in

Kosova e pavarur – hap i parë për bashkimin e trojeve etnike

Në foto: Mbreti Leka – Gani Mehmetaj.

 Intervistë me mbretin Leka Zogu, zhvilluar para 20 vjetësh në rezidencën e tij në Tiranë, botuar në “Bota sot” dhe në librin “Për shtetin e Dardanisë”.

 

Bisedës i priu: Gani Mehmetaj

Foto: Fahredin Spahija

 

 

   Mund të bëhet një konfederatë shqiptare, mund të bëhet një federatë, ose mund të bëhet një bashkim me dëshirën e popullit shqiptarë në këto troje. Nuk është në dorën time me e caktua dhe nuk do të dëshirojsha me e caktua, sepse edhe po të kisha fuqinë me e imponu, nuk do të dëshiroja. Sepse, ajo duhet të vijë nga dashuria e popullit me u bashkua. Unë shoh se këto janë mjetet që mund të bëhen. Mund të aplikojmë edhe modelin e kantoneve zvicerane, por unë këtë e shoh më të zorshme se Zvicra ka një traditë të gjatë, kurse neve tashi kemi fillu me demokracinë e pavarur, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni. Atëherë, këto janë ato pikat që i shoh si më të realizueshmet.

Për ta intervistuar Naltmadhninë e tij Leka Zogu, mbretin e shqiptarëve, shkuam enkas në Tiranë. Pritja që na e bëri shpura e tij dhe vetë Nalmadhnia ishte emocionuese. Në një dhomë të stilit modern, po me relikte të vjetra, na priste mbreti, ndërsa përballë e kishim edhe mbretëreshën. Shumë suvenire-koleksione të armëve të ndryshme, për të cilat kishim dëgjuar se i kishte, nuk shiheshin. Na treguan se ende mbaheshin peng i qeverisë shqiptare, më shumë pasojë e paragjykimeve të vjetra, të trashëguara nga regjimi i kaluar. Para se të fillojmë intervistën, në emër të redaksisë “Bota sot”, ia dorëzuam një dhuratë modeste: “Hyjnesha në fron”, të gjetur 3500 vjet para Krishtit në rrethinën e Prishtinës, që është bërë tashmë simbol i kryeqytetit të Kosovës. Ishte fjala për kopjen e kësaj shtatoreje, të punuar enkas në allçi për Naltmadhninë e tij.

Naltmadhni, si e ndjet veten kur u kthyet përfundimisht në Shqipëri?

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: –Kam pasur emocione shumë të forta, për arsye se pas kaq vjetësh në mërgim, u ktheva në vendin tim dhe u vendosa, shpresoj, përgjithmonë këtu. Kjo më ka dhënë disa gjëra që nuk mund të shpjegohen, po të ndjehen, edhe vetëkuptohet se edhe unë kam një kontribut që duhet t’i jap kombit shqiptar. Por kjo duhet bërë me kohë, dalëngadalë.

Po pritja që iu bë në aeroport çfarë ishte? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Pritja ishte shumë e mirë. Kuvendi shqiptar ka qenë në favor timin. Në pritjen protokolare ishte edhe zonja Kryemadhi. Ishte një turmë mjaftë e madhe e na ka pritë në mënyrë shqiptare.

 Naltmadhni, a do të jeni më aktiv në politikën shqiptare? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Unë besoj se do t’i vie koha, kur do të jem i detyruar me marrë disa hapa, por jo aq shumë në politikën shqiptare të brendshme, dmth. në çështjet e partive, në çështjet e tilla, por më tepër në çështjet e përditshme

REFERENDUMI PËR MONARKINË U MANIPULUA

Si e komentoni fitorën e monarkisë në Referendum, kur pjesa më e madhe votuan për monarki? Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Thjesht referendumi u bë, dihet bollë mirë që u manipulue, dihet bollë mirë, Mbretnia fitoi. Pra, ajo fitorja ka qenë si një reaksion i shqiptarëve karshi dy partive PS-së dhe PD-së. Atëherë do të ketë një ambientim të vërtetë. Unë shpresoj se do të vie koha, kur do të bëhet një referndim në Shqipëri dhe këtë herë në një mënyrë që nuk mund të manipulohet. Dhe atëherë mund të tregohet vërtet vullneti i popullit shqiptar. Unë besoj se Mbretnia do ta fitonte atë referendum, por ajo do të varet prej një kërkese të popullit.

A mendoni Naltmadhni se Mbreti dhe Mbretëria do të jenë shtylla e kombit dhe se ky institucion do të mbante një llojë baraspeshe në mes të partive politike?

