Një çati prej betoni mbi hyrjen e një stacioni hekurudhor në qytetin verior serb të Novi Sadit u shemb të premten, duke lënë pas vetes 14 të vdekur.
Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç, tha se të paktën tre persona të tjerë u shtruan në spital me plagë të rënda, ndërsa ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin nga rrënojat dy të gjallë.
Ambulancat dhe ekipet e tjera të urgjencës u dërguan në stacionin në qendër të qytetit dhe buldozerët po largonin rrënojat në kërkim të të mbijetuarve. Rreth 80 ekipe shpëtimi ishin në vendngjarje ndërsa makineritë e rënda hoqën pjesë të mëdha të rrënojave.
Në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë shfaqën njerëz që hynin e dilnin nda ndërtesa dhe uleshin në stola në një ditë me diell përpara se çatia prej betoni u rrëzua papritmas mbi ta. Objekti është rinovuar së fundmi.
Kryeministri serb Milosh Vuçeviç tha se kjo është “një e premte e zezë për ne, për gjithë Serbinë”.
Ai tha se çatia ishte ngritur në vitin 1964 dhe një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar se çfarë ndodhi dhe kush është përgjegjës për tragjedinë.
Kompania shtetërore hekurudhore e Serbisë tha se çatia e rrëzuar nuk ishte pjesë e rindërtimit të kryer së fundmi në ndërtesën e stacionit.
Autoritetet e shpallën të shtunën ditë zie. VOA