“Pjesë nga intervista dhënë shërbimit rus të Radios Evropa e LirëJ
usuf Buxhovi është historian dhe publicist nga Prishtina, i njohur më së shumti jashtë ndër shkrimtarët e gjuhës shqipe të Kosovës, autor i bestsellerit postmodern të Ballkanit “Nata e shekujve”, “Koloneli i vdekjes”, “Kujtimet e zonjës von Braun”, “Kodi i dashurisë”, “Libri i Gjakovë “,” Jeniçeri i fundit “. Romani i tij “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, i botuar në vitin 1982 dhe shumë herë i ribotuar, i përkthyer në vitin 2010 në Francë me titullin “Kush i bën ballë murtajës, i shpëton edhe djallit”, ka provokuar një debat të gjallë në qarqet intelektuale të Parisit. Por, debate shumë më të nxehta intelektuale si dhe provokime ka ngjallur “Kosova” e Buxhovit në pesë vëllime, e para vepër në studimin e albanologjisë rreth historisë së Ballkanik nga antikiteti i hershëm e deri në fund të shekullit XX. Në opinion u shfaq një shumëllojshmëri komentesh – nga ato entuziaste e deri te kritikat e ashpra që erdhën nga Serbia, Shqipëria, po edhe Kosova, Ballkani dhe më gjerë.
Buxhovi hedh përpara një hipotezë shkencore të guximshme, duke nxjerrë etnogjenezën e popullit shqiptar nga Pellasgët e lashtë, të cilët, sipas disa versioneve, banonin edhe në këto hapësira edhe para tre mijë vjetësh dhe si të tillë ishin djep i qytetërimit antik që me pa të drejtë u atribuohet grekëve të sotëm . Kështu, Buxhovi i konsideron shqiptarët më të moshuarit nga kombet ekzistuese evropiane, duke insistuar në vazhdimësinë e qëndrimit të shqiptarëve (ose paraardhësve të tyre) në hapësirën e Kosovës (Dardanisë antike) gjatë gjithë historisë së rajonit. Vendosjen e shtetit serb në Kosovë në shekullin XX (nga luftërat ballkanike e këndej), Buxhovi e quan pushtim. Por, periudhën e Titos, me theks nga Plenumi i Brioneve e këndej, për shqiptarët e Kosovës, e konsideron gjithashtu një periudhë të rëndësishme të zhvillimit shkencor, arsimor dhe kulturor. Në këtë mënyrë, nga këndvështrimi historik dhe zhvillimet politike shtetformuese, Buxhovi Kosovën e quan Qendër të zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Kur deklaron kështu Buxhovi, duket se kjo nuk i pëlqeu shumë Tiranës.
Historiani i suksesshëm Buxhovi, kombinon gazetarinë (në kohët jugosllave thuajse një çerek shekulli ishte korrespondent i gazetës në gjuhën shqipe “Rilindja” nga Prishtinë në Gjermani) dhe aktivitetet shoqërore. Në vitet 1980-1990, Buxhovi ishte shumë aktiv në radhët e opozitës intelektuale kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit, gjë që jo rastësisht ishte edhe bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që ishte në krye të rezistencës jo të dhunshme institucionale ndaj politikave shtypëse të Beogradit.
Ashtu si pothuajse të gjithë shqiptarët e Kosovës, Buxhovi përshëndeti pavarësinë e vendit të tyre, por mbeti njëri ndër kritikët e ashpër të klasës politike, e cila doli nga radhët e guerilës, që sipas tij, shumë prej tyre, shfrytëzuan pushtetin për qëllime private – pasurim e të tjera, gjë që i bënë dëme vendit dhe kauzës së shtetësisë së saj.
Shkrime për historinë e e Kosovës në përbërje të asaj shqiptare ka pasë edhe përpara, por shumica e librave në këtë temë janë të njëanshme në aspektin ideologjik ose politik. Puna e Buxhovit (versioni i tij në gjuhën angleze në tre vëllime) shfaqet e shkruar nga një këndvështrim shqiptar dhe në përputhje me kritere objektive shkencore pse ai flaki klishetë ideologjike dhe ato të limiteve nga historia e Beogradit nga të cilat vuajnë librtat paraprake. Si nismë të rëndësishme në këtë drejtim Buxhovi e konsideron librin e Noel Malcolm “Kosova: një histori e shkurtër”, nga viti 1999.
