Oreksi politik për sanksione të BE-së ndaj Serbisë po rritet, edhe pse Beogradi përpiqet të lajë duart nga një sulm dramatik në Kosovë.
“Ky operacion tregon një ngritje serioze ushtarake dhe përbën një përshkallëzim të madh”, u tha eurodeputetëve në Strasburg të martën (3 tetor) komisioneri i BE i ngarkuar për menaxhimin e krizave, slloveni Janez Lenarçiç, raporton “EuObserver”.
Ai foli pasi një grup prej 30 serbëve të armatosur qëlluan për vdekje një polic kosovar më 24 shtator pranë fshatit Banjskë në veri të Kosovës.
Një përleshje me armë në një manastir ortodoks serb më vonë bëri që Policia e Kosovës të vriste tre nga sulmuesit serbë.
Kosova gjithashtu kapi kamionë me armë dhe eksplozivë në atë që dukej si përgatitje për një ofensivë më të madhe.
Nga ana e saj, Serbia arrestoi të martën një politikan serb të Kosovës të quajtur Milan Radoiçiq nga partia Lista Serbe, i cili pranoi se kishte marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
Dhe Beogradi po i përshkruan ngjarjet si një operacion i egër i kontrabandës së armëve.
Komisioni i BE-së dhe shërbimi i jashtëm po presin derisa të dalin prova se kush e urdhëroi sulmin në një hetim të policisë së Kosovës, i cili po ndihmohet nga EULEX-i.
Por politikanët kosovarë pretendojnë se pas kësaj qëndron presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
“Derisa ne po angazhoheshim në Bruksel në atë që quhet një dialog normalizimi, Serbia po përgatitej për një pushtim të vendit tonë”, tha të martën ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Sipas burimeve diplomatike, Kroacia i është bashkuar publikisht një blloku prej rreth tetë vendeve të BE-së që në heshtje po bënin thirrje për sanksione të BE-së kundër Beogradit.
Dhe Lenarçiç dënoi sjelljen e Serbisë rreth asaj që BE-ja po e quan një “sulm terrorist”, pavarësisht nëse Vuçiqi ishte prapa sulmit.
“Retorika nga Beogradi në lidhje me 24 shtatorin është shumë shqetësuese, siç ishte edhe mënyra në të cilën u kremtua dita e zisë”, tha Lenarçiç.