in

Kurti: Para 22 vjetëve filloi agimi i çlirimit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 24 marsin e vitit 1999, kur nisën bombardimet mbi caqet serbe në Kosovë. Makina e Milosheviqit kishte intensifikuar sulmet, masakrat, përndjekjet e popullatës shqiptare nga vatrat e veta shekullore. Dhe kështu, ndërhyrja e NATO-s, pas gjithë atij kalvari ndaj popullit shqiptar, për 78 ditë bombardime rezultoi me çlirimin e Kosovës. I përkujtojmë me mall e pikëllim, ka shkruar Kurti në Facebook,  ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë…

Postimi i plotë:

Sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb.

Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Milosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 viteve, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës.

Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë.

Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë…

Lini një Përgjigje

Ministri Vitia viziton QKUK-në

Hoxhaj falënderon NATO-n që u vu në shërbim të lirisë së qytetarëve të Kosovës