in

Kroacia shpall “të padëshirueshëm” tre politikanë të Malit të Zi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar të enjten se ka shpallur “persona të padëshirueshëm” kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, deputetin Millan Knezheviq dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiq.

Sipas njoftimit të Ministrisë, tre politikanët malazias kanë bërë veprime sistematike për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes Kroacisë dhe Malit të Zi, si dhe abuzim të vazhdueshëm të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të injorojë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, veprimet nga zyrtarët politikë të përmendur dhe sjellja e tyre nuk mund të konsiderohet dashamirëse dhe fqinjësore në raport me Republikën e Kroacisë dhe as në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një nga elementët kryesorë të procesit të zgjerimit, si dhe të procesit të stabilizimit dhe asocimit, sipas Ministrisë së Jashtme kroate, dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit në procesin e pranimit të Malit të Zi, në përputhje me kornizën negociuese të Bashkimit Evropian.

“Kroacia mbështet Malin e Zi evropian, mbështet procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe avokoi për përparim në rrugën evropiane të Malit të Zi. Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe se do t’i përqendrojë përpjekjet ij në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit”, vijon komunikata e tyre.

Mandiq dhe Knezheviq udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërkaq Beçiq është udhëheqës i demokratëve.

Më herët gjatë kësaj jave, Fronti Demokratik u bë pjesë e Qeverisë të Malit të Zi, që udhëhiqet nga kryeministri Millojko Spajiq.

Hyrja në ekzekutiv e Frontit Demokratik dhe të Partisë së Boshnjakëve nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë u prit me shqetësim, duke thënë se në qeverinë malaziase kanë hyrë parti që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Politika e Frontit Demokratik është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është kandidati më serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Mirë se vjen në Kosovë, Bebe Rexha!

Serbia ndez turbo litiumin