Shkruan av. Zanfir Kryeziu
Në kuadër të manifestimit të shënimit muajit të kulturës shqiptare nën patronatin e dy kryeministrave prof.dr.Sali Berisha dhe Gjeneral Agim Çeku, në sesionin shkencor të mbajtur në Prishtinë me dt.23.09.2006, prof.dr.Izber Hoti në kumtesen e tij me titull ”Vëllezërit Kryeziu Gjatë Luftës së Dytë Botërore” theksoj:
Një letër domethënëse
Në Arkivin e Komitetit Krahinor të PKJ-së të Kosovës, tash në Arkivin e Kosovës, në fondin me të njëjtin emër, gjendet një letër pa datë e vend, por që sigurisht është e fundit të vitit 1943. Kjo letër është mjaft domethënëse, prandaj edhe meriton të citohet në fillim të kësaj trajtese:
“2. Fadil Hoxhës, Pozicion,1
I dashuri mik Fadil,
Mora letrën e të faleminderit. Një patrullë prej 30 gjermanëve SS dy herë janë ndesh me shokët e mi dhe janë tërhequr më dëme, kurse ne nuk kemi pasë ndonjë dëm. Një kapter gjerman deshtaz i ka vra dy gra dhe njëra vdiq pas dy ore. Kapteri gjerman i ka dy plagë. për koordinimin tuaj pres dy ditë. Njerëzit janë duke ardhë pa ndërprerë. Tash jemi më se 350 vetë e mos ke kujdes se forca okupatori afër nesh nuk ka.Ty dhe shokëve të fala luftarake.I juaji Gani Kryeziu.”
Po e bëj këtë ngase që nga viti 1945 e deri vonë pjesa më e ndjeshme e trajtimit të Luftës së Dytë Botërore, që atëherë bëhej vetëm me emrin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ishin marrëdhëniet e kësaj lëvizjeje me nacionalistët shqiptarë. Kështu ndodhte me forcat nacionaliste të vëllezërve Kryeziu, forcat e Muharrem Bajraktarit, forcat e Ramë Mujës, si dhe forca të tjera nacionaliste, që nuk ishin të rralla. Orientimi i tyre antifashist dhe marrëdhëniet e tyre me Lëvizjen Nacionalçlirimtare në Kosovë, Shqipëri e Jugosllavi njëanshëm dhe pa kurrfarë arsye mohoheshin, injoroheshin dhe falsifikoheshin. Kjo letër, por edhe të dhënat e tjera të kujtesës historike dhe të dokumenteve arkivale shqiptare e të huaja, si të kësaj periudhe, ashtu edhe pas saj, vërtetojnë katërcipërisht këtë pohim. Megjithatë, te disa historianë dhe studiues të tjerë që merren me të kaluarën, pa kurrfarë mbështetje edhe sot shprehen hezitime rreth kësaj çështjeje.
Mendoj se kjo trajtesë e shkurtë do të ndriçojë shumë çështje diskutabile për rrjedhat politike dhe ushtarake në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe jo vetëm të lëvizjes së vëllezërve Kryeziu, të cilëve edhe u kushtohet.
Në të vërtetë, urrejtja ndaj ndikimit të nacionalistëve shqiptarë nga ana e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kosovë e Jugosllavi, si dhe nga Lëvizja Antifashiste të Shqipërisë, ishte aq e madhe sa kishte marrë edhe përmasat patologjike. Kjo urrejtje kishte filluar që në prag të Luftës së Dytë Botërore, ishte e fuqishme gjatë kësaj lufte dhe mbijetoi edhe pas saj deri në kohën e mbizotërimit të pluralizmit demokratik.
Shkaqet e mospërputhjes
Frika e shprehur në përmasa të urrejtjes të të tri lëvizjeve nacionalçlirimtare kishte arsyet e vela:
E para: lëvizjet nacionaliste, veçanërisht Lëvizja e vëllezërve Kryeziu, kishin karakter properëndimor dhe në këtë mënyrë drejtpërdrejt i kundërviheshin interesave ruse, nën ndikimin e të cilave ishin sllavët e jugut tek me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë;
E dyta: lëvizjet nacionaliste, veçanërisht Lëvizja e vëllezërve Kryeziu, mohonin luftën klasore dhe angazhoheshin për një shoqëri demokratike të tipit kapitalist;
E treta: lëvizjet nacionaliste, si dhe Lëvizja e vëllezërve Kryeziu, ishin kundër synimeve pushtuese të sllave të jugut ose thënë më drejtë ato angazhoheshin për çlirimin e shqiptarëve të pushtuar dhe formimin e Shqipërisë etnike.
Mirëpo, synimet e drejta të forcave nacionaliste shqiptare nuk luftoheshin nga disa shtete evropiane, por përkundrazi përkraheshin dhe ndihmoheshin. Natyrisht ky qëndrim ishte i rrezikshëm për forcat që dëshironin t’i mbanin ende të pushtuar shqiptarët, apo për ato që dëshironin të zgjeroheshin në dëm të territoreve të këtij populli.
