Gani MEHMETAJ
Gjergj Meta, Edi Rama, Vjosa Osmani, etj, janë osmanë- turq apo janë shqiptarë? Sipas logjikës së Gjergj Arianitit, këtij huazuesi të një emri fisnik arbëror, që është reagues në portalin Shqipëria Natyrale (e krishterë) “Si ndryshuan kohet???”, shqiptarësia e tyre është e dyshimtë, sepse kanë përvetësuar mbiemra turko-osman.
Por ai nuk e thotë për dy të parët, e thotë për tretën, Vjosa Osmanin, emrin e të cilës nuk ia përmend asnjëherë , sepse emri Vjosa ia prish mundësinë e manipulimit të skajshëm. Shtetësia dhe kombësia për këtë reagues, nuk janë fondament, por mbiemri. Keni parë e dëgjuar diçka më të çoroditur?
Prandaj Vjosa Osmanit i thotë Dr. Osmani, ndërsa askush nuk e njeh me Dr. Osmani, madje nuk e dinë nëse e ka këtë titull apo jo?
“Kerkesa e Dr. Osamani qe Serbia te kerkoje falje per gjenocidin e bere ne Kosove gjate viteve 1998-99, ishin me vend. Mirpo Dr. Osmani po harron qe stergjysherit e saj vrane dhe dhunuan Shqipetaret per me shume se 5 shekuj. Prandej, une them qe ajo duhet te kerkoje falje ndaj gjith popullit Shqipetar ne emer te familjes se saj dhe Dinastise Ottomane” (!!!)
Do t’ia kishin lakmi edhe serbët me të tërbuar shovinist me këtë shpifje të ndyrë. Asnjë serb nuk e ka bërë një akuzë-shpifje të tillë. Është serb a shqiptar ky huazues i emrit fisnik arbëror?
Nuk dua ta mbrojë presidenten në detyre, Vjosa Osmanin, nuk me pëlqyen as fjalët që i tha në Kuvendin e Shqipërisë, por me habiti që kërkesa drejtuar Serbisë, i dogji aq shumë këtij far Gjergjit.
Asnjë serb nuk ka shkruar në mënyrë kaq poshtëruese për shqiptarët e Kosovës, askujt nuk i bëhet vonë na e pranon shqiptarësinë a jo vjedhësi i emrit fisnik, asnjë serb nuk ka kërkuar që për gjenocidin turk të përgjigjen shqiptarët, ndërsa ky huazuesi i emrit fisnik, ia kërkon Vjosës dhe të gjithë shqiptarëve që kanë mbiemra turko-osmanë, të kërkojnë falje.
Serbët asnjëherë nuk kanë thënë se osmanët – turqit kanë bërë gjenocid në Serbi.
Edhe Shesheli i Serbisë, një kriminel lufte, do t’ia kishte lakmi, ndërsa do t’i thoshte: hallal shish- qebapët e Serbisë!