in

Lajçak: Në NATO diskutuam për dialogun dhe veriun e Kosovës

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditura detaje nga takimi i sotëm me zv/sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Gjeneral Mircea Geoana dhe me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Nëpërmjet rrjetit social ‘Twitter’, ai ka bërë të ditur se në këtë takim kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe dialogun ndërmjet dy vendeve.

“Kisha një takim të dobishëm me zëvendësekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mircea Geoanan dhe US-DAS, Escobarin, sot. Kemi diskutuar për zhvillimet e fundit në dialog, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës, bashkëpunimin BE-SHBA-NATO dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë që po ashtu bashkërisht t’i adresohemi ambasadorëve të NATO-s”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndërkaq, në komunikatën e NATO-s pas këtij takimi thuhet se zv. sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Goana, vuri në pah përpjekjet intensive të bëra nga aleatët e NATO-s dhe Bashkimi Evropian për të zbutur tensionet, veçanërisht në veri të Kosovës. Gjithashtu nënvizoi mbështetjen kryesore të ofruar nga misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dhe nga misioni i Sundimit të Ligjit i BE-së (EULEX) në largimin e suksesshëm të barrikadave, që ndihmoi të rivendoset liria e plotë e lëvizjes në mbarë Kosovën.

“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë e personelin për të zbatuar plotësisht në baza ditore mandatin që i buron nga OKB-ja, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit e Prishtinës – si platforma kryesore për të ndërtuar paqe dhe siguri të qëndrueshme për gjithë rajonin – dhe të gjitha përpjekjet që synojnë në avancimin drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatë të NATO-s.

Lini një Përgjigje

Azem Kurtaj u bllokua nga turma serbe para se të shtinte në ajër

Pastruesja “milionere” kishte disa llogari bankare