in

Kur shqiptari kthehet në bashibozuk

Nga Jusuf Buxhovi

Këto ditë, Muzeu i Beogradit, në një ankand në Londër, bleu pikturën e njohur “Bashibozuku”, të piktorit Paja Jovanoviç. Blerja e kësaj pikture në një shumë prej mbi 400 mijë dollarësh dhe sjellja në Beograd, u përcoll me një propagandë denigruese ndaj shqiptarëve, meqë, sipas kësaj pikture, ata identifikohen bashibozukë, të cilët, i shërbyen Perandorisë Osmane për zullum ndaj “rajës” së krishterë dhe të serbëve në “Serbinë e vjetër”, Kosovën e sotme.

Ky veprim, që nuk mund të shihet i shkëputur nga politika aktuale e destabilizimit të Kosovës si dhe paraqitjes së saj si “shtet i rrezikshëm për qytetërimin perëndimor” në ferkim të hapur me Islamin politik,  është në përputhje me konceptin e njohur hegjemonist serb nga shekulli XIX, që krahas gënjeshtrës rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serb në Kosovë, që nuk ka ekzistuar dhe krahas gënjeshtrës rreth të ashtuquajturës Kishë Autoqefale serbe nga shekulli XIII, që  po ashtu nuk ka ekzistuar pos një autonomi e përkohshme e Peshkopatës së Rashës (më vonë Zhiqes) nga Peshkopata e Ohrit, çfarëdo tjetër nga kultura dhe jeta shpirtërore, shoqërore dhe politike e shqiptarëve nga Mesjeta e këndej, të paraqitet jashtë kontekstit historik,  pra si e shkapërderdhur nëpër etni të tjera (siç pretendon historiani Shmitt), ndonëse ajo  është e ndërlidhur me tri nga mbretëritë më të fuqishme të  antikitetit (Dardania, Maqedonia dhe Epiri),  që edhe pas pushtimeve romake,  nën emërtimin provincë e “Ilirikut” shfaqet me  identitet  etnik-adminstrativ. Ndërsa gjatë Bizantit, këtij komponenti do t’i shtohet edhe ai i identitetit shpirtëror (me Krishterimin nga zyrtarizimi i tij në shekullin IV nga perandori Konstandini i Madh).

Edhe pse këto fakte, pak a shumë pranohen nga historiografia botërore, megjithatë, historiografia hegjemoniste serbe, e mbështetur mbi projektin e njohur të “Naçertanjës” së Garashaninit të viti 1844, me anën e falsifikimeve dhe të shëndërrimit të miteve në histori (siç është ai i Kosovës e të ngjashme), ka vepruar në mënyrë aktive, duke u përqendruar që të ndëpresë çfarëdo lidhjeje të shqiptarëve nga Antikiteti (mbretëria e Dardanisë, ajo e Maqedonisë dhe e Epirit) me Mesjetën e mesme dhe atë të vonshme.

Natyrisht se këtu ka funksionuar binomi i dy formulave mashtruese: asaj të shtetit mesjetar serb dhe të autoqefalisë së Kishës Ortodokse serbe nga vitit 1217. Falsifikimi i parë mbështetet  te despotati i  Rashës dhe Nemanjajt, ndonëse nga burimet meritore bizantine bëhet fjalë për një despotat si shumë të tjerë gjatë rrethanave të Bizantit, i ngritur fillimisht nga Vatikani për qëllime që të krijohej një baraspeshë  me Krishterimin ortodoks në pjesën qendrore të Ilirikut pas ndarjes së tyre në vitin 1054 dhe më vonë dhe,  gjatë kohës së zhupanit të madh Stefan Dushani, i përkrahur nga Bizanti për të mos lejuar forcimin  e katolicizmit në Ilirik.

Në të gjitha dokumentet meritore të kohës (ato të perandorëve Porfirogeni dhe Kantakuzeni, të kronistëve të njohur Pahemije, Kristobulus dhe të tjerë), kemi despotatin ose zhupaninë e Rashës si Rascia, Rasie e të ngjashme, po askund Mbretëri Serbe. Termi “mbretëri serbe” si titull kishtar, shfaqet vetëm në zhititë (jetëshkrimet) e  Hilandarit dhe të klerikëve të tjerë ortodoksë, të falsifikuara në shekullin XIX nga shkolla sllaviste e Vjenës e drejtuar nga Shafariku e deri te Jastrebovi rus, për ç’gjë dëshmon më së miri historiani serb i shekullit XIX I. Ruravac, e që vula më bindëse e këtij falsifikimi ordiner shfaqet te vepra e K. Novakoviçit “Zakonik Stefana Dushana, cara srbskog” (Kodi i Stefan Dushanit, perandorit serb) të  botuar në viti 1908 dhe shumë herë të ribotuar, me ç’rast, në  hyrje, në faqen 4, Novakoviç thotë se “Kanuni i Dushanit, që e sjell, nuk është i mirëfillti, nga shekulli XIV, po nga një arrnim kujtimesh nga një prift ortodoks serb nga Prizreni si dhe nga disa mësues të Bogoslovisë së Prizrenit”. Ky falsifikim me 16 versione të tjera të “Zakonikut” të Dushanit, mbi të cilin ndërtohet e gjithë godina e të ashtuquajturit shetet mesjetar serb, në shumë universitete meritore botërore (SHBA, Britani të Madhe dhe gjetiu) është vlerësuar si jokredibël.

