Në qytetin e vjetër jepeshin shfaqje teatri, shesheve të shtruara me gurë të lëmuar silleshin këngëtarë endacakë që e argëtonin publikun. Ushtonin kambanat e kishave monumentale. Priftërinjtë e famshëm Martin Segoni e Pjetër Bogdani nuk i shkruajnë më kronikat, ndërkaq janë kronikat e priftërinjve arbërorë dëshmi të rralla të shkruara që e përjetësuan Artanën e Arbërinë, pos dëshmive arkeologjike.
Shkruan: Gani mehmetaj
Më dukej si në filmin fantastik “Mbreti i unazave” visorja me bjeshkët e larta, me vegjetacionin që mugullonte me kursim, ndërsa qëndroja në njërën nga kullat e vrojtimit. Kështjella e Artanës të jep mundësi vrojtimi larg në horizont. Poshtë shihen lugina e katundet. Kështjella e ndërtuar mbi kurrizin e një kodre të lartë ua mundësonte kështjellarëve të ndiqnin situatën e lëvizjet e dyshimta dhjetëra kilometra larg, të jepnin kushtrimin me të vërejtur armikun, t’i kishin si në pëllëmbë të dorës mësymësit dhe t’i godisnin nga muret e kështjellës me gurë, heshta e vaj të valuar. Ishte vështirë t’i qaseshe kështjellës sa nga pjerrtësia, aq nga kodrat e zhveshura. Edhe hyrja në kështjellë ishte e ndarë: për qerret e kalorësit në njërën anë, për këmbësorët në hyrjen tjetër. Koha ishte dramatike me makthe e tensione. Iliria ishte e trazuar. Kur nuk kishte alarme, mësymje e mbrojtje, luftë e sëmundje, kështjellarët bënin jetë të zakonshme, jetonin, punonin, ëndërronin, dashuronin apo urrenin. Disa prej tyre krijonin vepra arti, arkitekture e shkruanin kronika. Kjo ishte Artana dikur.
Ndërkaq, Artana (Nuovomonte, Nuovobardo, Nyeuberghe, Nobordan) sot është ndër qytetet e braktisura një kohë të gjatë. Qindra vjet në qytetin e vjetër askush nuk jeton brenda as përreth, qindra vjet nuk farkohen monedha ari e argjendi, që e bënë dikur qytetin ndër më të pasurit në gadishull, qindra vjet nuk dëgjohet zëri e gumëzhima e qytetarëve arbërorë, nuk ka xehetarë sasë, e kanë braktisur qytetin tregtarët raguzianë e pasunarët dardanë, qindra vjet nuk ushtojnë malet e luginat nga kushtrimi i ushtarëve mbi bedenat e kështjellës. Nga ato përshtypje ende të ushton në vesh gjallëria e dikurshme e një jete që u zhvillua brenda mureve të kështjellës e në rrethinë.
Në qytetin e vjetër jepeshin shfaqje teatri, shesheve të shtruara me gurë të lëmuar silleshin këngëtarë endacakë që e argëtonin publikun. Ushtonin kambanat e kishave monumentale. Priftërinjtë e famshëm Martin Segoni e Pjetër Bogdani nuk i shkruajnë më kronikat, ndërkaq janë kronikat e priftërinjve arbërorë dëshmi të rralla të shkruara që e përjetësuan Artanën e Arbërinë, pos dëshmive arkeologjike.
Rrugët e rrugicat janë të shkreta e të braktisura, të dëmtuara nga koha e nga kazma e piratëve të stolive, ose nga dhëmbi i kohës e rrënimet e luftërave. Janë muret e ringritura e të konservuara, por që në disa faqe muri janë rrjepur si lëkura e fytyrës së luftëtarëve të Artanës nga dielli përcëllues. Qëndrojnë në heshtje themelet e kishave e të katedraleve që zinin mijëra besimtarë.
“Në Artanën e Epërme jetonin aristokracia e qytetit e sundimtari, dhjetë metra ishin muret rrethuese, ndërsa dyert e bungut e mbyllnin kështjellën e parë. Në Artanën e Poshtme jetonte administrata e qytetit, ushtarët e shtresa e mesme që e qeverisnin qytetin. Edhe kjo pjesë e qytetit ishte e rrethuar me mure mbrojtëse. Në të dyja pjesët e qytetit kishte rezervuarë të thellë uji, të ndërtuar me gurë. Ndërkaq, jashtë mureve të larta 10 metra me kullat vrojtuese deri në 15 metra, jetonte popullata”, rrëfen arkeologu H. Mehmetaj. Sasët e famshëm, mjeshtër të shfrytëzimit të xehes që i sollën nga Saksonia, kishin komunitetin e tyre, pranë xeherorëve dhe aty ku shkrihej e përpunohej xehja. E tërë hapësira kodrinore ishte rezervuar i xeheve, kështu që një pjesë e madhe e kësaj hapësire shfrytëzohej për nxjerrjen e përpunimin e argjendit e të arit. Gropat e xeheve janë edhe sot, të thella e të errëta.
Në dhjetëvjetëshin e fundit janë nxjerrë në sipërfaqe dëshmi nga më të rrallat për një jetë të pasur materiale e shpirtërore. Arkeologët gërmuan e zbuluan gjëra me vlerë, e konservuan qytetin që t’u prezantohet pasardhësve të dardanëve e të huajve. Sipas arkeologut Mehmetaj, “Artana (Novobërda) bën pjesë në qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike jo vetëm në Dardani, por edhe në Evropën Juglindore. Përbëhet nga qyteti i periudhës së Mbretërisë së Dardanisë, Damastioni (?), nga qyteti mesjetar, nga qendra të vogla zejtare, sikurse edhe nga minierat e metaleve. Gjatë kërkimeve të vitit 1994, rrëzë anës veriore të paralagjeve të qytetit, u gjetën monedha perandorake bronzi të shek. III dhe IV, sikurse edhe një stelë dardane e shek. III pranë Katedrales së Kishës Katolike të Shën Premtes. E gjithë kjo tregon se qyteti mesjetar ishte ngritur mbi bërthamën e një vendbanimi a qyteti antik. Artana është në lartësinë mbidetare 1 124 metra, lartësinë mbidetare më të madhe të vendbanimeve mesjetare në territorin e Dardanisë”.
Nesër: Sundimtari i fundit i Artanës – Llesh Spani