Policia gjermane ka njoftuar arrestimin e tre islamikëve të dyshuar për përfshirje në një komplot për të sulmuar Katedralen e Këlnit në natën e Vitit të Ri me ndihmën e një “makine”.
Një arrestim i mëparshëm për të njëjtin rast pak para Krishtlindjeve, e vuri policinë në gjurmët e të dyshuarve të tjerë dhe zbuloi prova të një sulmi të planifikuar në katedrale. Në të njëjtën kohë, autoritetet austriake kishin njoftuar atëherë arrestimin e tre të dyshuarve në Vjenë.
Të dyshuarit i përkasin “organizatave islamike”, tha ministri i brendshëm lokal Herbert Royle gjatë një konference për shtyp.
Një zëdhënës i policisë foli për një “rrjet njerëzish me origjinë nga Azia Qendrore”.
Sipas autoriteteve, në planin e sulmit do të përdorej një makinë, pa u ditur se në çfarë mënyre të saktë.
Parkimi nëntokësor i Katedrales së Këlnit u kontrollua me ndihmën e qenve të stërvitur, por nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Policia ka shtuar sigurinë rreth katedrales përpara festimeve të Vitit të Ri.
Sipas mediave gjermane, të dyshuarit që besohet se janë anëtarë të rrjetit, po veprojnë në emër të Shtetit Islamik-Khorasan, krahut lokal të grupit të Shtetit Islamik që vepron në Afganistan.
Sipas mediave gjermane, rrjeti po planifikonte sulme në vendet fetare të kultit gjatë sezonit të festave, Krishtlindjeve ose Vitit të Ri, në Këln, Vjenë ose Madrid.
Gjermania ka qenë në gatishmëri të lartë prej disa javësh për shkak të shqetësimeve për sulmet islamike, veçanërisht pas fillimit të luftës së Izraelit në Gaza.