Shkruan: Dr. Qazim NAMANI
Duke u bazuar në këto burime të kohës dhe gjurmëve të kafkës mund të dyshojmë se skeleti i varrosur dhe gjetur pranë themeleve të Xhamisë së Fatihut, mund të jetë skeleti i Pjetër Bogdanit. Fotot e skeletit janë bërë nga Luan Gashi me 15 korrik 2008, e i cili pohoi se dëmtimet janë dëshmuar vetëm me një skelet të fragmentuar, ndërsa për vendndodhjen e skeletit nuk ka njohuri.
Xhamia e Gurit në qytetin e Prishtinës bënë pjesë në kompleksin e objekteve në Çarshinë e vjetër, ku përveç saj u morën në mbrojtje të shtetit si tërësi me nr.V. E.K. 02-278/67, edhe Xhamia e Jashar Pashës, Ndërtesa e Muzeut të Kosovës, Shatërvani i vjetër dhe Sahat Kulla. Si objekt me histori dhe karakteristika të veçanta që dallohet nga tipologjia e ndërtimit të minares prej gurit, u rendit në listën e monumenteve me prioritet për konservimin e saj. Lokacioni ku është e ndërtuar xhamia konsiderohet që në kohët më të hershme të ketë qenë bërthama e zhvillimit urban të Prishtinës para pushtimit Osman.
Bazuar në burimet e shkruara thuhet se në Prishtinë ekzistonin dy kisha katolike dhe kështjella gjatë shekullin XIV, para depërtimeve të para osmane. Disa studiues janë të mendimit se dy xhamit e ndërtuar në Prishtinë gjatë shekullit XV, u ndërtuan mbi themelet e dy kishave të mëhershme mesjetare.Duke e ditur këtë fakt, dhe të dhënat nga burimet mesjetare dhe të më vonshme të shkruara gjatë shekullit XIX, ku thuhet se Kështjella e Prishtinës ka qenë në mes të Xhamisë së Çarshisë (mendoj se me këtë emër është quajtur Xhamia e Llukaçit e cila ishte ndërtuar në hyrje të Çarshisë së mbuluar) dhe Sahat Kullës, kam përcjell ndërtimet dhe gërmimet e themeleve në këtë kompleks.Në projektin e konservimit të Xhamisë së Gurit, si fazë e parë është paraparë që të bëhen gërmimet arkeologjike për studiuar shtresat historike të lokalitetit. Edhe pse gërmimet arkeologjike janë kryer sipas parashikimeve në projekt, raporti i rezultateve nuk është publikuar. Në vitin 1996 gjatë hapjes së një themeli në anën jug-lindore 20 m largësi nga themelet e xhamisë, u zbuluan disa gurë të mermertë me plastikë gurore dhe kanelyra, që u vlerësuan se i përkasin diku shekulli II-IV të erës sonë.Përveç këtyre gurëve në atë lokalitet u zbuluan dy enë dhe një vegje të periudhës së vonshme të emaluara me argentius gllamë.
Në vitin 2011 ishte paraparë që të fillojnë punët për konservimin dhe restaurimin e xhamisë. Pas fillimit të punëve konservuese në xhaminë e Gurit kam bërë përpjekje që sado pak të jap kontributin tim në këtë fushë. Në rastin e xhamisë duke qene i anashkaluar nga mbledhjet dhe konsultat, nuk kam mundur të ndikoj që të ruhet hajati i xhamisë. Si profesionistë kam sugjeruar që në rastin konkret nuk duhet të prishet hajati i xhamisë sepse është në kundërshtim me çdo normë dhe konventë ndërkombëtare rrënimi i shtresave historike të një monumenti të kulturës. Bazuar në normat ndërkombëtare të konservimit autenticiteti duhet të reflektoj etapat e rëndësishme të ndërtimit dhe shfrytëzimit përgjatë rrjedhës historike të monumentit.Në shumë takime ndërkombëtare u pohua se autenticiteti rrezikohet atëherë kur prishen shtresat historike apo zëvendësimi i elementeve origjinale me elemente moderne. Me Konventë ndërkombëtare, për monumentet e kulturës me kohë janë rregulluar kriteret se kush është kompetent për kujdesen dhe mirëmbajtjen e tyre. Është paraparë rreziku i dëmtimit të vlerave autentike të monumentit prandaj sugjerohet konservimi para restaurimit. Rregullat ndërkombëtare të konservimit parashohin që ndërhyrjet e reja të jenë të dallueshme, për të mos