Deputetja e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka mohuar krimet e kryera në Ballkan nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Kearns ka thënë se një qëndrim i tillë përbën vazhdimësi të krimeve të asaj periudhe të errët. Në një reagim në platformën “X”, Kearns e cilësoi mohimin e Vuçiqit si një sulm të qëllimshëm dhe të rrezikshëm.
“Mohimi është një sulm i qëllimshëm dhe i llogaritur ndaj të mbijetuarve. Është armë që kërkon të lëndojë njerëzit dhe institucionet që kanë dalë nga hiri i luftës. Mohimi është vazhdimësi e vetë krimeve – ajo që fillon me dhunë dhe vrasje vazhdon përmes falsifikimit të historisë”, ka shkruar Kearns.
Reagimi i saj erdhi pas një interviste të Vuçiqit për BBC-në, i cili u pyet për të kaluarën e tij si anëtar i Partisë Radikale Serbe dhe mbështetës i konceptit të “Serbisë së Madhe”, një ideologji e cila solli humbje të mëdha jetësh dhe krime lufte.
Vuçiq është shprehur se nuk pajtohet me interpretimet për përgjegjësitë e krimeve në Ballkan.
“Nuk më vjen turp të them që kam ndryshuar, por nuk pajtohem me ju për atë se kush ishte fajtor dhe kush përgjegjës për ngjarjet e asaj kohe. Ne kemi pikëpamje të ndryshme, përfshirë edhe rolin e fuqive perëndimore që ndikuan në atë situatë”, ka theksuar Vuçiq.