re-shperthimit-pajisjeve-liban/33125252.html