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Unë e konceptoj Mbretërinë se edhe Statuti Themeltar i vitit 1928 është i bazuar. Dhe kjo e tregon bollë mirë po ta shikoni. Mbreti është si kryeplaku i katundit, kur ka ndonjë ngatrresë në mes të shtëpive të ndryshme, a plagë të ndryshme, shkojnë e marrin mendimin e tij dhe kryplaku ua jep këshillat e veta. Mbreti duhet të veprojë në një mënyrë që është e paanshme, të mbajë një ekuilibër të plotë të interesave brenda partive politike.

Si e komentoni politikën aktuale në Shqipëri?

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Nuk dëshiroj me e komentu shumë këtë politikë, për arsye se e shof se është diçka e pa themel, pos nëqoftëse nuk ka nuk ka diçka që nuk e di unë.

FSHATI ËSHTË NË NJË VARFËRI TË TMERRSHME 

Mendoni se ka ardhmëri kjo mënyrë e qeverimit të ekonomisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Janë bërë shumë ndryshime, por janë ndryshime kozmetike, nuk janë ndryshime themelore. Është një fatkeqësi që nuk janë bërë ndryshime themelore, për të cilat ka shumë nevojë e jo për ndryshime kozmetike. Shqipëria po vuan, fshatarët janë në një varfëri të tmerrshme, askush nuk kujdeset për fshat, askush nuk kujdeset për jetimët, asnjë nuk kujdeset për situatën e përgjithshme të jetës sociale të shqiptarëve. Me e marrë ushtrinë dhe policinë, nuk kanë ndonjë kujdesë të jashtëzakonshëm, ata janë në detyrë të mbrojtjes kombëtare, ata e meritojnë një privilegj. Nuk ua japin atë mundësi, as nuk ua japin mundësinë e atmosferën .

KOSOVA – PJESË E SHQIPËRISË A KONFEDERATË SHQIPTARE

Naltmadhni, pak më herët thatë se Mbreti do të duhej të kujdesej më shumë për politikën e jashtme. Si i komentoni vizitat e dendura të poltikanëve shqiptarë në Beograd e në Moskë?

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Ju e dini shumë mirë qendrimin tim karshi Kosovës. Unë e quaj Kosovën si një hise e kombit shqiptar. A do të jetë e pavarur, a do të bëhet pjesë e Shqipnisë, a do të bëhet një ditë konfederatë shqiptare, ajo tash për tash është për t’u shiquar. Unë e shof se ky korridori tetë është një vepër e mirë, por është edhe një mundësi me e çel veriun, me i dhanë mundësi Shkodrës edhe vendeve të tjera për me e zhvillu vendin, edhe me i dhanë ç’është e domosdoshme për Kosovën dhe që të ketë akces në det. Unë do të shikojshe edhe Shengjinin si një portë. Për sa i takon udhëtimit të ministrit të Punëve të Jashtme të shtetit, duhet të ketë lidhje, kuptohet edhe me komshitë edhe me shtetet e huaja. Arsyenat pse asht ba udhëtimi tashti unë nuk jam në konfidencën e tyre, atë nuk mund ta komentoj. Unë nuk shoh se ka arsye Serbia në angazhimin në çështjen shqiptare. Tashti është Serbia dhe Mali i Zi, mbaroi puna me Jugosllavinë.

Mesazhi Juaj për 28 nëntorin ishte ndër më esencialët dhe më të avancuarit, sepse ishit shumë të qartë. Si e shihni Kosovën? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Unë jam për pavarësinë e Kosovës që e shof si hap i parë, le ta themë si hap i dytë, se hapi i parë asht ba me gjakun që është derdhur në luftën e 99-tes. Hapi i dytë tashti është bashkimi i trojeve shqiptare, e kjo mu më banë me shpresue që shqiptarët më në fund po fillojnë me e arritë qëllimin.

Nalmadhni si e komentoni debatin për flamurin shtetëror të Kosovës, himnin dhe stemën? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Unë do ta shihshe me dhimbje që të ndryshoshin flamurin dhe himnin në Kosovë, për arsye se jemi të një gjaku, sepse jemi të dy të një kombi, por ajo është në kompetencën e presidentit tuaj, nuk asht në kompetencat e mia. Kjo është në kompetencat e shqiptarëve, kështu që unë nuk mund të bëjë komente, nuk me takon mua se nuk me kanë pyetur.

