in

Kryezinjtë e Gjakovës u shpallen armiq të popullit nga gjyqi jugosllav

Dënim i butë për krime të rënda, thotë gjenerali famëkeq jugosllav Petar Brajeviq Gjura, njeri nga tre gjyqtarët e trupit gjykues që e dënuan Gani Beg Kryeziut për tradhëti ndaj shtetit Jugosllav.        

 

Shkruan av.Zanfir Kryeziu

“Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, e gjithë familja Kryeziu, pa ekuivokë orientohet për bashkëpunim me okupatorin nazi-fashist dhe separatistët vendor”, thotë gjyqtari i Gjykatës Ushtarake të Komandës së Beogradit Petar Brajeviq- Gjura-gjeneral armate dhe i shpallur nga komunistët hero i popujve të Jugosllavisë. Ai ishte anëtar i trupit gjykues në rastin penal kundër Gani Beg Kryeziut për veprën penale kundër popullit dhe shtetit jugosllav.

Në intervistën e dt.15.05.1986 dhënë të përditshmes “NOVOSTI”- Gjenerali Brajeviq deklaron: “Edhe fëmijët e vegjël të Gjakovës e dinë se kush kanë qenë dhe kush janë tani pjesëtarët e bejlerëve Kryeziu!”.  Gjenerali jugosllav Petar Brajeviq Gjura i njohur në opinionin e Kosovës për masakra ndaj popullit shqiptar në Drenicë dhe gjetiu, në mes tjerash shkruan:Të gjithë Kryezinjtë vihen në ballë të njësiteve balliste të ashtuquajtur “kapuç bardhëve” (belokapci), të cilët kanë terrorizuar me qindra familje serbe, malazeze por edhe shqiptare me orientim pro jugosllav.

“Për krime, më i njohuri në mes tyre padyshim ka qenë Gani Kryeziu i cili e ka mbështetur pa rezervë okupatorin duke bashkëpunuar me ta. Qysh në fund të prillit, pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave, vullnetarët e tij, ua ka marr armët dhe pajisjet tjera partizanëve jugosllav të cilët nuk kanë dashur që ti dorëzohen  italianëve. Pjesën dërmuese të tyre i kanë vrarë me procedurë të shkurtë, ndërkaq pjesën dërmuese i kanë demobilizuar duke u mundësuar dezertimin”.

Ai thotë se duke bashkëpunuar politikisht me gjermanët, Gani bej Kryeziu, në mënyrë sistematike ka shkatërruar unitetin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare në territorin e Metohisë. 

Në fillim të vitit 1944 Gani bej Kryeziu, në marrëveshje me gjermanët dhe fuqitë reaksionare nga Shqipëria ka organizuar të ashtuquajturin Fronti Kombëtar për luftë kundër ushtrisë nacional-çlirimtare të Jugosllavisë. Në të njëjtën kohë Gani bej Kryeziu ka arritur që në rrethana zyrtarisht të pasqaruara të merr komandën e një njësiti të ushtrisë tonë “nacional-çlirimtare dhe sulmon papritmas xeheroren “Zogaj”- dhe me të tërhequr nga luftimet njësitin e tij, (respektivisht njësinë

e UNÇJ) me të cilën komandonte, pa e informuar shtabin tonë operativ për këtë arsye operacioni ka dështuar, duke lënë të vdekur më se 30 luftëtar tonë.

Pavle Joviqeviq dhe Mita Miljkoviq në kujtimet e tyre shkruajnë: Lajmi mbi hyrjen e trupave italiane në Shqipëri u përcoll ndër shqiptarët e Kosovës me një shpejtësi rrëfeje. Paria shqiptare nga ca fshatra mbërriti në qytete të Kosovës dhe Metohisë, ku janë edhe tash. Në Gjakovë, shtëpia e bejlerëve Kryezi ishte shndëruar në çerdhe të nacionalizmit dhe iridentizmit shqiptar ku u themelua edhe NDSH-ja. Aty defiluan më shumë se 200 pari shqiptarësh nga e tërë Metohija të cilët nga Hasan begu -vllai i Gani begut, kanë kërkuar që nga prefekti dhe komandanti i vendit të nxjerr  armë dhe municion për të luftuar përkrah vëllezërve në Shqipëri kundër pushtuesit italian.

