in

Komplotet kundër emrit dhe veprës së heroit Sali Çekaj

Shkruan: Osman Ferizi

Të flasësh dhe të shkruash për veprimtarinë kombëtare të njeriut të madh, heroit Sali Çekaj është nder, privilegj por edhe detyrim e obligim.

Sot në distancën kohore të 25-viteve, pas rënies heroike të tij në Luftën e Kosharës, lufta dhe përpjekja e brezave, gjeneratave në periudha të ndryshme të historisë ishte nji karvan i gjatë e i mundimshëm gjatë epokave duke lënë gjurmë në histori. Për fat të keq historia te ne shqiptarët po na përsëritet në mënyrën ma të keqe, tendenca dhe lufta për pushtet dhe lavdi pa zgjedhur mjete, mohimi i veprimtarisë, glorifikimi dhe lartësimi i shumë individëve pa meritë e pa kritere , përpjekja dhe arritja e qëllimit e grupacioneve politike (LPK, PDK, AAK), për marrjen dhe kapjen e UÇK-së, marrjen e pushtetit pas çlirimit nga NATO më metoda Stalino- Enveriste.

Dihet që përshkrimi dhe prezantimi i Lëvizjes Kombëtare ( LDK-së), nën drejtimin e themeluesit të shtetit modern të Dardanisë Dr. Ibrahim Rugova dhe luftës çlirimtare, nga ana e lëvizjeve marksiste-enveriste ishte denigrues, nënçmues, urrejtës, shpifës dhe me akuza të pa qena, por që nuk përfundonin vetëm me retorikë (fjalë).

Për fatkeqësinë tonë kombëtare, ato shkonin tepër larg, pos në dhunë verbale dhe më pas në rrahje, keqtrajtime dhe përmbylleshin me vrasje nga më të ndryshmet, deri tek ato morbide, në luftë dhe pas saj.

Viktimat ishin të të gjitha llojeve nga njerëz fisnikë, shqiptarë të devotshëm për kombin e familjen, e deri tek eliminimi i strategëve dhe ushtarakëve të shquar e të pazëvendësueshëm, që mund ta bartnin barrën e luftës dhe ishin kërcënim serioz për forcat serbe, si kolonel Ahmet Krasniqi, Smajl Hajdaraj, kolonel Tahir Zemaj, kom. Drini e tjerë. Pastaj politikanë të jashtëzakonshëm si Xhemail Mustafa, shkrimtar e publicist; gazetari Enver Maloku, që të dy miq të Presidentit Rugova dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, udhëheqës degësh të LDK-së dhe heronj në luftë si Ukë Bytyçi, Ismet Rraci, Haki Ymeri,etj, e dhjetëra figura të tjera publike, dhe besnik të atdheut!

Por, fatmirësisht, pavarësisht viktimave të mëdha që krijuan, nuk arritën ta fundosin dhe përmbysin të vërteten e asaj periudhe, kur Kosova në krye kishte elitën, ajkën intelektuale të kohës, në krye me Presidentin Rugova, i cili krijoi miqësi, aleat dhe orientim euro-atlantik, që ishte vendimtare për mbrojtjen dhe mbështetjen tonë në rrugën e pavarësisë.

Unë, në këtë shkrim, si njohës, bashkëpunëtor, pjesë e Grupit Gueril të armatosur të 02.12.1991, të stërvitur në Shqipëri, të cilit i priu Komandant Sali Çekaj, kam të drejtë që disa gjëra t’i nxjerrë para qytetarëve, duke kërkuar edhe përgjegjësi ndaj shtetit tonë, LDK-së (ish-kryeministrit, ish-ministrave, ish-deputetëve), bashkëluftëtarët e Dukagjinit e të Kosharës, që për 25-vite nuk ia dhanë vendin e merituar në historinë e Lëvizjes aktive dhe rolin e tij në luftën e UÇK-së, që nga tetori i vitit 1991 deri më 19.04.1999.

Ky shkrim i imi bëhet për t’ia përkujtuar atdhedashësve, se minimizimi i rolit të Sali Çekajt, pavarësisht se opinioni e pranon, përgjithësisht, si një hero të jashtëzakonshëm, një unifikues dhe pajtues, disa merita nuk iu njohën dhe vazhdojnë t’i anashkalojnë. Ato ishin dhe janë rezultat i frymës së majtë, që bazën e ka në marksizëm-leninizëm, e cila edhe luftën e ndërtonte mbi retorikë, shkatërrimin e ushtrisë serbe me komunikata, duke u mjaftuar me deklarimin e shkatërrimin e tankeve etj, dhe vrasjeve të ushtarëve serbë, por që ngjanin 99% vetëm në letër. Dhe, si pasojë nuk i ndaluan përpjekjet edhe për përvetësimin e Luftës madhështore të Kosharës, të cilën e kundërshtonin në prapaskenë dhe e pengonin, me fuqizimin e forcave të tjera të mirëpërgatitura e me ekspertë ushtarakë dhe elitarë.

