Nga: Eugen Shehu
Në pranverën e vitit 1944, Ganiu së bashku me vëllezërit e tij,pasi mobilizojnë deri në 800 luftëtarë në Gjakovë, kalojnë në Bytyç, Gash e Krasniqe. Më tej, në majin e vitit 1944, në bashkëpunim të ngushtë me Muharrem Bajrakatarin,mundin të organizojnë,më shumë se 2500 burra me armë në dorë, për të luftuar kundër okupatorit gjerman. Veçanërisht, aftësitë luftarake të vëllezërve Kryeziu e posaçërisht të Ganiut, shkëlqen në luftimet kun- dër gjermanëve në vendet e quajtura Kam dhe Kepenek,në Shqipërinë Veriore.Duke qenë se ato përbënin nyje strategjike të pozicioneve të prapavijave gjermane, qoftë malësitë e Kamit,qoftë të Kepenekut,mbanin të dislokuara një arsenal të tërë mjetesh luftarake dhe veshmbathjesh së ushtrisë gjermane.Pas luftimeve të aspra disa ditore, forcat vullnetare shqiptare të komanduara nga Gani Beg Kryeziu, Muharrem Bajraktari, Mehmet Bajaraktari,Ali Ibrahimi dhe Bajram Uka, i mposhtën aty si edhe rrëmbyen armatime e paisje luftarake për formacionet e tyre.Ajo çka vlen të mos harrohet,kur flitet për Gani Beg Kryeziun,asht fakti se ai ka ditur të bashkëpunojë sa me nacionalçlirimtarët e Kosovës, aq edhe me nacionalistët e saj, sa me Muharrem Bajraktarin aq edhe me Zai Fundon,ndonëse ky i fundit, komunistët e Tiranës do ta ndëshkonin me plumb në ballë si “tradhëtar”, në këtë bashkëpunim,biri i gjakovës,nuk pa as parimet e Kominternit dhe as ato të rrymave të tjera politike.Kredoja e tij, përmblidhet në ato pak fjalë, përpara se të fillonte beteja në Junik ; “Unë e dua Shqipninë e Kosovën pa Gjerman.Këtë e kam diftue me vepra,jo me fjalë,Po une e dua Shqipninë dhe Kosovën edhe pa serb.Dhe këtë e kam diftue me vepra”.Pikërisht kjo ide e tij,se Kosovën e donte pa serb,u artikulua jo pa egërsi në Beograd.Po të kemi parasysh se në verën e vitit 1944,komunistët jugosllav ishin ulur këmbekryq në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare,madje e dirigjonin skajshëm atë,mund të kuptoje fare mirë armiqësinë e klikës së Tiranës ndaj Gani Beg Kryeziut.Këtë fakt e spjegon mjaft bukur edhe ish ushtaraku i lartë anglez,pjesmarrës në shtabin e Kryezinjëve kur kumton ;”Lëvizja e Kryezinjëve,po të vazhdonte me këto përmesa,mund të çonte në një kryngritje të përgjithshme nazionaliste kosovare.Por kjo mund të ishte tepër shqetsuese e ndoshta e rrezikshme për reputacionin e udhëheqësve komunistë si në Jugoslavi ashtu edhe në Shqipëri” (Reginald Hilbert”Fitorja e Hidhur”Tiranë 1994,fq 311 ).
