Dy vjet radhazi u kam pri fushatave mediale te presidentitRugova gjatë zgjedhjeve. Ishte koha kur i dilnin në prit, ia kurdisnin ndonjë kamionë të rëndë që barte beton (të ura e Prishtinës), provokonin ndeshje të rënda trafiku, ku fatbardhësisht nuk pati të vdekur .
Gati një muaji kam udhëtuar me xhipin presidencial, herë para, herë pas presidentit. Ndryshe bëheshin fushatat atëherë. Kur niseshim në terren, niseshim si në luftë, shqiptarët e përcjelljes presidenciale me automatik të shkurtër “uzi” izraelit, ndërsa njësitë speciale anti terror të policisë amerikane e gjermane në pancirë e pushkë speciale.
Patëm disa eksese. Në Deçan, ku presidenti do ta zbulonte shtatoren e Sali Çekut, një grup paramilitarësh vendës u afruan të provokonin. Njëri prej tyre i ra shqelm xhipit presidencial, kurse Llukmani, truproje, e nxori revolen dhe e dëboi paramilitarin provokues. U afruan pastaj të tjerët, ndërhynë ushtarët e KFOR-it.
Në Klinë po ashtu pati provokime të paramilitarëve vendës a të ardhur. Por provokimi më i rëndë ishte kërcënimi që presidenti të mos shkonte të varri i Adem Jasharit. Kishin kërcënuar se po erdhi Rugova, do ta gjuanin me zolla e armatim të rëndë. Miqtë ndërkombëtarë e këshilluan Rugovën të mos shkonte dhe të mos i nxiste paramilitarët e Drenicës për gjakderdhje. Shtypi e televizionet e tyre kritikonin: pse Rugova nuk vjen të varri i Adem Jasharit?