in

Kush ishin denoncuesit e këtyre atdhetarëve

  

Shkruan avokati Zanfir Kryeziu

     Prokurori publik i RFPJ Milutin Gjukiq me aktakuzën P.nr.831/46 dt.21.05.1946 akuzon:

  • Sylejman Lleshin, nga i ati Muharem dhe Nënës Fatlije, i lindur në Tiranë, vjeç 31, Drejtor i Gjimnazit në Gjakovë, shqiptar me kombësi, i besimit islam, shtetas i Jugosllavisë, gjendjes                           së mesme ekonomike, kinse i pagjykuar, tani gjendet në burgun hetues,
  • Skender Currin, nga i ati Hysni dhe e ema Zyliha, i lindur në Shkodër-Shqipëri me 15.08.1916, me profesion profesor, i pamartuar, me kombësi shqiptar, i besimit islam, nënshtetas shqiptar, kinse i pagjykuar, gjendja ekonomike e dobët, tani gjendet në burgun hetues
  • Zef Nekajn, nga i ati Nikollë dhe e ëma Mrikë, i ashtuquajtur “Vorf”, i lindur me 1915 në Mirditë, me profesion Mësues në Gjakovë, me kombësi shqiptar, i besimit katolik, nënshtetas shqiptarë, kinse i pagjykuar, i gjendjes ekonomike të panjohur, tani gjendet në burgun hetues
  • Hilmi Dyla, nga i ati Shaqir dhe e ëma Vezire, e lindur Osmanbeg, i lindur në Gjakovë me 1921, ku edhe tani jeton, nxënës i klasës së VII të Gjimnazit, me kombësi shqiptar, i besimit islam, nënshtetas Jugosllav, i pamartuar, me gjendje ekonomike të dobët, kinse i pagjykuar, tani gjendet në burgun hetues.
  • Myrteza Kryeziu, nga i ati Sylejman dhe e ëma Emine, e lindur Polloshka, i lindur në Gjakovë ku edhe tani jeton, vjeç 21, me profesion mësues, i pamartuar, me kombësi shqiptar, i besimit islam, nënshtetas Jugosllavë, kinse i pagjykuar, me gjendje të dobët ekonomike,tani gjendet në burgun hetues

PËR SHKAK SE TË AKUZUARIT:

Si anëtar e pjesëmarrës aktiv i Organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar, i cili veproi gjatë okupacionit  të Jugosllavisë, e bashkë me të tjerët vazhduan punën e tyre rrëmuese edhe pas çlirimit të Kosovës e Metohisë duke formuar në Gjakovë, në fror të 1945 organizatën e fshehtë  komplotiste të ashtuquajtur Komiteti Nacional për Çlirimin e Kosovës. Sulejman Lleshi mes shqiptarëve bënte propagandë për zhvilli- min e urrejtjes nacionale ndaj serbëve  e malazezëve, në mbledhjet në Gjakovë fliste hapur“ se çdo popull duhet të shkojë në vendin e vet e se serbët e malazezët duhet të largohen nga Kosova”.Sylejman Leshi në funksion të kryetarit, Skënder Curri në funksion të udhëheqësit të sektorit për propagandë, Zef Nekaj sektorit për financa, Hilmi Dyla për punë me rrinin, ndërkaq i akuzuari Myrteza Kryeziu ka qenë anëtar i komitetit pa funksion të caktuar.

Tërë kohën e ekzistimit të komitetit nga shkurti e deri në gusht të vitit 1945,kur u zbulue veprimtaria e tyre dhe ata u arrestuan, pandërprerë kanë punuar në:

  • Masovizimin e propagandës së rrejshme për pabarazinë e Shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë në Jugosllavinë e re, me çka te shqiptarët kanë nxitur pakënaqësi dhe urrejtje ndaj rregullimit ekzistues shtetërorë, ashtu që atë urrejtje ta shfrytëzojnë për zhvillimin e veprimtarisë së tyre rrënuese
  • Janë lidhur me bandat balliste në male, kanë tubuar ndihma materiale nga tregtarët të cilat i kanë dërguar në male luftëtarëve kundër pushtetit Jugosllav
  • Kanë ndikuar në popullatën shqiptare që tu ndihmojnë dezertorëve ashtu që nga ta të formohet ushtria, kanë punuar në përgatitjen dhe organizimin e shqiptarëve për kryengritje të armatosur kundër rregullimit shtetëror Jugosllav.