– Noel Malcolm ka shkruar një libër të rëndësishëm, që erdhi në një kohë kur klasa politike në Serbi po ia hapte rrugën politikës së njohur nacionaliste dhe luftënxitëse të Sllobodan Millosheviqin – thotë Jusuf Buxhovi. – Së pari Malcolmi tregoi se qasja e historianëve të fundit komunistë të Kosovës është jo-shkencore. Megjithqë Malcomi sjell disa argumente dhe konkluzione që kundërshtojnë mitomaninë serbomadhe rreth Kosovës dhe shqiptarëve, stereotipi i Kosovës si “tokë serbe” nuk është demistifikuar, meqë pranohet “Shteti mesjetar” serb i konvertuar nga dinastia Nemanjane, që për shumë autorë antikë, shfaqet me origjinë tribale. Malcolmi, po ashtu, pranon kishën ortodokse serbe me autoqefali nga shekulli XIII, gjë që nuk përputhet me të vërtetën, ngaqë në vitin 1219 Kisha e Rashës nuk fitoi autoqefali, siç propagon historiografia serbe, por vetëm një autonomi të përkohshme nga Patriarkana e Ohrit, që u kthye prapë në vitin 1275. Autoqefalinë KIsha Ortodokse serbe e fitoi pas tetë shekujsh, në vitin 1923 në rrethanat e krijimit të mbretërisë Serbe-Kroate-sllovene. Dhe, problemi tjetër tejet serioz, që përcjell veprën e Malcolmit, ka të bëjë me pranimin e tezës së “arnautashve”,sipas historiografisë serbe – serb të islamizuar në shekllin XVI të cilët do të shqiptarizohen në shekullin XVIII!Puna ime, megjithatë, konsiston që miti serb për Kosovën “djep mesjetar serb” dhe “qendër kishtare serbe nga mesjeta” e të ngjsashme, në saje të argumenteve të shumta, të demistofikohen në tërësi, si gënjeshtëra historike për qëllime hegjemoniste, që kanë prodhuar shumë fatkeqësi në këto hapësira jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët.
Por, Buxhovi, thotë se përkundër këtyre demistifikimeve, mitologjia mbetet një ngarkesë e madhe në vetëdijen e ballkanasve. Atë sikur e bën edhe më të fuqishme “karizma e komunizmit”, paçka se zhvillet e para njëzet vjetësh, me ndryshimet e mëdha atë e hoqën nga skena politike. Te ne në Kosovë, thotë Buxhovi, komunizmi u shkatërrua ndër të parët, por mentaliteti komunist është ende këtu. Ende ka një trashëgimi të vështirë staliniste ndër shqiptarët, por edhe tek të tjerët. Ajo vërehet veçmas te mbetjet e kruzhoqeve marksiste-leniniste, shumë prej të cilëve kanë ardhur në pushtet me ndihmën e tranzicionit dhe në emër të pluralizmit demokratik! Nuk përjashtohet mundësia që “hibridi i Kremlinit” të ketë serish kokën te qendra oligarke e Putinit dhe projektet “rreth kriminalitetit ndërkombëtar”, kur dihet se lëvizjet e tilla globale (të djathta ose të majta), përherë janë drejtuar nga njëra qendër botërore (Uashington ose Moskë)?
“Këtyre çështjeve i dedikohet romanit im i fundit “Dosja B”, vepër kjo që brenda një kohe pati tre botime dhe hë për hë ndodhet në top listën e librave më të shitur të vendit. Ky libër flet për zhgënjimin ndaj një “fuqie të re”, e cila nën flamurin e demokracisë kombëtare, me metoda kriminale, ka ardhur në pushtet”.
Në realitet, sipas Buxhovit, kjo “fuqi e re”, shumë prej të cilëve lidheshin me krahun komunadues të luftës (krah politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), përkundër faktit se morën pjesë në një luftë të drejtë, u përfshinë në politikë kriminale, siç ndodhi me strukturat e tranzicioneve në Shqipëri dhe Serbi.
Evropa e lirë: Sa e madhe është shkalla e mosmarrëveshjes shkencore mbi historinë e Kosovës? A ka historianë serbë me të cilët ju mund të zhvilloni një dialog të frytshëm për çështjet e diskutueshme?