ÇAMËRIA NUK DUHET HARRUAR

Cili është vizioni juaj për të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Janë shumë punë që mund të parashifen këtu tue marrë gjithmonë parasysh se situaten, në të cilën edhe Shqipnia ka arritur një nivel social e ekonomik që e ka Kosova, Çamëria, nuk duhet me e harru Çamërinë se atje duhet ba disa ndërhymje. Unë e shof se ka disa mënyra. Mund të bëhet një konferederatë shqiptare, mund të bëhet një federatë, ose mund të bëhet një bashkim me dëshirën e popullt shqiptar në këto troje, nuk është në dorën time me e caktua dhe nuk do të dëshirojshe me e caktua, sepse edhe po të kisha fuqinë me e imponu, nuk do të dëshiroja. Sepse ajo duhet të vie nga dashuria e popullit me u bashkua. Unë shoh se këto janë mjetet që mund të bëhen. Mund të aplikojmë edhe modelin e katnoneve zvicerane, por unë këtë e shoh më të zorshme, se Zvicra ka një traditë të gjatë, kurse neve tashi kemi fillu me demokracinë e pavarur, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, qoftë në Maqedoni. Atëherë këto janë ato pikat që i shoh si më të realizueshmet. Por, po të shoh diçka më të mirë, unë do të isha i gatshëm me i ndëgju.

 Po si do të reagonin shtetet fqinje? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Nuk do të jenë të kënaqur, vetëkuptohet, për arsye se një komb shqiptar  që është i bashkuar do të jetë një fuqi në Ballkan, por duhet të shohin më larg, sesa shohin, sepse e kanë vizionin e mbyllur, sepse një komb shqiptar i bashkuar do të ishte për stabilitetin e rajonit Ballkanik, ndërsa një komb i cunguar nuk do të ketë stabilitet në Ballkan. Po të ishim të bashkuar do të ishim një fuqi për të ardhmen që do të lejonte zhvillimin e gjithë rajonit. Unë besoj se edhe të tjerët duhet ta shohin në këtë mënyrë, për arsye se integrimi në Evropë do të bëhet, duhet pranuar se ajo do të bëhet, e deshtëm apo nuk e deshtëm, megjithëse unë nuk kam ndonjë kundërshtim që të integrohemi në Evropë, por lë të ndëgjohemi që jemi ba si komb, kemi arritur një kulturë të një nivel që na takon, atëherë duhet të ndëgjohemi.

Cilët janë aleatët tanë natyrorë, te të cilët duhet të kërkojmë mbështetje? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Ka disa shtete në Evropë dhe ka disa shtete në Mesdhe, në të cilat duhet të bazohemi. Ato shtete që i kemi në fqinjësi do ta luftojnë këtë ndikim.

Meqë keni mjaftë ithtarë në Kosovë, kur pritet ardhja juaj në Kosovë? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Unë planifikoj, unë do të dëshirojsha shumë që me familje të shkojsha me i ba një vizitë Kosovës. Kjo ka qenë një andërr, që do të dëshirojsha me e gëzu. Por hala Kosova nuk është tërësisht e pavarur, ka edhe faktorë ndërkombëtarë, edhe faktorë të brendshëm në Shqipëri që më shkaktojnë disa ngatërresa. Por shpresoj se do t’i kalojmë këto, dhe kur të jemi pak më të lirë, atëherë shpresoj me ardhe me ju vizitu atje. Edhe me e pi një kafe në Prishtinë dhe në disa vende të tjera që i kam në dashuri.

Në një film dokumentar të kohës, kur bëhej kurorëzimi i mbretit, babait tuaj Ahmet Zogu, kishte pamje fascinuese nga aristokracia e kohës. Ku janë pinjollet e tyre sot? 

Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Ato familje të mëdha ka lënë rrënjë këtu. Pastaj shtëpitë e mira në Shqipëri i kanë rrënjët. Kanë mbet familje të forta, familje të mira.

A është ambientuar princi Leka në mjedisin shqiptar?

 Naltmadhnia e Tij, Mbreti Leka: Është shumë i kënaqur këtu. Është ambientuar shumë më shpejt sesa shpresojsha. E ka mësuar shqipen shumë shpejt. Edhe mbretnesha është ambientu shumë më shpejt, sesa shpresojsha.

Vijon

Foto: Fahredin Spahija 

Lini një Përgjigje

Në ishullin e Kretës 300 komunistët grekë vranë dhe dogjën 14 nacionalistë shqiptarë të Kosovës

Media gjermane i rikthehet gjestit të Ramës ndaj Ambrozia Metës