Klikat e Tiranës dhe të Beogradit,natyrisht i trembeshin përmasave që mund të merrte revolta kosovare e udhëhequr prej Gani Beg Kryeziut,ngase populli shqiptar,si në Lidhjen e Dytë të Prizrenit,ashtu edhe në programin e forcave nacionaliste,ishte shprehur qartë se kërkonte bashkimin e trojeve shqiptare.Urat e ngritura në vitin 1941 midis shqiptarëve në trojet e tyre etnike, pamvarsisht prej faktorëve ndërkombëtarë,i patën ndërgjegjsuar shumicën e shqiptarëve se bashkimi i tyre do të ishte i afërt.Nga ana tjetër,Tirana dhe Beogradi,u trembeshin Kryezinjëve edhe për faktin se angloamerikanët parapëlqenin më së shumti të bashkëpunonin me këta,se sa me shtabet e tyre luftarake të cilët në çdo rast ishin të ndërvarur prej Moske dhe kishin si qëllim ngadhnjimin e bolshevizmit ekstrem.Janë arsyet e më sipërme ato çka çuan në goditjen e madhe të Kryezinjëve prej komunistëve të Tiranës,
Së pari komunistët e klikës së Tiranës,u përpoqën të kompromitojnë lëvizjen “Kryeziu”.Ata kërkuan të hyjnë në bisedime me Ganiun,kinse për të vazhduar bashkëpunimin kundër gjermanëve dhe për të njësuar veprimet luftarake.Ganiu dërgon tek Enver Hoxha,Saidin,të vëllanë.Diktatori Hoxha,ndonëse ka qenë tejet i kujdesshëm në manipulacionet e veta historike,pohon se nuk është marrë dot vesh me Said Kryeziun.Ndërsa misionarët ushtarkë britanike,tepër të interesuar për lëvizjen “Kryeziu” pohojnë se klika e Tiranës i ka thënë Saidit se nëse Ganiu do të hidhej përfundimisht në kampin e tyre të internacionalizmit proletar,ai do të meritonte jo vetëm grada e karrierë,por edhe poste me rëndësi në udhëheqjen e lartë komuniste.Është e natyrshme që Saidi t’u jepte përgjigjen e merituar të shiturve tek Beogradi,duke vënë më pas në dijeni,vëllanë e tij,ganiun lidhur me ofertat e ndyra komuniste.Fill pas kësaj në shtatorin e vitit 1944,atëhrë kur komanda e ushtrisë nacionalçlirimtare,vendos të marrshojë drejt Shqipërisë Veriore dhe Lindore,komandat e shtabeve vartëse porositen në mënyrë të prerë që të fillojë menjëherë terrori i kuq,tanimë,nuk ka asnjë kompromis me krerët nacionalistë,ngase luftës po i vinte fundi dhe çështja e pushtetit nuk mund të diskutohej me këto grupime politike.Me porosi të Enver Hoxhës,shtabi i brigadës së V sulmuese i komanduar nga Shefqet Peçi,merr si detyrë likuidimin e menjëhershëm të Muharrem Bajrakatrit dhe forcave të tij.Disa ditë më pas,më 12 shtator 1944,Enver Hoxha i drejtohet me një radiogram tepër sekret Dali Ndreut,komandantit të Korparmatës së Parë Nacionalçlirimtare,duke e urdhëruar në mënyrë të prerë ; “Të përgaditen dhe të nisen menjëherë për në Kosovë,Brigadat e I dhe III.Brigada e I të kalojë e para në Malësitë e Gjakovës dhe të Pejës.Brigada e III ta ndjek të parën menjëherë dhe mundësisht të bjerë në kontakt me forcat e Kryeziut dhe ta detyrojë ate,të mbajë qëndrim.Me këtë të veprohet si me Muharrem Bajraktarin”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, fondi 41 , dosja 158 , fleta 3 ).
Kur në Tiranë mbërijnë radiogramet e shtabit të Korparamtës së Parë Nacionalçlirimtare,rreth përpjekjeve për të bindur në bisedime Gani Kryeziun që të ingranohet në lëvizjen komuniste, atëherë qëndrimi i Enver Hoxhës bëhet krejt kategorik.Natyrisht duke patur parasysh edhe këshillat e mjeshtërve të Beogradit,ai dërgon radiogramin e dytë i cili përmblidhet : “Mos kërkoni më nga Ganiu të dorzohet,por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet.Duhet të veroni sa më parë,se Ganiut,mund t’i vijn në ndihmë kosovarët”(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë, fondi 158 , fl 14 ).