J. Buxhovi: Në Serbi ka historianë objektivë, të cilët i ka anashkaluar politika hegjemoniste. Fjala është për dijetarë dhe shkencëtarë të cilët lidhen me traditën objektive në albanologji dhe historiografi. Në së mund të thuhet se në shekullin XIX, themelet e shkencës së albanologjisë u vendosën nga gjermanët, shumë shkencëtarë serbë dhe jugosllav më vonë ndoqën këtë traditë edhe përkundër faktit se shkolla serbe e historisë ka vuajtur gjithmonë nga idetë hegjemoniste në të. Këtu mund të përmenden emrat e studiuesve të njohur serbë dhe jugosllavë që i ndihmuan shumë albanologjisë si Milan Budimir, Shuflaj, Tucoviq, Aleksandër Shtipqeviq, N. Garashanin, Banjac, Katiqiq , Papazogllu e të tjerë. Punën e tyre edhe unë citoj në librin e tim dhe e vlerësoj si të rëndësishme. Kjo ka të bëjë, sidomos me periudhën e historisë së lashtë dhe mesjetës së hershme, deri në kohën në shekujt VII-VIII kur në Ilirik shfaqen sllavët. Për fat të keq, në 20 vitet e fundit, sikur u janë mbyllur rrugët këtyre zhvillimeve pozitive. Përkundrazi, gjërat kanë marrë kah të kundërt: shumë shkencëtarë janë kthyer në shërbëtorë të politikës ditore.
Evropa e lirë: Ju shkruani romane, kërkime historike dhe po ashtu me profesion mbeteni gazetar. Çfarë për ju është parësore: letërsia, gazetaria apo historia?
J. Buxhovi: Me pak fjalë – unë jam dhe mbetëm krijues, emancipimi i të cilit u zhvillua në hapësirën e ish Jugosllavisë, kryesisht në gjuhën serbokroate dhe më vonë edhe atë gjermane si korrespodent i përhershëm i gazetës “Rilindja” në Bon nga viti 1976, me disa shkëputje, deri në vitin 2008. Asokohe, shumë nga burimet e rëndësishme dhe librat mund të gjendeshin vetëm në gjuhën serbo-kroate. Pra, fillet e emancipimit tim, por edhe të brezit tim lidhen me këtë gjuhë. Kjo bëri që ne ta njohim mirë letërsinë dhe kulturën serbe, mbase shpesh edhe më mirë se shumica e serbëve. Por, më kohë, krijuesit tanë, hapësirën jugosllave dhe realitetin e saj shoqëror dhe politik, veçmas pas plenumit të Brionve, pra atë nga vitet 1970 e këndej, kur me ndryshimet e atëhershme kushtetuese u zgjeruan të drejtat e Kosovës, filluan ta shfrytëzonin për një emancipim të përgjithshëm politik dhe shoqëror, drejt një barazie me republikat tjera prej nga e ka burimin edhe kërkesa për republikën e Kosovës, e shfaqur haptas në demonstratat e nëntorit të vitit 1968. Meqë Jugosllavia asokohe, krahasuar me regjimet tjera komuniste, ishte një vend liberal, kjo kanalizoi edhe orientimin tonë politik, nëpër të cilin do të kalojë rrugëtimi ynë i shtetndërtimit. Pra, pa reformat kushtetuese të Titos të viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta dhe përkushtimit të klasës politike shqiptare që ato të shfrytëzohen sa më shumë për t’u avancuar pozita e shqiptarëve aty ku mundej, pra të largimit të saj nga tutela serbe drejt federatës jugosllave, rruga e Kosovës për pavarësi do të ishte edhe më e vështirë.
Evropa e lirë: Me sa di unë, në mesin e viteve 1970 ju keni marrë pjesë në krijimin e libretit të veprës së parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”, në temën e luftës anti-turke të popullit shqiptar. Si e mbani mend këtë punë?
J. Buxhovi: Epo, natyrisht që nuk mund ta quaj veten një shkrimtar profesionist i librave të operës. Kompozitori Rauf Dhomi, një shok gjenerate, më pyeti për ta bërë këtë punë. Autori i muzikës kishte parasysh një vepër që lidhej me këtë problematikë. Meqë kisha nëpër duar tregimet e shkrimtarit shqiptar Milto S. Gurra, i propozova diçka të tillë, me të cilën ai u pajtua. Duhej që fabula e tregimit të kthehej në vargje, gjë që pas një kohe edhe u krye. Opera, së pari u paraqit në vitin 1978 në Prizren, me rastin e kremtimi të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare , me pjesëmarrjen e këngëtarëve nga Shqipëria, në kuadër të programit të bashkëpunimit kulturor me Jugosllavinë. Një vit më vonë, në Tiranë, opera u luajt nga Teatri i Operës dhe Baletit të Shqipërisë, me shumë sukses. Si e tillë, kjo vepër mbetet, ndër të parat e muzikës shqiptare.