Qëndrime që përputheshin me interesat e nacionalistëve shqiptarë kishin Anglia dhe SHBA-në. Ato në një farë mase përkrahnin synimet nacionaliste dhe kjo u pa që në prag të Luftës së Dytë Botërore, kur u vunë lidhjet e drejtpërdrejta apo të tërthorta me këto forca, veçanërisht me forcat e vëllezërve Kryeziu. Që atë kohë armiqtë e shqiptarëve u tmerruan nga këto lidhje dhe kurrë s’mundën të pajtoheshin me këtë realitet. Si pasojë vëllezërit Kryeziu ishin dhe mbetën armiqtë e sllavëve të jugut, pa marrë parasysh ishin apo nuk ishin antifashistë. Mbështetur në këtë të dhënë, si dhe në orientimet klasore të fronteve nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe Shqipërisë komunistët dhe partizanët shqiptarë dhe jugosllavë, si dhe më vonë përkrahësit e tyre grekët e bullgarët, forcat angleze dhe misionet aleate do t’i trajtonin gjithherë me mosbesim, madje ky mosbesim herë-herë do të arrijë edhe shkallën e ndjekjes, mu sikurse ndiqeshin dhe luftoheshin forcat italiane dhe gjermane. Natyrisht, mu si këto misione, madje edhe më keq do të trajtoheshin edhe forcat e vëllezërve Kryeziu.
Shtimi i urrejtjes
Lëvizjet nacionalçlirimtare urrejtjen ndaj misioneve perëndimore do ta rrisnin krahas rritjes së forcave të tyre dhe të atyre të Bashkimit Sovjetik, ndërsa do të zvogëlonin kur ishin të dobët dhe kur kishin nevojë për ndihmën e tyre. Kështu, ani pse Fadil Hoxha konsiderohej dhe ishte njëri ndër përkrahësit më të spikatur të nacionalistëve shqiptarë, veçanërisht të vëllezërve Kryeziu, do t’i vjen keq kur njëjtë flitet si për anglezët ashtu edhe për nacionalistët dhe vëllezërit Kryeziu. Përkrahja e këtillë e nacionalistëve Fadil Hoxhës do t’i hakmerret deri në momentin e fundit të jetës së tij dhe pothuajse gjithherë do të jetë mëkat i tij dhe shkas që forcat kundër tij ta ndjekin dhe zënë ngushtë.
Qëndrimi antifashist i vëllezërve Kryeziu, por edhe kundër synimeve pushtuese sllave, veçanërisht i Gani bej Kryeziut, do të hetohet disa vite para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kështu që edhe armiqtë më të dalluar të tyre këtë të dhënë nuk do të mund ta injorojnë. Ky orientim ishte aq i fuqishëm sa në këtë kohë nuk ngurrohej të flitej që Gani bej Kryeziu të zgjidhej edhe anëtar i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Kosovë. Nga këtu edhe indikacionet për kontaktet e tij madje edhe me Petko Miletiqin, i njohur për demagogjinë e tij të përkrahjes së kërkesave nacionale. Natyrisht, një veprimtar me qëndrime kundër robërimit të shqiptarëve nga ana e sllavëve nuk mund të kishte vendin në këtë komitet.
Pozita në shoqëri dhe autoriteti që gëzonin vëllezërit Kryeziu nuk njihej vetëm nga ana e shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre, por edhe nga fuqitë e mëdha, siç ishte Anglia. për këtë arsye që në fillim të Luftës së Dytë Botërore Gani beu do të bëhej njëri nga miqtë e forcave antifashiste angleze, si dhe pjesëtar i një shërbimi të saj informativ (Organizatës D). Dhe ky ishte “mëkati” i dytë i tij, i cili, sikurse edhe i pari, do ta shoqërojë atë deri në vdekje. Në- këtë mënyrë edhe kjo lidhje e vëllezërve Kryeziu do të jetë halë në sy e pjesëtarëve të lëvizjeve nacionalçlirimtare në Kosovë, Shqipëri dhe Jugosllavi. Këta pjesëtarë do të përdorin të gjitha format dhe mënyrat që të zbehin atë dhe që ta njollosin Lëvizjen Kryeziu. Mirëpo, ata nuk ia arritën dot qëllimit dhe Lëvizja Kryeziu sa vinte dhe shtohej për të marrë përmasa të gjera veçanërisht në vitet 1943 dhe 1944.
Lëvizja Kryeziu, e shquar edhe si një forcë e madhe kundër pushtimit, do të ndiqet edhe nga forcat italiane. Vëllezërit Kryeziu do të zihen dhe do të burgosen e internohen së pari në Serbi e pastaj edhe në Vetenttone. Kjo do të ndërpresë për një kohë veprimtarinë e kësaj lëvizjeje. Mirëpo, edhe në këto rrethana vëllezërit Kryeziu do krijonin lidhje e miq të rinj, që do të ndikojnë në punën e tyre të mëtejshme, d. m. th. pas lirimit nga internimi. Një forcim i tillë ishte mjaft i nevojshëm ngase vëllezërit Kryeziu u pozicionuan për luftë kundër pushtuesve gjermanë.
Në luftë kundër pushtuesve gjermanë dhe forcave çetnike në forcat e Lëvizjes Kryeziu u grumbulluan prej 100 deri në 1 000 shqiptar , varësisht nga nevoja dhe rrjedhat luftarake dhe politike. Në këtë mënyrë kjo lëvizje llogaritej nga forcat aleate, par edhe kundërshtarë të tyre, si njëra nga forcat që gjithsesi duhej marrë parasysh. Kjo e dhënë shtyri forcat e lëvizjeve nacionalçlirimtare që të paraqiteshin kinse bashkëpunonin me ta, ndërsa, në anën tjetër, sa i ishte e mundshme i përdhosnin e jo rrallë edhe luftonin me ta. Qëndrimi ndaj tyre u dëshmua katërçipërisht pas fitores së këtyre lëvizjeve, përkatësisht pas Luftës së Dytë Botërore, kur vëllezërit Kryeziu u ndoqën dhe persekutuan. Për fat në të mirë të tyre u angazhuan forcat aleate, para së gjithash anglezët, ata jo vetëm që u dëbuan nga Kosova, Shqipëria e Jugosllavia, por edhe u burgosën dhe mbytën.
vijon neser