in

Lajçak javën e ardhshme viziton Kosovën

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojë Kosovën nga 1 deri më 3 mars, ka konfirmuar Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë përmes një komunikate për media.

Pas Kosovës, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri me 4 mars, dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars.

Lajçak planifikon të takohet me udhëheqjen politike të të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren.

Bashkimi Evropian, në reagimet e para pas zgjedhjeve në Kosovë më 14 shkurt, ka bërë thirrje që autoritetet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.

Fituesja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndonëse nuk e ka caktuar si prioritet dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, thotë se ky dialog megjithatë duhet të ketë qasje të re. Në këtë qasje, ndër të tjera kërkohet edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara.

LVV-ja në vazhdimësi e ka cilësuar dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli si jotransparent dhe i ka cilësuar si të dështuara shumicën e 33 marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se dialogu është ‘prioritet i gjashtë apo i shtatë’, gjë e cila nuk është pritur mirë në BE. Zyrtarët e këtij institucioni, që e ndërmjetësojnë dialogun, nuk janë përgjigjur saktësisht në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, nëse BE-ja është e gatshme të ndryshojë qasjen në dialog, por kanë kërkuar angazhim për të përmbyllur marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një pauze 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua në shtatorin e vitit të kaluar.Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Lini një Përgjigje

Rinumërohen 377 vendvotime, aprovohen rreth 49 mijë vota nga diaspora e refuzohen mbi 18 mijë

Në Shkup protestohet kundër vendimit për "Monstrën"