Shkruan av. Zanfir Kryeziu
Shqiptarët pretendojnë se vijnë prej ilirëve dhe epiriotët, e quajnë veten e tyre shqiptarë, fjalë e cila do të thotë ”Bijtë e shqipes”. Sipas folklorit të tyre, ky emër ka ardhur nga një fjalim që i atribuohet Pirros,mbretit të dikurshëm të Epirit. Duke u kthyer nga fitoret e tij në Maqedoni, Pirrua u quajt nga trupat e tij si shqiponjë, për manovrat e shpejta luftarake.”Më thërrisni shqipo- një, thuhet se është përgjegjur ai, dhe është e vërtetë, sepse ju, ushtarët e mij, jeni bijtë e shqipës dhe shigjetat tuaja, janë krahët me të cilët unë fluturoj” shkruan Julian Amery në librin e tij BIJTE E SHQIPES.
Në faqen 552 autori në mes tjerash shkruan: Ndërsa zoti i Lumës Muharrem Bajraktari përpiqej të kapërcente vështirësitë që e kishin pllakosur, Gani Kryeziu duke lënë, pozicionet mbrojtëse, përgatitej të merrte me sulm Gjakovën. Qyteti shtrihej në anën perendimore të fushës së Kosovës dhe rrethinat e tij, kanë qenë gjithnjë të mbrojtura nga qafat e Zogajt dhe të Prushit. Prandaj, Ganiu e ndau ushtrinë e tij në dy pjesë dhe ndërsa zmbrapste gjermanët nga pozitat e tyre në Zogaj, Hasani zuri fortifikatat e Prushit. Në agimin e 12 shtatorit, të dy formacionet kapën fushën dhe vllëzërit Kryeziu, duke u bashkuar, filluan të zmbrapsin armikun prapa, në drejtim të Gjakovës.
Simkoksi, i cili u plagos gjatë aksionit, na e përshkroi më vonë nismën e Ganiut si shumë të guximshme, për mundësitë e shqiptarëve. Në fakt kjo ishte një betej e madhe. Ganiu qe i zoti t’i përgjigjej zjarit të artilerisë gjermane, me topat që u kishte rrëmbyer atyre. Në mbrëmje,të gjithë fshatrat midis maleve dhe qytetit gjendeshin në duart e tij, ndërsa kur u ngrys ai dha urdhër për sulmin e fundit. Pararojat e Ganiut sulmuan me vrull kazermat gjermane në lagjet e jashtme të Gjakovës dhe dogjën depozitat e tyre me benzinë. Mirëpo malësorët kishin qenë në luftë prej dy ditësh dhe kishin shumë pak municion për t’ia arritur qëllimit të fundit. Gjermanët mbetën zot të qytetit dhe në agim, Ganiu u detyrua të tërhiqej në pozita mbrojtëse në Prush, para se armiku të kundërsulmonte, duke lënë Hasanin që të mbante Qafën e Prushit, Ganiu dhe Seiti u tërhoqën prapa në male, për t’u dhënë mundësi njerëzve të tyre të çlodheshin dhe të bënin plane mbi një sulm të dytë.
Ndërkohë Simkoksi u kthye në bazën e tij në Dobrenj, për t’i raportuar Kuartierit tonë të përgjithshëm dhe për të organizuar marrjen e furnizimeve të mëtejshme. Me të shkoi këshilltari politik i Ganiut, Llazar Fundo, i cili shërbente edhe si përkthyes pranë misionit Britanik. Ganiu u pat bërë thirrje udhëheqësve të Kosmetit që të bashkoheshin me te, për të sulmuar Gjakovën, ndaj Simkoksi nuk u çudit kur pa një forcë të madhe partizanësh të ndalonte në Dobrenj. Ashtu si në rastet e mëparshme, ai i mirëpriti duke menduar se kishin ardhur për të luftuar gjermanët dhe i erdhi mirë që formacionet luftarake të Kosmetit, do të mbështeteshin nga Brigada e Pestë të LNÇ-së. Ditën e nesërme, me 19 Shtator, ndërsa luftëtarët e Ganiut ishin ende në Dobrenj, forcat e Brigadës së Pestë partizane, rrethuan menjëherë bazën e misionit tonë. Komisari i tyre, me fjalë të rrëmbyera dhe të shkurtëra, lajmëroi Simkoksin se duhej ta ndiqte për në Shtabin e Përgjithshëm të LNÇ-së, në Berat.