in

Kryeministri Kurti bën homazhe te varret e presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit qeveritar bëri sot homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

Kryeministri Kurti tha se pas homazheve në Prekaz dhe Gllogjan, bëjnë homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, presidentit të parë të Kosovës, njëkohësisht edhe presidentit të parë të Kosovës së çliruar.

“Kujtojmë rolin dhe kontributin e tij përgjatë gjithë viteve të ’90-ta për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës që ishte tejet i vlefshëm për ndërhyrjen e madhe të aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit kundër Serbisë së Millosheviçit”, deklaroi ai.

Më tej kryeministri Kurti tha se bashkë më zëvendëskryeministrat, ministrat, në këtë mënyrë përkujtojnë se prej nga vijnë, respektojnë kontributin e të gjithëve dhe të sigurt ecin përpara për atë çfarë i kanë votuar qytetarët më 14 shkurt dhe kanë legjitimuar mbështetjen më 22 mars në Kuvend të Republikës.

Prej aty, Kryeministri Kurti bëri homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, duke thënë se 24 marsin sivjet si Qeveri e re e Republikës së Kosovës e filluan te njëri Adem, te Adem Jashari, e po e përfundojnë te një Adem tjetër, që në një mënyrë është edhe i njëjti, Adem Demaçi.

“Simboli i rezistencës tonë, veprimtari më i shquar i çështjes kombëtare dhe i paepur, i cili e kishte një jetë të tërë vepër për interesin tonë të përgjithshëm dhe që pavarësisht burgosjeve të gjata që së bashku bëjnë 28 vjet, nuk u ndal, nuk u lodh, e nuk u thye asnjëherë. Kujtimi për të është i përjetshëm dhe padyshim që kontributi i bacës Adem do të mësohet e do të kultivohet ndër brezat e veprimtarëve përgjatë gjithë këtij shekulli të ri”, tha kryeministri Kurti.

Lini një Përgjigje

Reagim i IKSHPK-së pas shtimit të rasteve me COVID-19

Kurti në Prekaz dhe në Gllogjan: Gjaku dhe emri i tyre nuk humbin dhe nuk harrohen kurrë