-Evropa e lirë: Në Ballkanin Perëndimor, në dekadën e fundit janë në modë trendët “për gjuhët e reja”, ndër të cilat tani janë dhe ajo boshnjake dhe malazeze. Gjuha shqipe, për aq sa dimë, u standardizua së fundi në fillim të viteve 1972, bazuar në dialektin jugor, atij toskë, ndërsa në Kosovë flitet dialekti gegë. Besohet se dialekti toskë “fitoi” sepse erdhi nga jugu i Shqipërisë, prej nga ishte elita komuniste e Tiranës. Pse edhe Kosova nuk duhet të ketë gjuhën e vet, kur dihet se ju flisni një dialekt tjetër, që është anashkaluar?
J. Buxhovi: Që të heqen moskuptimet si ai që “Kosova duhet ta ketë gjuhën e vet”, duhet thënë se Kosova e ka gjuhën e vetë dhe ajo është gjuha shqipe, ku gegnishtja, si dialekt është pjesë e saj, ndonëse jo gjithaqë i prezantuar në të, veçmas me karakteristikat themelore morfologjike dhe fonetike. Ndërsa sa i përket gjuhës së standardizuar, ajo u arrit në vitin 1972, në Tiranë, një konventë e veçantë, me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve të të gjitha trevave gjuhësore shqiptare , ku u miratua një standard i përbashkët letrar për të gjithë shqiptarët. Mesiguri se asokohe dhe më vonë ka pasë dilema se cila duhet të jetë baza e standardit të një gjuhe, por kjo nuk e konteston nevojën që shqiptarët duhet të kishin një gjuhë të përbashkët, e cila duhej të mbështetej diku. Në çdo gjuhë duhet të jetë një bazë e unifikuar qoftë edhe e njëanshme ose e rastësishme pa përjashtuar këtu edhe aspektet politike ose “lokaliste”. Reformatori serb Vuk Karadzic, në fund, gjithashtu, mori si bazë vetëm një të folme të rrudhur të gjuhës serbe, atë të një krahine të Bosnjes (Tershiq), të pazakontë për zona të tjera të banuara nga serbët dhe kroatët. Vendimi i vitit 1972, pa dyshim paraqet një fitore të madhe shoqërore, kulturore dhe politike të shqiptarëve, me të cilin ata u unjësuan në përputhje me synimet e tyre kombëtare. Me këtë u përjashtua edhe mundësia e përçarjes në grupe të ndryshme, sipas programeve të huaja. Sigurisht, gjithmonë do të ketë të kënaqur dhe të pakënaqur në këtë rast, por duhet pasë parasysh se gjuha është e gjallë dhe ajo duhet të lejojë mundësi për reforma të vazhdueshme, me çka edhe dialekti gegë të pjesmarrë në këtë proces, veçmas kur kihet parasysh se gegnishtja ka një fjalor të pasur dhe fonetikisht është e rrënjosur në histori me veçoritë (foljet njërrokëshe dhe paskajorja me operatorët aktivë në shqipe nga gjendja e pasive në gjuhët tjera), që atë e nxjerrin si fundament të gjuhësisë së përgjithshme që lidhet edhe me sanskritishten. Gjuha standarde ka për detyrë që të unifikojë gjuhën dhe veçoritë e saj t’i kthejë në një thesar të përbashkët kulturor kombëtar, gjë që këtu, ka vend për plotësime dhe ndryshime të vazhdueshme sidomos tash kur shqiptarët gjenden në një pozitë tjetër shoqërore dhe politike nga ajo e viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar kur politika diktonte disa procese qofshin ato edhe kulturore. Natyrisht se shkrimtarët ndihen më të lirë në këtë drejtim. Ata mund ta pasurojnë gjuhën me trajtat dialektore dhe veçoritë tjera, pa marrë parasysh çfarë parashtron standardi si dhe dogma e tij. Në të vërtetë kështu edhe ndodhë. Në veprat e mia letrare, tash ruaj paskajoren e gegnishtes dhe disa forma të tjera dhe ato thuajse “po rikthehen sërish”. Ndërsa në veprat historike i përmbahem standardit gjuhësor.