Sa ishte e suksesshme  veprimtaria rrënuese e Komitetit  Ballist të Gjakovës na dëshmojnë faktet se numri i dezertorëve në male është rritur nga dita në ditë, ashtu që ka ardh deri te konfliktet sporadike  në mes shqiptarëve, serbëve dhe malazezve, ku ka pasur edhe viktima në njerëz. Të gjithë të akuzuarit gjatë okupimit fashist kanë qenë pjesëtar të Ballit Kombëtar, i cili ka qenë e ndërlidhur me okupatorin dhe për hesap të tyre ka luftue kundër lëvizjes nacional çlirimtare.

Të akuzuarit Skënder Curri dhe Zef Nekaj poashtu ishin pjesëtar të Ballit gjatë okupimit, ndërkaq Hilmi Dyla dhe Myrteza Kryeziu si nxënës të Gjimnazit të Prishtinës janë anëtarësua në organizatën  e rinisë Balliste në vitin 1943 dhe kanë vazhdua të punojnë edhe pas çlirimit deri në çastin e arrestimit. I ashtuquajturi Komiteti Ballist ka punuar në përhapjen e propagandës në mesin e shqiptarëve me motivacion se shqiptarët si kombësi nuk gëzojnë  të drejta të barabarta me popujtë tjerë, janë të shtypur, përkundër faktit se kjo nuk është e vërtet.

Denoncuesit e Sylejman Lleshit dhe Zef Nekajt ishin: Kapllan Idrizi dhe Ibrahim Zherka,të cilët në dëshmit e tyre dhënë në prokurori dhe para gjykatës deklarojnë se kanë vrejtur që Sylejman Lleshi në mesin e shqiptarëve bënë propagandë për urrejtje ndaj serbve dhe malazezve. Këtë fakt e vërteton edhe dëshmitari i prokurorisë Naim Zajmi i cili para gjykatës deklaron se Sylejman Lleshi në konferenca të mbajtura në Gjakovë ka folur haptazi që çdo popull duhet të shkoj në vendin e vet, duke aluduar që serbet dhe malazezet duhet të dëbohen nga Kosova dhe Metohija.

Denoncuesi i Hilmi Dylës ishte Vehap Shita, i cili para prokurorit të shtetit jugosllav dhe në dëshminë e tij dhënë para gjykatës vërteton që Hilmi Dyla, si një nga udhëheqësit e “Ballit Kombëtar” në Gjimnazin e Prishtinës me 1944, së bashku me tradhtarin dhe agjentin gjerman Luan Gashin, ka dorëzuar rininë antifashiste Komandës Gjermane dhe ka propozuar që ata të internohen. Ashtu që me një rast ka dorëzuar listën prej 47 të rinjve komandës gjermane duke theksuar për ta që janë kundërshtar të okupatorit dhe si të tillë duhet të internohen.

Në bazë të kësaj fletëparaqitje me dt.12.06.1944, ushtria gjermane e ka bllokuar gjimnazin e Prishtinës dhe me atë rast ka zënë dhe internuar 6 të rinjë:Izet Kadrinë nga Gjakova, Prelec Merginaj nga rrethi i Podgurit, Jak Gjoni nga Shkupi, Ali Ahma nga Gjakova, njëfarë Hilmiu nga Prizreni dhe një të ri, emri i të cilit nuk i kujtohet dëshmitarit.

Në bazë të deklaratave të dhëna nga dëshmitarët para gjykatës, pa mëdyshje vërtetohet se të akuzuarit kanë krye vepra penale kundër popullit dhe shtetit, siç theksohet në diapozitiv të aktakuzës, e që bartë tiparet e krimit kundër popullit dhe shtetit të sankcionuar me Nenin 3,pika 1, lidhur me Nenin 2, par.1 të Ligjit për Vepra penale kundër popullit dhe shtetit, e të dënueshme sipas Nenit 4 par.1 të ligjit të theksuar.

Sa i përket veprës penale krim lufte të paraparë me dispoziten e Nenin 3, pika 3 Ligjit për vepra penale kundër popullit dhe shtetit e dënueshme me Nenin 4 të ligjit të theksuar, e cila i vihet në barrë dhe të cilën Hilmi Dyla e ka krye gjatë vitit 1944, gjë që vërtetohet nga dëshmia e dëshmitarit të prokurorisë Vehap Shita, prokurori i propozon gjykatës që të akuzuarin Hilmi Dyla ta shpall fajtor dhe të dënohet me dënim të rënd.

Nga të ekspozuarit, pranimit të fajësisë nga të akuzuarit dhe dëshmisë së dëshmitarëve, konsideroj që aktakuza është e arsyeshme dhe e mbështetur në dispozita ligjore, andaj i propozoj gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen me dënime të merituara.

Lini një Përgjigje

Komanda amerikane themelon bazë ushtarake në Shqipëri

Protesta të dhunshme në Kazakistan, hyjnë rusët …