Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nëpërmes një postimi në Facebook, ka thënë se miratimi i Projektligjit të buxhetit për vitin 2021, i cili u bë sot në Kuvendin e Kosovës, siguron stabilitet për funksionimin e institucioneve, financim në shëndetësi, si dhe blerjen e vaksinave anti-Covid në vlerë prej 40 milionë eurosh.
Postimi i plotë i Hotit:
Miratohet buxheti për vitin 2021, i cili siguron stabilitet për funksionimin e institucioneve, financim të duhur për shëndetësi për luftimin e pandemisë, përfshirë blerjen e vaksinave anti-Covid me 40 milionë euro.Buxheti siguron financim të rregullt të arsimit, drejtësisë, sigurisë dhe mbrojtjes, kulturës, rinisë dhe sportit, financimin e rregullt të skemave sociale dhe pensionale, financimin e projekteve kapitale, financimin e rregullt të buxhetit të komunave.Buxheti siguron zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes për 2021, si dhe kontribuon në kultivimin e partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me partnerët tjerë zhvillimor të Kosovës që ka munguar në vitet e fundit.