Evropa e lirë: Shqiptarët e Kosovës, i takojnë kombit shqiptar, apo një etnie kosovare, që mund të kthehet në identifikim të ri shtetëror deri te “kombi kosovar”?J. Buxhovi: Para së gjithash unë jam shqiptar, i takoj kombit shqiptar dhe si shkrimtar, me veprat e mia, ndjehem pjesë e kulturës së gjithëmbarshme shqiptare. Sigurisht se shqiptarët e Kosovës, me disa veçori etnike, dalin paksa “me ndryshe” nga ata të jugut shqiptar, dhe kjo është fare e natyrshme. Këto “ndryshime” etnike duhet parë si të natyrshme, veçmas kur lidhen me zhvillimet e caktuara shoqërore dhe politike, po edhe kulturore siç ishin ato gjatë perandorisë osmane, kur vilajetet shqiptare paraqitnin një pjesë të identiteteve rajonale. Por, këto “identitete” ndiqnin edhe kahun e “nënidentiteve” lokale , ku, ta zëmë, një pejan ishte ndryshe nga gjakovari, siç ishte ndryshe shkodrani nga shkupjani dhe të ndryshme dhe siç vazhdojnë të jenë “ndryshe”… Këto diversitete, megjithatë, janë laryshi të brendshme kulturore, që e pasurojnë identitetin e përgjithshëm shqiptar. Ndaj, ato do të ekzistojnë edhe në rrethanat e dy shteteve shqiptare: Kosovës dhe Shqipërisë, gjë që ekzistenca e tyre nuk është arsye për të ndarë kombin në dy, aq më pak që prej tij të krijohet kombi “kosovar” pasi që kemi edhe shtetin e Kosovës si një realitet të ri shoqëror dhe politik, që shikuar historikisht, paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Pra, nuk duhet ngatërruar përkatësia shtetërore me atë kombëtare. Sepse, shqiptarët do të mbesin shqiptarë edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, siç do të mbesin serbët serbë edhe në shtetet tjera jashtë shtetit serb pa marrë parasysh se dikush do të të dëshironte që, në përputhje me paragrafet alogjike të pakos së Ahtirasit rreth qytetarisë, komponenten shtetërore të Kosovës ta lidhte me identitetin e “kombit kosovar”, si një “zhvillim të natyrshëm” që prodhon realiteti i kontratës së qytetarisë me shtetin…
Megjithatë, realitet politike në Ballkan janë të tilla se tashme kemi dy shtete shqiptare në të: Kosovën dhe Shqipërinë shfaqen si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë dhe se qytetarët e tyre të jetojnë në shoqëri demokratike, siç është e rëndësishme që të gjitha shtetet e dala nga republikat e ish Jugosllavisë të lënë prapa përgjithmonë konfliktet ushtarake dhe gjakderdhjet e shumta. Sepse, historia e ish-Jugosllavisë, edhe pse ishte me dhunë dhe hegjemonizëm serbomadh dhe unitarist, veçmas koha e Millosheviqit, megjithatë ajo ishte edhe një kohë e një emancipimi pozitiv kulturor jugosllav, nëpër të cilin kemi kaluar edhe ne shqiptarët si qytetarë të RSFJ-së. Pra, pasi që këto realitete kanë ndryshuar, ne duhet të bëjmë përpjekje që si shtete, me anën e ndërveprimit kulturor, të afrohemi dhe të bashkëpunojmë që hapësirës së dikurshme t’i kthehet lira, paqja dhe demokracia. Dhe kjo vlen jo vetëm për Kosovën, por edhe për zona të tjera të federatës së mëparshme.
-Evropa e lirë: Por, ideja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet mbetet opsion i shumicës së shqiptarëve? Si e shihni ju këtë?
