Vetëm pak orë pas aksidentit tragjik në Turqi ku humbën jetën 16 persona që u morën para nga një autobus i cili udhëtonte me shpejtësi, ngjarja është përsëritur sërish. Një tjetër aksident tragjik, i ngjashëm me atë të paradites, ka ndodhur në Mardin të Turqisë. Për pasojë raportohen 16 viktima dhe 29 të plagosur, 8 prej të cilëve janë në gjendje kritike. Në pamjet e para nga vendngjarja shihet se i gjithë vendi është në kaos dhe më pas kamioni vjen me shpejtësi shumë të madhe, duke marrë përpara njerëzit.
Drejtuesi i një kamioni duket se ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në mes të turmës së njerëzve që ndodheshin pranë karburantit. Ata kishin ndaluar për t’i dhënë ndihmën personave që ishin në 2 makina pasi ishin përplasur në atë rrugë.
Nga informacionet paraprake, mësohet se kamioni pësoi defekt me frenat gjë që solli edhe aksidentin. Mjeti doli nga rruga duke u përplasur me 2 automjetet e tjera dhe shkaktoi ngjarjen tragjike. Edhe në pamje duket se si turma e njerëzve, mes të cilëve edhe fëmijë bërtasin të tmerruar pasi kamioni hyn në mesin e tyre.
Paraditen e sotme, nga një aksident tragjik në Gaziantep humbën jetën 16 persona. Një autobus pasagjerësh është përplasur me ambulancën, zjarrfikësen dhe makinën e një prej mediave turke. Ambulanca, Zjarrfikësja dhe gazetarët ishin në vendngjarje për një tjetër aksident që kishte ndodhur pak minuta më parë, për këtë arsye mes viktimave jane edhe 3 zjarrfikës, 4 personel mjekësor dhe 2 gazetarë. 22 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar me urgjencë në spital.