Këshilli i Prindërve i Kosovës ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Qeverisë Hoti, që gjysmëvjetori i parë në shkollat fillore dhe të mesme të vendit të përfundojë më 18 dhjetor dhe të fillojë më 18 janar të vitit të ardhshëm.
Këshilli i Prindërve, nëpërmjet një komunikate për media, ka sqaruar se lidhur me vendimin e djeshëm nuk është konsultuar fare nga Qeveria e vendit. Por edhe se pandemia nuk e Ka rënduar procesin mësimor.
“KPK-ja konsideron se gjendja e pandemisë nuk e ka rënduar procesin mësimor sa për ta marrë qeveria një vendim të tillë, i cili fare nuk shkon në interes të nxënësve ngase viti shkollor ka filluar me vonesë, punohet me orar të shkurtuar dhe se interesi i nxënësve është që sa më gjatë të qëndrojnë në proces mësimor dhe jo të pushojnë pa nevojë 1 muaj”, thuhet në një komunikatë për media.
Qeveria e Kosovës dje mori vendimin që pushimi të fillojë më 18 dhjetor dhe të zgjasë deri më 18 janar, siç thuhet në vendimin e saj, për shkak të situatës me koronavirus.