Pas dështimit të sotëm për arritjen e një marrëveshje për targat në Bruksel, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila kërkon nga Qeveria e Kosovës, që në asnjë rast, të mos sillet në atë mënyrë që Serbia të duket mirë dhe të fajësohet Kosova siç ndodhi sot.
“Kosovës i duhen aleatët e saj, përkrahës historik të popullit të Kosovës. Kush i dëmton raportet me aleatët, rrezikon ta lë vendin tonë pa përkrahje. Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje”, thuhet në reagimin e LDK-së
Lidhja Demokratike e Kosovës, thuhet se po ndjek me shumë kujdes situatën e krijuar pas dështimit të sotëm, në Bruksel, të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.
“LDK-ja vlerëson se stabiliteti dhe siguria janë kushte thelbësore për të arritur progres, si dhe për të ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e saj. Shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës. Suksesin e garanton koordimi me aleatët tanë, ShBA dhe BE”, thuhet në komunikatën e LDK-së.