Pra, kjo ka ndodhur në frymën e luftimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, pjesë e të cilave ishte Salihu që nga vitet 1990, dhe që edhe me shkrime edhe me propagandë, goditej edhe ai, duke e akuzuar në mënyrat më të ulëta dhe me shpifje si në një shkrim në “Zërin e Kosovës”, organ i të majtës LPK-së (As ujët e Drinit të Bardhë nuk i lanë të zezën tuaj), më autor të shpifur e përçarës Martin Shkreli, madje në ditët më të rënda për Kosovën, si kur ndodhi krimi masiv ndaj familjes Jasharaj nga forcat shtetërore serbe.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, të inkriminuarit në krimin kundërshtetëror dhe antishqiptar, patën lëshuar urdhërarrest i dalë nga goja e ish kryetarit të LPK-së dhe kryeredaktor i “ Zërit të Kosovës” z. Bedri Islami i cili shprehej më 17.01.1999 “Bandat e Sali Çekaj po na pengojnë për ta luftuar armikun, dhe ndaj Sali Çekaj dhe Bujar Bukoshit është lëshuar fletëarrest”

Kush ishte Sali Çekaj?

Kryeheroi Sali Çekaj, ishte ai që funksionalizoi Kushtetutën e Kaçanikut, 7 shtator 1990;

– Zyrtari i parë që iu bashkëngjit marshit të protestave të nxënësve, punëtorëve, nga Deçani për Prishtinë, kundër degradimit të pozitës kushtetuese të Kosovës, autonomisë së vitit 1974 në ish-Federatën e YU;

– I shkarkuar dhe i përndjekur nga pozita e kryetarit të Deçanit, si pasojë e kundërshtimit dhe mbrojtjes së pozitës kushtetuese dhe atë në ballafaqim me të deleguarit e regjimit nga Beogradi, ku refuzoi të flasë në gjuhen serbe;

– Kryetar i Shoqatës së Pavarur të Juristëve në Deçan;

– Pjesëmarrës, organizator e ideator për stërvitjen e Grupeve Guerile në Shqipëri, tetor 1991, në Surel;

– Komandant, prijës i Grupit të dytë të armatosur gueril, prej 32-vetash që theu kufirin Shqipëri – Kosovë te Rrasa e Kosharës, pjesë e të cilit ishte edhe Adem Jashari, Ilaz Kodra, Fadil Kodra, Nazmi Bajrami, Faton Gajtani…..;

– Veprimtar, koordinator, nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjermani.

– Sali Çekaj nuk punoi për interesin material as edhe nji ditë të vetme, ishte 24-orë në shërbim të kombit që është rast i vetëm,

– Grupi i Dukagjinit, më iniciativën time, ishim të parët që mbështetem financiarisht Grupin e Drenicës, në krye më kom. Adem Jasharin;

– ⁠ Ishte udhëheqës i Grupit gueril të Dukagjinit, bartës i disa aksioneve Guerile në Dukagjin;

– ⁠Ishte kom. për moral i Brigadës 134;

– Komandant i drejtimit taktik operativ 777 në Rrasë Koshare, deri në ditën e rëniës;

– Krahu i djathtë i Kol. dhe Ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi në themelimin e Ministrisë së Mbrojtjës;

– ⁠Personaliteti më autoritativ në Dukagjin dhe koordinator i tri Brigadave ushtarake: 131,133 dhe 134;

– ⁠Ideator, projektues dhe realizues i bazave të para stërvitore në Tropojë: Viçidol, Babinë, Papaj;

– ⁠ Ideator, strateg, mobilizues, bashkë hartues i planit për thyerjen e kufirit Shqipëri-Kosovë, në Rrasën e Kosharës, i realizuar në betejën e 9 prillit 1999.

– ⁠Sali Çekaj është veprimtari dhe luftëtari me veprimtarinë më të gjatë guerile e luftarake;

– ⁠Sali Çekaj, Hamëz e Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha janë pjesëtarët e parë të dy grupeve guerile, themeluesit dhe drejtuesit e zonave të luftës në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe Karadak;

– ⁠Këto figura janë themeluesit që i vunë bazat e para të UÇK-së.

