in

Serbia shteti i parë evropian që merr vaksina nga Kina

Serbët mund të vaksinohen kundër virusit Corona në rreth 200 qendra. Kjo është e mundur vetëm me ndihmën nga jashtë – por vaksina nuk vjen nga Evropa Perëndimore.

Një nga qendrat e vaksinimit është hapur në panairin e Beogradit, jo shumë larg bregut të lumit Sava. Qindra të moshuar presin me durim në radhë për vaksinim, ndonjëherë me orë të tëra. Ndryshe nga shumë njerëz që shëtisin nëpër qendër të qytetit, ata mbajnë maska. Për të marrë orarin e vaksinimit këta të moshuar janë regjistruar më parë në internet. Në godinën e panairit, infermierët i drejtojnë ata në dhjetra stenda ku do të vaksinohen – kryesisht me vaksinën kineze Sinopharma.

Pekini ka dërguar një milionë vaksina në Serbi. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “vaksina e vdekur”, siç përdoret edhe kundër difterisë ose poliomelitit. Avantazhi: Vaksina është më e lirë dhe mund të gjendet më lehtë se vaksinat e mARN të BioNTech dhe Pfizer ose vaksinat e Modernës. Sipas informacioneve nga Kina, Bahreini dhe Peruja, megjithatë efikasiteti i kësaj vaksine do të duhej të jetë 75 deri në 80%.

“Shpëtimtari i kombit” siguron vaksinat

“Vaksina më e mirë është ajo që e kemi në dorë”, thotë Marija Obradoviq. Ministrja për Administratën Publike vlerëson se 35.000 ampula jepen çdo ditë. 172.000 serbë janë vaksinuar deri tani (që nga e diela – 24.01- në mbrëmje). Ministrja së pari i përshëndet mjekët dhe infermierët, pastaj vaksinohet edhe vet.

Presidenti Aleksandar Vuçiq i ka pritur vet kontigjentet e furnizimit me vaksina në Aeroportin e Beogradit, me fjalët më mirënjohëse në adresë të Pekinit. Në shtypin pro-qeveritar të Serbisë, ai gjithmonë paraqitet si “shpëtimtari i kombit”, si një njeri i cili vazhdimisht kontakton qeveritë dhe autoritetet anembanë globit për të siguruar vaksina për popullin e tij.

Infrastruktura mjekësore e Serbisë, e cila është modeste krahasuar me Perëndimin, nuk përmendet në media. Nuk flitet shumë as për mosbesimin e shumë qytetarëve ndaj shifrave të publikuara të të sëmurëve me virusin Corona. Zyrtarisht thuhet se në Serbi janë infektuar 384.000 njerëz, nga shtatë milionë banorë sa ka ky vend. Ndërsa nga kjo sëmundje kanë vdekur 3886 serbë. / DW

Lini një Përgjigje

Pse i la Gjykata Speciale në paraburgim të gjithë të akuzuarit për krime lufte?

Vuçiç thotë se do të ndërtojë fabrika për prodhim të vaksinave