in

‘Mosbesim i madh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve’

 Shqiptarët e shohin SHBA-në aleaten më të rëndësishme, pasuar nga Gjermania dhe Shqipëria.  – Richard Grenellin 33 për qind e kanë vlerësuar deri diku të mirë, 26 për qind të mirë dhe 27 për qind jo të mirë. – Në Serbi, aleatet kryesore llogariten Rusia, Kina dhe Greqia, ndërsa serbët e shohin Kroacinë si armikun më të madh, pasuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja.

Shkumbin Ahmetxhekaj

Shumë serbë dhe një përqindje e konsiderueshme e shqiptarëve të Kosovës nuk e kanë shumë të qartë se cili është objektivi i shteteve të tyre respektive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, tregon një hulumtim i kryer në Kosovë dhe Serbi, nga Qendrat për Studime të Sigurisë.

Sipas anketimeve, 31 për qind e shqiptarëve dhe mbi 50 për qind e serbëve të anketuar kanë deklaruar se nuk e dinë se çfarë janë synimet në dialogun i cili po ndërmjetësohet nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Rezultatet e hulumtimit u prezantuan në një konferencë virtuale të organizuar nga Instituti për Politikë të Jashtme i Universitetit John Hopkins, me seli në Baltimore, të shtetit federal Meriland në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është pasqyrë e asaj si njerëzit e shohin dialogun, pasi në këtë formë iu është prezantuar nga qeveritë e tyre, e që shumica janë të mbyllura në këtë proces”, vlerësoi në analizën e tij, Nikola Burazer, drejtor i programit në Qendrën për Politikë Bashkëkohore, me seli në Beograd.

Sipas të dhënave të publikuara, mbi 48 për qind e serbëve e shohin si zgjidhje të vetme kthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, duke ia ofruar një autonomi të gjerë, ndërkaq mbi 76 për qind e shqiptarëve të Kosovës presin që zgjidhja finale të jetë njohja e ndërsjellë.

Në të dyja vendet, qytetarët e mbështesin vazhdimin e dialogut, por shumica prej tyre e konsiderojnë atë jotransparent.

Po ashtu, shumica dërmuese e të anketuarve janë shprehur kundër idesë për shkëmbim territorial. Në Kosovë vetëm 6 për qind e mbështesin këtë ide, ndërkaq në Serbi vetëm 4.2 për qind.

Ndërkaq, 9 për qind e shqiptarëve e mbështesin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

‘Mosbesim i madh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve’

Mbi 72 për qind e të anketuarve në Serbi, nuk besojnë se do të arrihet marrëveshje e paqes ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ndërkaq, 49 për qind e të anketuarve në Kosovë, besojnë se kjo është e mundshme.

Edward Joseph nga Universiteti John Hopkins, e vlerësoi shqetësues faktin se 20 vjet pas përfundimit të luftës, shqiptarët dhe serbët kanë ende këtë shkallë mosbesimi ndërmjet tyre.

“Nëse e shohim që një përqindje kaq e lartë e njerëzve janë kategorikisht kundër mundësisë që fëmijët e tyre të edukohen nga mësues të kombësisë serbe ose shqiptare, është shumë shqetësuese”, tha Joseph.

“Duhet të marrim si shembull pozitiv atë çfarë arritën Maqedonia e Veriut dhe Greqia”, shtoi ai.

Joseph iu referua të dhënave të hulumtim, ku mbi 80 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe Serbi janë kundër mundësisë që fëmijët e tyre të edukohen nga mësues që nuk i përkasin kombësisë së tyre.

Po ashtu, shumica dërmuese janë kundër martesave të përziera.

Kush janë “miqtë dhe armiqtë” e Kosovës dhe Serbisë?

Shqiptarët e shohin SHBA-në si aleaten më të rëndësishme, pasuar nga Gjermania dhe Shqipëria. Madje, në këtë sondazh, shumica e të anketuarve konsiderojë se ndihma kryesore për luftimin e pandemisë së koronavirusit, ka ardhur nga SHBA-ja. Ky rezultat ka befasuar Edward Joseph, nga Universiteti John Hopkins.

“Duhet ta them se është ironike se si shqiptarët e shohin SHBA-në si kontribuuesen më të madhe në kohën e pandemisë, kur SHBA-ja në njëfarë mënyrë kontribuoi në ndërrimin e qeverisë në kohë pandemie”, tha ai.

Ndërkohë, në këtë hulumtim shqiptarët janë pyetur se si e vlerësojnë rolin e përfaqësuesit special të presidentit amerikan në dialog, Richard Grenell. Nga të anketuarit, 33 për qind e kanë vlerësuar deri diku të mirë, 26 për qind të mirë dhe 27 për qind jo të mirë.

Në Serbi, aleatet kryesore llogariten Rusia, Kina dhe Greqia, ku Kina konsiderohet si kontribuuesja më e madhe në Serbi për menaxhimin e krizës me COVID-19.

Serbët e shohin Kroacinë si armikun më të madh, pasuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja.

“Fakti që SHBA-ja nuk është në krye të listës së armiqve të perceptuar, ka të bëjë me faktin se shumë veta në Serbi e kanë parë administratën (e presidentit Donald) Trump si me të butë në raport me Serbinë dhe çështjen e Kosovës. Nëse bëhet tash një sondazh i ri me këtë pyetje, pas fitores së Joe Biden, besoj se rezultati nuk do të jetë i njëjtë”, tha Vuk Vukasnoviq, hulumtues i raportit nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.

Në Kosovë ndërkaq, shtetet më armiqësore konsiderohen Rusia dhe Kina.

Anëtarësimi në BE

Shumica e serbëve (51 për qind e të anketuarve) mendojnë se Serbia nuk do të anëtarësohet kurrë në BE, ndryshe nga shqiptarët që besojnë se do të jenë pjesë e këtij institucioni.

Serbët e anketuar po ashtu në masë të madhe janë në favor të fuqizimit të raporteve me Rusinë dhe Kinën, e vetëm një çerek i tyre favorizojnë raporte më të ngushta me BE-në.

Anketimet në Serbi dhe Kosovë janë bërë në fillim të tetorit./rel/

Lini një Përgjigje

Pinjollët e familjes Kryeziu në rrethanat e ndryshme historike

Jozefina Topalli: Sali Berisha ia dhuroi PD-në Lulzim Bashës