– ⁠Pse lejuan dhe iu nënshtruan presionit të ish SHPUÇK-së (i vetemëruar), më 01.05.1999 , komandanti kol. Rrustem Berisha, me stafin komandues, që Brigada 138 të emërohet me emrin e komandantit, strategut AGIM RAMADANI – hero i padiskutueshëm, dhe jo me emrin e SALI ÇEKAJ, i cili ishte veprimtari sinonim i luftës së organizuar – shtetërore, shumë më të hershme dhe shumë më të gjatë. Ky anashkalim, ishte i qëllimshëm, si një Puç klasik e komunist, jo thjesht ndaj emrit të Sali Çekajt dhe luftës së Kosharës, por veçanërisht ndaj FARK-ut, si themelues, organizues, mobilizues, trajnues, dhe udhëheqës i padiskutueshëm i tri brigadave: 131,133 dhe 134, dhe gjithashtu ishte goditje e qëllimshme ndaj komandantit suprem të FARK-ut Dr. Ibrahim Rugova.

– ⁠ Sot kërkoj përgjigje, pse u la në harresë, pse i hymë në hak, pse ia mohuam atë veprimtari të pashembullt, kryeheroit SALI ÇEKAJ, ndoshta është edhe pjesërisht e trashëguar e gjenit tonë, luftës së brendshme për grada, pasurim dhe falsifikim dhe vjedhje të historisë, duke e shkruar bardhë e zi, duke i glorifikuar bashibozukët, debilët e profiterët e luftës, që u konvertuan në politikanë, biznesmenë e pushtetarë, duke u bërë milionerë.

– ⁠Kjo sjellje ndaj heroit të madh SALI ÇEKAJ, me kujton vrasjet dhe eliminimet politike të kohës së Zogut me Hasan Prishtinën, vrasjen tradhtare të patriotit Beqir Vokshi nga ana e Azem Galicës, ato shpifje, akuza, përndjekje, vrasje të Regjimit Enverist më urdhrat e Milladinit e Mugoshës, ndaj të djathtës nacionaliste Shqiptare, duke i etiketuar si tradhtare që nga Mithat e Mehdi Frashërin, At Gjergj Fishten, Konicen, Rexhep Mitrovicen, Xhafer Deven, Lef Nosin, Abaz Kupin, kol. Mehmet Gradicen…etj.

– ⁠Pse heroi SALI ÇEKAJ nuk ka Shtatore në Prishtinë, pse nuk është shpallë Gjeneral?

– ⁠Pse nuk i është ngritur asnjë Kullë – muze, i vetëm në Dukagjin (Broliq), asnjë Shesh, rrugë regjionale apo institucion Ushtarak( kazerm), nuk e deshën as edhe dëshmorë! Sepse emri dhe vepra madhore e tij ua humb vlerat e kontributin, është shumë lart tyre.

Në fund, unë i bëjë thirrje ndërgjegjes së vrarë të drejtuesve shtetërorë e partiakë, bashkëluftëtarëve e bashkëveprimtarëve, të cilët vetëm sa punojnë për pozitat e veta, për të bërë karrierë. Mos të turpërohen, skajshmërisht, sepse e harruan dhe anatemuan emrin e kryeheroit SALI ÇEKAJ! Po mos të ishte respekti dhe mbështetja e madhe nga bashkatdhetarët, duke e vlerësuar lart rolin e tij politik dhe ushtarak, meritat më të mëdha, duke e mbajtur të gjallë emrin e tij i dedikohen Mërgatës. Kontributi i Mërgatës, sidomos, përmes dy Shoqatave “Sali Çekaj” në Gjermani e Zvicër, Degët dhe nëndegët e LDK-së, të cilat nuk e harruan emrin dhe veprën e tij, duke ia ngrit një shtatore në Deçan, duke mbajtur Akademi të përmotshme, ekspozita e simpoziume, duke ndihmuar në bërjen e filmit dokumentar e një monografie, këngë nga shumë kant- autorë. Është për keqardhje sabotimi dhe mos mbështetja e shumë figurave politike, që sot bëjnë karrierë në institucionet e Shtetit dhe nuk e ushtruan ndikimin e tyre, në vendosjen e kësaj figure aty ku e meriton.

Sali Çekaj- ishte vetë historia. Hyri në histori me veprën madhore deri në sakrificë sublime duke u përjetësuar për Liri e Pavarësi.

Jam i sigurt se po ta jetonte luftën, do e vriteshin në paqe( liri)!

23.10.2024.

Autoritetet turke: Sulmi në selinë e aviacionit 'me shumë gjasa' vepër e militantëve kurdë të PKK

Arsyet pse jam pro Lëvizjes për Rikthim dhe organizimeve të tjera si Lëvizja e Deçanit