Forcat e Korparamtës së parë,sulmuan pas shpine çetën kosovare të Kryezinjëve,me ç’rast vranë disa dhjetra bij të Gjakovës martire,ata mundën të zënë rob Said Kryeziun,oficerin anglez të ndërlidhjes Simkoks,si edhe Zai Fundon.Këtë të fundit,Shevqet Peçi e pushkatoi pa gjyq,ndërsa Saidi dhe Simkoks,falë ndërhyrjes së forcave aleate u dërguan në Bari të Italisë.Ndërkaq,duke bashkërenduar detyrat midis tyre,shtabet e Beogradit dhe Tiranës,përdorën tjetër mënyrë për eleminimin e Gani Beg Kryeziut.Duke iu trembur vrasjes së menjëhershme të këtij luftëtari të sprovuar nga ndonjë revoltë e popullit të Kosovës,ata rrethojnë kullën e tij në Gjakovë në janarin e vitit 1945 dhe kërkojnë të bisedojnë.Kur Ganiu zbret shkallëve,disa nacionalçlirimtarë shqiptarë,në marrëveshje me OZNËN jugoslave,i lidhin duart burrit të Gjakovës duke kërkuar që të dorëzoheshin edhe trimat e tjerë në kullë.
Përballë qindra komunistëve të armatosur deri në dhëmbë,të cilët mbanin të rrethuar kullën,trimat e tjerë të Gani Beg Kryeziut dorëzuan armët duke menduar gjithsesi se nuk patën kryer asnjë faj ndaj kombit të tyre.Por ata kishin “tradhëtuar” Hoxhën dhe Titon,prandaj duheshin ndëshkuar.Në natën e ftohtë të 14 janarit 1945,ata trima të Gani Beg Kryeziut,pushkatoheshin në fshatin Hereç të komunës së Deçanit.Dergjeshin këtu midis gjakut; “Hasan Kryeziu,Xhevat Kryeziu nga Gjakova,Selim Male Dula nga Paci,Brahim Musli Demaliaj nga Vladi,Shaban Sadik Saraçini nga Berisha,Shpend Zeqir Prengjoni bashkë të birin Sali Prengjoni,Uk Arif Prengjoni dhe Halil Prengjoni nga Zherka,Mete Rexhe Saraçini,Col Isuf Koka,Sadri Gjonpapaj nga Berisha,Sali Shpend Mujaja nga Paçi,Mus Avdyl Neza nga Liniqi,Mus Zenel Alimetaj,Ali Miftar Zhuta nga Kapeneku,Ram Osmani,Shpend Salili,Mehmet Musa nga Gashi,Smajl Sadik Koka nga Berisha,Rexhe Mehmeti nga Poci,Ahmet Ali Mehmetaj nga Vladi, Zenel Miftar Zhuta dhe Shaban Ali Bajrami nga Kepeneku”.(Gazeta “Albania”,9 nëndor 1995).
Masakra e Hereçit,është një tjetër akuzë për bashkëpunimin kriminal jugoslavo-shqiptar.Ndërsa heshtja që mbajti për këta shtetas të vet,vendos në bangën e të akuzuarve Hoxhën,Shehun, Peçin, Alinë dhe kriminelë të tjerë të këtij formati.Gani Kryeziut i bëhet një gjyq formal dhe dënohet me pesë vjet burg.Edhe në këtë rast vazhdoi djellëzia e komunistëve të Beogradit,të cilët nuk donin t’i jepnin dënimin me vdekje,ngase ia kishin frikën ende revoltave të popullit martir të Kosovës së pushtuar nga serbosllavët.
Ndonëse Gani Beg Kryeziu u dënua vetëm me pesë vjet, ky burrë trim, dhe nacionalist i flaktë nuk doli më kurrë nga burgu i tmerrshëm i Sremska Mitrovicës,ku më vitin 1949, prej torturash çnjerzore mbylli jetën e tij,Pas tij u burgosën dhe kaluan nëpër kalvarin komunist krejt pinjollët e familjes Kryeziu si në jugoslavi ashtu edhe në shtetin amë.
Ky ishte shpërblimi i kriminelëve për burrat e ndritur të Kombit tonë.