-J. Buxhovi: Kjo ide është legjitime nga aspekti kulturor, shoqëror dhe historik edhe pse shikuar nga këndvështrimi politik ajo është ideologji e tejkaluar e shekullit të kaluar, që mund të thuhet, se pas realiteteve të reja, ia ka lëshuar vendin opcionit të unionit të shteteve shqiptare. Por, tash për tash, hapi më i rëndësishëm yni është forcimi dhe stabilizimi i shtetit të Kosovës dhe i faktorizimit të mëtutjeshëm të Shqipërisë në konfigurimet rajonale, përfshi BE-në dhe NATO-n. Vetëm pasi që kjo të kryhet mund të shkohet një hap tutje, por gjithnjë në rrethana demokratike dhe në bashkëpunime me miqtë tanë SHBA-të dhe NATO-N, e ku, siç thashë, si opsion shfaqet unioni konfederal i shteteve të barabarta shqiptare. Por, edhe në rrethanat tona, kufijtë ndërshqiptar janë fare të parëndësishëm. Asgjë nuk na pengon për të udhëtuar në Shqipëri, për të tregtuar dhe për të bashkëpunuar me Shqipërinë. Pra, për ne, tash për tash, në vend të përhapjes së tezave nacionaliste që rëndom përhapen nga politikanë të dështuar, të lidhur me skemat kriminale të jashtme dhe të brendshme dhe të etshëm për pushtet të kësaj natyre, është më e rëndësishme të ndërtojmë një shoqëri demokratike, të bëhemi qytetarë të lirë të Ballkanit dhe të gjithë Evropës, ku mund të gjendemi bashkarisht.
-Evropa e lirë: Më thuaj, ka të paktën një serb, që shtetin e Kosovës e sheh si të vetin?
J. Buxhovi: Nuk e di. Por, është politika hegjemoniste e Beogradit, e cila edhe sot e gjithë ditën luanë me idenë e një Serbie të Madhe, pra ajo që parandalon çdo mundësi të tillë. Kjo ka një efekt negativ në politikat tona, sepse edhe në Kosovë ka ekstremistë të mjaftueshëm nga radhët e politikës dhe jashtë saj, që manipulojnë “me rrezikun serb”. Është e qartë se serbët do të jenë në gjendje të ndihen rehat në Kosovë vetëm nëse ata vërtetë marrin pjesë në jetën politike dhe shoqërore të vendi dhe respektojnë ligjet e shtetit në të cilin jetojnë. E di që shumë serbë ndjehen në Kosovën e sotme keq, por edhe shqiptarët mund të thonë të njëjtën, meqë në pushtet sot janë edhe kriminelë dhe nacionalistë të të gjitha ngjyrave që manipulojnë shumanshëm dhe bëjnë çmos që shteti i Kosovës të dështojë.
Natyrisht se në këto rrethana, intelektualit krijues, siç jam unë, nuk i mbetet tjetër pos të mbrojë reputacionin krijues si shkrimtar dhe historian, edhe pse dikur isha i angazhuar në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Meqë nuk kam interesa të caktuara në politikë, dua të kritikoj edhe miqtë tanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët prioritetet e angazhimit të tyre në Ballkan më shumë i vendosin kah stabiliteti (siguria) se sa demokracia. Ju nuk mund të keni një hajdut dhe bandit për partner vetëm sepse me anën e tyre mbani nën kontroll gjendjen! Kjo logjikë, për fat të keq, ende vlen në Kosovë dhe në Maqedoni, ngaqë atje, më me dëshirë bashkëpunohet me partnerë “të besueshëm”, qofshin edhe kriminelë, se sa me intelektualët që duan lirinë dhe demokraci dhe jo gjithnjë pajtohen me ato që ofrohen. Dhe, përderisa do të jetë kështu, këtu nuk do të ketë qytetarë të lirë, as serbë e as shqiptarë…
-Evropa e lirë: A jeni i sigurt se reputacioni i shkrimtarit dhe historianit mund t’ju mbrojë? Orhan Pamuk – një fitues i çmimit Nobel, u detyrua të largohet nga Stambolli, pasi pranoi gjenocidin që u ushtrua ndaj armenëve në Perandorinë Osmane. A nuk keni frikë?
J. Buxhovi: Nuk do të tërhiqja paralele me Turqinë dhe realitet e saj politike. Pikëpamjet e mia, ndjenjat e mia janë të një krijuesi me reputacion të gjatë intelektual, që me të drejtë shqetësohet për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Pra, si të tilla ato janë legjitime dhe korrespondojnë me pjesën më të madhe të qytetarëve të këtij vendi, të cilët janë kthyer në peng të elitave kriminale politike dhe ndihamçarëve të tyre nga jashtë, që siç e thashë më parë, që pushtetin e kthyen në mjet për ta plaçkitur vendin. E di se qëndrimi im kritik mund t’u pengojë këtyre strukturave mafioze dhe kriminale dhe padronëve të tyre të fuqishëm nga jashtë, por përkundër të gjithave (veçmas makinerisë së shpifjeve ndër më të ultat që përhapin err e terr nëpër media dhe portale të tyre), zërin im kritik në mbrojtje të një projekti historik, siç është liria, demokracia dhe përkatësia jonë qytetërimit perëndimor, me të cilin lidhet qenia jonë edhe si njerëz, do të jetë i pandalshëm…
– Evropa e lirë: Ta ndryshojmë temën: cila është literatura moderne shqiptare e Kosovës?
