Kisha katolike e Shqipërisë i është drejtuar komunitetit mysliman duke shprehur solidaritetin e saj për ngjarjen e ndodhur sot në xhaminë e rrugës së Kavajës “Dine Hoxha”, ku pesë persona janë plagosur me thikë.
“Duke shpresuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt në të gjitha detajet e saj, ju shprehim juve, e nëpërmjet jush, të plagosurve e familjeve të tyre, afërsinë e solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri”, u shpreh Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Angelo Massafra.
Imzot Angelo Massafra dha një mesazh paqeje për të gjithë komunitetin mysliman në muajin e Ramazanit.
“I lutemi Zotit për ju të gjithë, që po jetoni edhe muajin e Ramazanit, për të plagosurit, për komunitetin tuaj e të gjithë shqiptarët që paqja dhe e mira të mbretërojë në zemrat tona e që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, u shpreh Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.