falsifikimin e vlerave monumentale. Në takime ndërkombëtare është kundërshtuar restaurimi stilistik apo i analogjisë dhe është sugjeruar që çdo hap i konservimit të mbështetet në të dhëna historiko-dokumentare për të ruajtur çdo fazë të ndërtimit të monumentit.Bazuar në këto dokumente të rëndësishme që e rregullojnë fushën e trashëgimisë kulturore thuhet se në asnjë monument të kulturës nuk lejohet rrënimi i ndonjë faze historike të ndërtimit të objektit. Çdo fazë e ndërtimit duhet të konservohet dhe të jetë e dallueshme nga fazat tjera historike. Në bazë të burimeve historike hajati i Xhamisë së Gurit në Prishtinë është ndërtuar në kohën e ndërtimit të objektit të sotëm të Muzeut të Kosovës.Këto ndërtime me stil të ndërtimit barok u bënë me donacione të siguruara nga Austrohungaria. Këto donacione na atë kohë vinin falë veprimtarisë së Hasan Prishtinës i cili me donacione nga Austrohungaria ndërtoi edhe disa shkolla për mësim në gjuhën shqipe. Duke i pasur parasysh të dhënat e cekura më lartë konsideroj se në këtë rast kemi të bëjmë me humbjen e vlerave autentike të një faze të rëndësishme historike të këtij monumenti, duke shkelur çdo normë dhe rregullore përruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës.
Xhamia e Madhe (Fatihut)Në vitin 2008 MKRS në bashkëpunim me OJQ “TIKA” nga Turqia arritën marrëveshjen e bashkëpunimit për studimin dhe konservimin e Xhamisë së Fatihut (Sulltan Mehmetit II-Xhamia e madhe) në Prishtinë. Si fazë e parë ishte paraparë që konservimit ti paraprijnë gërmimet arkeologjike për te vërtetuar shtresat historike dhe kulturore. Në vitin 2008 gjatë fazës së parë të gërmimit pranë themeleve të Xhamisë së Fatihut (Xhamia e Madhe), punëtorët hasën në mbetje njerëzore, gjegjësishtnjë skelet. Pas këtij lajmi për të vëzhguar situatën në vend të ngjarjes u angazhua arkeologu i specializuar në fushën e antropologjisë Luan Gashi. Pas studimit të skeletit sipas arkeologut Luan Gashit gjetjet e mbetjeve njerëzore, më saktësisht fragmentet e kafkës, vërtetuan se kafka kishte pasur dëmtime si dëshmi e dhunës fizike postmortore.
Nga burimet historike mësojmë se pas vdekjes së Pjetër Bogdanit më 06. dhjetor 1690 ai u varros në xhaminë “Perandorake” të Muratit I (Xhaminë e Fatihut), të cilën austriakët e kishin shndërruar në kishë dhe ia kishinkushtuar të shenjtit Fransis Ksavierit. Nga ky burim vërejmë se është ngatërruar përshkrimi për Xhaminë e Fatihut (Xhamia e Madhe) me Xhaminë e Sulltan Muratit I (Xhamia e Gurit). Po ashtu nga burimet e shkruara mësojmë se kur trupat osmane dhe Tatar kishin hyrë në Prishtinë, Pjetër Bogdani ishte zhvarros dhe ishte hedhur si ushqim qensh në mes të sheshit të Prishtinës, me ç’rast kufoma ishte dëmtuar rënde nga kafshimet dhe gërvishtjeve të qenve.Duke u bazuar në këto burime të kohës dhe gjurmëve të kafkës mund të dyshojmë se skeleti i varrosur dhe gjetur pranë themeleve të Xhamisë së Fatihut, mund të jetë skeleti i Pjetër Bogdanit. Fotot e skeletit janë bërë nga Luan Gashi me 15 korrik 2008, e i cili pohoi se dëmtimet janë dëshmuar vetëm me një skelet të fragmentuar, ndërsa për vendndodhjen e skeletit nuk ka njohuri.Nga faktet e përshkruara më lartë mendoj se është me interes që vetë MKRS të interesohet për fatin e këtij skeleti, dhe të bëhet studimi i tij për të vërtetuar këtë rast. Shpresojmë se herëve tjera të mos përsëriten raste të tilla gjatë konservimit të monumenteve të kulturës. Bazuar në dokumentet arkivore osmane, kuptojmë se me datën 19 maj 1884, është bërë restaurimi i Xhamisë së Madhe, e cila është ndërtuar nga Fatih Sulltan Mehmeti në Prishtinë.