Poashtu thuhet se në Pejë gjendja është e njëjtë sikurse në Gjakovë. Në rrugën kryesore të Pejës janë vendosur dy altoparlantë, para të cilave në masë mblidhen shqiptarët dhe gjatë tërë ditës dëgjojnë lajme. Në shtëpinë e vëllëzërve Mahmutbegollaj (Qerimit, Xhevatit dhe Rifatit), gjithë ditën vijnë paria e shqiptarëve për informacione dhe këshilla se çfarë duhet të ndërmarrë në këtë situatë.                                                                                                                                  

 Kjo ka qenë më se e mjaftueshme që Gani bej Kryeziu, menjëherë pas lufte të arrestohet dhe të akuzohet për tradhti ndaj popujve dhe shtetit jugosllav dhe të gjykohet para Gjykatës Ushtarake të Komandës së Qytetit të Beogradit si armik i popullit. Gani Kryeziu, për krimet e kryera kundër popujve të Jugosllavisë e në veçanti kundër ushtrisë nacionalçlirimtare, me aktgjykimin nr.188/45 dt.27.10.1945 është shpallur fajtor dhe dënuar me burgim në kohëzgjatje prej pesë viteve, me humbjen e të gjitha drejtave politike dhe civile në kohë- zgjatje prej pesë vitesh dhe me konfiskimin e tërësishme të pasurisë personale dhe familjare përveç pasurisë nga neni 6, pika 1 e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë (që ka të bëjë me sendet më elementare për jetës të dënuarit).

Ai ka merituar të dënohet me vdekje, ishte kategorik gjenerali Petar Brajeviq, anëtar i Këshillit të Federatës Jugosllave, dhe njëri nga tre gjyqtarët e trupit gjykues,që e kanë gjykuar rastin e tij për krime lufte. Mirëpo, vazhdon gjenerali, papritmas, në zyrën time vjen Aleksandër Rankoviqi, me rekomandim të TITOS për t’u interesuar për vendimin e trupit gjykues ndaj Gani Begut. Unë i tregova se trupi gjykues në mënyrë unanime kishte vendosur që i njëjti të shpallët fajtor për krimet e kryera ndaj popujve dhe shtetit Jugosllav dhe të dënohet me dënim kapital me vdekje. Atëherë Rankoviqi më tregoj se kryetari TITO ishte nën presion të vazhdueshëm nga aleatët anglo-amerikan e posaçërisht  nga kryeministri i Britanisë së Madhe Uinston Çërçill që ti kursehet jeta Gani Begut për kontributin e tij dhënë aleatëve anglo-amerikan në luftë kundër nazi-fashizmit . 

Pas instalimit të sistemit komunist jugosllav dhe kur Kosova humb çdo identitet kombëtar, vëllezërit e Gani,Hasan dhe Said Kryeziu,me dt.18.01.1946 me aktgjykim të Gjykatës Popullore të Rrethit të Gjakovës shpallën armiq të popullit dhe kriminel lufte dhe familjes Kryeziu u konfiskohet e tërë pasuria familjare dhe personale.

Para kësaj, Hasan Kryeziu dhe avokati Xhevat Kryeziu, si pjesëtar të “Lëvizjes Kryeziu” masakrohet së bashku me 23 luftëtar të tyre në fshatin Hereq të Gjakovës, ndërsa Said Kryeziu, për t’iu shmangur drejtësisë së “popullit”, me ndihmën e aleatëve Anglo-amerikan arrin të arratiset nga Shqipëria, që atë kohë ishte aleate e fortë e Jugosllavisë dhe të vendoset së pari, në Itali ku punon si analist politik në Radion”Zëri Amerikës”.

Pas shkëputjes së Jugosllavisë nga tabori komunist të prirë nga Rusia Staliniste, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e afrojnë Jugosllavinë afër veti, Said Kryeziu largohet nga Italia dhe së bashku me Mid-hat bej Frashërin,Abaz Kupin, Zef Palin dhe Nuçi Koten në Paris me dt.26.08.1949 shpallin formimin e Komitetit Kombëtar ”Shqipëria e Lirë” i cili pranohet si qeveri në ekzil nga aleatet Anglo-Amerikan.Pas vdekjes së dyshimtë të Mid’hat Frashërit, Said Kryeziu vazhdon aktivitetin antijugosllav dhe antikomunist duke qenë në ballë të organizatave nacionaliste pan shqiptare.

   

Lini një Përgjigje

“CIA” në Elbasan?

Shfaqja e flamurit kombëtar me yll në ‘Sunny Hill’ nxit reagime të ashpra