in

Lëvizja Kryeziu angazhohej për shtetin shqiptar etnik dhe sistemin demokratik

 

Shkruan av.Zanfir Kryeziu

Akuza pambështetura

Në vazhdim historiani Izber Hoti shkruan: “Ndjekja dhe persekutimi nga ana e lëvizjeve nacionalçlirimtare kishte mbështetjen e tyre. Lëvizjet nacionaliste, siç ishte edhe Lëvizja Kryeziu, s’përputheshin fare me qëndrimet dhe synimet e lëvizjeve nacionalçlirimtare. Ani pse shumë prej tyre ishin antifashiste, që dëshmohet shumanshëm, siç ndodh edhe me Lëvizjen Kryeziu, ato angazhoheshin për shtetin shqiptar etnik dhe sistemin demokratik. Mbështetur në këto qëndrime ata nuk mund të pajtoheshin me ripushtimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga ana e Jugosllavisë dhe të pushtimit të Çamërisë nga ana e Greqisë.

Mirëpo, shpifjet se shumë nga këto lëvizje, ndër to edhe Lëvizja e vëllezërve Kryeziu, bashkëpunuan me pushtuesit italianë dhe gjermanë janë të paqëndrueshme. Arsyetimi kryesor që Gani bej Kryeziu u ndoq nga pushteti i vendosur i Enver Hoxhës dhe nga ai i Josip Broz Titos, që u dënua, ku edhe vdiq, ishte se forcat e tij iu bashkëngjitën, apo të pakën patën lidhje, me gjermanët. Natyrisht, këto ishin insinuata të kulluara politike dhe pa kurrfarë mbështetje.

Kur forcat nacionalçlirimtare nuk arrinin të dëshmonin bashkëpunimin me pushtues, ata fajësuan forcat nacionaliste të vëllezërve Kryeziu se pa “aminimin” e tyre çliruan Gjakovën “çlirimi” i parë i saj, duke harruar se në këtë veprim morën pjesë edhe vetë njësitet e tyre. Ç’është edhe më keq këto forca harronin se vëllezërit Kryeziu ishin të gatshëm të bashkëpunonin dhe bashkëpunuan me forcat e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kosovë, ani pse dihej se ata gjendeshin në anë të ndryshme që nga lëvizjet e vitit 1924. Këta vëllezër, madje, për të luftuar pushtuesit nazifashistë nuk ngurruan të lidheshin edhe me forcat antifashiste jugosllave, natyrisht duke pasë parasysh përherë çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, ky qëndrim pengonte më së shumti këto forca dhe këtu qëndron edhe arsyeja e ndjekjes së vëllezërve Kryeziu menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Qëndrimet jugosllave kundër vëllezërve Kryeziu forcoheshin edhe më shumë kur dihej se pinjollët e kësaj familjeje po edhe shqiptarët e tjerë me këtë mbiemër, ishin pjesëtarë dhe bartës të lëvizjeve dhe të forcave nacionaliste, siç ishte p.sh. Sylejman Kryeziu, pjesëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pastaj dr.Nexhdet Kryeziu, i njohur si armik dhe nacionalist, i lindur në Gjakovë, por mik tepër i ngushtë me Fadil Hoxhën, Ali Kryeziu, në sakrificën e të cilit thirrej edhe vetë Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste të Kosovës etj.

Dëshmi të tjera bashkëpunimi

Në ndjekjen e vëllezërve Kryeziu, s’do mend, ndikoi edhe bashkëpunimi i tyre me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës, veçanërisht me nacionalistë shqiptarë në kuadër të kësaj lëvizjeje, sepse kjo lëvizje, veç tjerash, dëshmonte të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje të shqiptarëve. Në letrën që “Sadriu” ua kishte dërguar Fadil Hoxhës dhe Mehmet Hoxhës më 24. 1. 1943, veç të tjerash, theksohej se Ganiu dëshironte takim me të dy të përmendurit, duke shtuar se ai do të vinte te këta, “por nuk e lejonte shëndeti”. për këtë arsye “Sadriu” njoftonte Fadilin e Mehmetin se Ganiu do t’i priste në Breg të Paçit. Sipas mendimit të “Sadriut” takimi i këtyre tri figurave do të duhej të bëhej sa më parë dhe “para se të merrej vesh”.

Mbështetur në letrën e Zekeria Rexhës, të cilën ia dërgoi shokëve, sigurisht në nëntor të vitit 1943, shihet se Bedri Pejani, pas një takimi me Xhafer Devën, shkoi në Gjakovë me qëllim që të takohej me përfaqësuesit e rrymave .të ndryshme, kundërshtarë, të “gjendjes së soçme”, siç shkruante letërshkruesi. Në nënprefekturë ai u takua dhe bashkëbisedoi me Mehmet Berishën, me Sylejman Kryeziun dhe me të tjerë. Pra, disa nga udhëheqësit dhe bartësit e LNÇ-së në Kosovë “nuk kishin mendim të keq” për asnjërin nga këta vëllezër dhe nacionalistë, që natyrisht kështu nuk mendonin të gjithë, veçanërisht shovinistët serbë, që vepronin në petkun komunist.

Mirëpo, bashkëpunimi i vëllezërve Kryeziu me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës nuk mbeti vetëm në nivel të bisedimeve. Kështu, siç u theksua edhe më lartë, çeta Partizane “Bajram Curri” në bashkëveprim me afër 200 fshatarë të Malësisë dhe forcat e vëllezërve Kryeziu më 10 – 12. IX. 1943 luftoi për çlirimin e Gjakovës. Pas çlirimit të Gjakovës këto forca filluan luftimet kundër forcave të tjera të vogla gjermane. Në këtë kohë luftimet e nacionalistëve kundër pushtuesve ishin pothuajse të përhershme dhe të shpeshta me përmasa të ndryshme. Ndër luftërat e këtyre forcave ishin ato në aksin rrugor Prizren – Gjakovë, por më të dallueshmet ishin lufta e Deçanit dhe e Qafës së Prushit. Udhëheqësit nacionalistë të këtyre luftimeve ishin vëllezërit Kryeziu, Demë Ali Pozhari, Ali Bokshi, Ago Agaj, Salih Hoxha, Sefedin Begolli, Hysen e Sahit Bajraktari, Mehmet Aliu etj. Në këtë mënyrë nuk mbeti e kotë shpallja e Gani bej Kryeziut, ku ftoheshin shqiptarët “në luftë kundër gjermanëve ja sot, ja kurrë”.

Thënë shkurt, në këto rrethana pjesëtarët e Shtabit Kryesor të Ushtrisë Nacionalçlirimtare e të Aradheve Partizane të Kosovës u detyruan të bashkëpunonin ngushtë me forcat e Vëllezërve Kryeziu, madje edhe ti udhëzonin që njësitet e tyre për shumë veprime të armatosura më parë të këshilloheshin me këto forca. Mirëpo, të detyruar nga shtypja e udhëheqësve të kreut të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, që nga gushti i vitit 1944 këto forca u gjunjëzuan vëllezërit dhe Lëvizjen Kryeziun i shpallën kundërshtarë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe si të tillë i trajtuan në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa pamëshirshëm u ndoqën dhè trajtuan deri në ditët e sotshme”.

Lini një Përgjigje

Prokuroria Speciale konfirmon ndalimin e një serbi të dyshuar për krime lufte

Prapa Shefqet Krasniqit e Ikballe Hudutit qëndrojnë miliona dollarë