Ngjashëm ndodh edhe me mashtrimin rreth të ashtuquajturës autoqefali të Kishës Ortodokse serbe nga viti 1217, që po ashtu, nga burime kredibël historike nga vetë Patriarkana e Konstatinopojës, është përgënjeshtruar me faktin se kjo autoqefali ka ndodhur tetë shekuj më vonë, në vitin 1923 pasi ndërkombëtarisht të jetë formuar Mbretëria Serbo-Kroate dhe Sllovene.

Përkundër këtyre fakteve që mund t’u shtohen sa e sa të tjerë nga institucionet kryesore akademike serbe (Akademia Serbe e Arteve dhe e Shkencave dhe Kisha Ortodokse Serbe, Muzeu i Beogradit e të tjera), që vazhdojnë të përhapen nëpër botë  mbi këtë diskurs, akademitë në Tiranë dhe Prishtinë si dhe  ato institucionale  të shtetit shqiptar dhe të atij të Kosovës (Institutet e Historisë dhe të Albanologjisë) jo vetëm nuk reagojnë, po gjithnjë mbllaçisin këto gënjeshtra.

Ndërkohë, Serbia dhe mekanizmat e saj kulturorë dhe akademikë, siç ndodhi këto ditë në Londër, me rastin e blerjes së pikturës së njohur të Paja Jovanoviçit, vazhdojnë propagandën e njohur të përvetësimit të Krishterimit ortodoks të Kosovës. Me dokumentin e Ahtisarit, objektet e krishterimit ortodoks iu dhuruan Kishës Orotodokse Serbe e me këtë, Serbisë  jo vetëm që i njihen “tapitë shpirtërore dhe ato historike” në Kosovë, me të cilat ajo në raportet politike dhe diplomatike ndërkombëtare  “konfirmon” pretendimet hegjemoniste, por njëherësh ajo vazhdon që ato t’i bartë edhe në planin aktual  politik të njollosjes së shqiptarëve në përputhje me shpifjet dhe fyerjet e Vladan Gjorgjeviçit, Cvijiçit dhe të tjerëve, si “mbetje fanatike otomane” dhe  “zullumqarë të rrezikshëm për qytetërimin perëndimor”.

Kjo anatemë, u përdor edhe në Londër, po edhe në Beograd me rastin e blerjes së pikturës së Paja Jovanoviçit “Pushimi i Bashibozukut”. Në prononcimin e Muzeut të Beogradit rreth kësaj pikture, për bashibozukët thuhet se ishin mercenarë kryesisht nga radhët e  shqiptarëve e  të kurdëve, të  paguar mirë për të ushtruar  terror ndaj popullsisë së krishterë, “rajës”, veçmas ndaj asaj serbe në “Serbinë e vjetër”.

Ky veprim i Beogradit dhe të ngjashmit, ndonëse nuk mund të ndryshojnë ato që me Pakon e Ahtisarit, në saje të sjelljes së papërgjegjshme të klasës politike dhe të një grupi historianësh, arkeologësh dhe kulturologësh që mori pjesë në këto bisedime iu dhanë Serbisë nga trashëgimia e saj  shumëshekullore kulturore dhe historike, megjithatë duhet ta vetëdijësojnë atë që në marrëveshjet e ardhshme politike, ku bie edhe statusi i Kishës Ortodokse në Kosovë, me protokollet e decentralizimit të viteve 2013-2016, tashme me trajtimin e ekstraterritorialitetit, të aprovojë ligjin për bashkësitë fetare, me ç’rast, Kisha Ortodokse serbe do të trajtohet si bashkësitë tjera fetare, ndërsa objektet e kultit, që ajo tashmë i ka përvetësuar, me një marrëveshje me ndërkombëtarët, të bëjë çmos të fitojnë trajtimin e “pasurisë së hapur kulturore ”  për të gjithë qytetarët, siç ndodh me të ngjashmet kudo në Europë, të hapura për dhe jo të mbesin peng i klerikëve serbë në sherbim të politikave hegjemoniste dhe luftënxitëse, apo të shndërrimit të tyre në depo municioni, siç ndodhi me Manastirin e Banjës para pak kohësh.

Kosova, pra, sot më shumë se kurrë, ka për detyrë që të neutralizojë sa më shumë që të jetë e mundur, fuqinë e Kishës Ortodokse serbe në Kosovës, në mënyrë që ajo të mos shfrytëzohet për qëllime politike, siç ka ndodhë dje dhe po ndodh edhe sot.

Lini një Përgjigje

Shtohen masat e sigurisë para ndeshjes së futbollit Kosovë – Izrael

Shqiptari i Ferizajit: xhamia është për me i varfëru shqiptarët!