J. Buxhovi: Ajo ndan fatin e letërsive të gjitha vendeve post-komuniste si dhe të tranzicionit, ndonëse ajo nuk e pat ngarkesën ideologjike të përmasave socreliste, siç ndodhte në vendet tjera dhe veçmas në Shqipëri. Megjithatë, realitetet e reja, ato të tranzicionit të çoroditur, që po ndodhin te ne, në njëfarë mase pasqyrohen edhe në letërsi, gjë që mund të thuhet se ajo ndodhet shumë afër realitetit aktual. Personalisht, si shkrimtar, në dy-tri veprat e mia të fundit, (“Dosjën e hapur” dhe “Dosjen B”), merrem shumë me këtë realitet të trishtë. Si të tilla ato janë shumë kritike, pasi që ndryshimet politike jo vetëm që nuk sollën lirinë e pritur, por ato abuzuan edhe me idealet e saj, gjë që sot më shumë se kurrë, nga një frustrim, hetohen edhe nastolgjitë edhe për “kohët e vjetra”. Në të vërtetë, ne po jetojmë në një kohë të ngjashme me atë që ndeshet në romanet e Gabriel Garcia Marquezit, në një Makondo ballkanike, ku edhe idetë e mëdha shihen të diskredituara nga metodat e papërshtatshme të zbatimit të tyre. Njerëzit që erdhën në pushtet, të interesuar vetëm për pasurim personal, shkelën idealet e shtetit të lirë të Kosovës. Kështu, që shumë nga “çlirimtarët” e djeshëm u kthyen në pushtues të sotëm! Ndodhi kështu ngaqë ata i dehi pushteti dhe paraja… Ajo i përçudnoi aq saqë disa prej tyre u kthyen edhe në mafiozë dhe vrasës madje. Natyrisht se letërsia nuk mund t’i shërojë këto deformime as t’i ndryshojë njerëzit e pushtetit, por mund të ndikojë në vetëdijen e përgjithshme drejt ndryshimit të gjendjes, që njerëzit të kuptojnë cili është mashtrimi, cili është heroi, e cili vrasësi, i cili vazhdon të mbetet në kuadër të skemave të caktuara historike, të cilat, te ne kanë sjellë tragjedi të përsëritshme, siç janë ato ideologjike ose religjioze… Dhe, siç u pa, lufta e fundit dhe ato që ndodhën gjatë këtij tranzicioni, nxorën në pah edhe sindromin ideologjik të puçeve të brendshme me metoda revolucionare në një raport absurd kur disa nga patriotët të dëshmuar gjatë rezistencës insitutcionale , por edhe luftëtarë aktivë gjatë rezistencës së armatosur, u desh të vriten mbi këto baza, siç ndodhi edhe pas luftës së dytë botërore, kur fitoi komunizmi… Në fakt, te ne mund të flitet edhe për fitoren e ndërgjegjes revolucionare, të ngjashme me atë që mund të hetohet edhe te proza e Isaac Babelit dhe te Pasternaku. Andaj, nuk është e habitshme që tranzicioni te ne u përcoll edhe me kriminalizimin e ndërgjegjes së një pjese të mirë të elitës politike, e cila rrënoi thuajse çdo vlerë, së cilës i ndihmuan edhe disa intelektualë vasalë, të cilët me vetëdëshirë, për poste dhe përfitime të tjera, hoqën dorë nga morali intelektual… Dhe meqë jetojmë në një ambient të tillë, nuk është e habitshme që gjëja më e rëndësishme është “modeli i njeriut të suksesshëm” me çdo kusht, paçka se ai, siç ndodh me personazhet e Markezit nga bota e Makondos, mund të jetë një kriminel, që me duar të pista dhe me magjinë e mashtrimit arrin të gjitha! Kësaj gjendje, iu desh, në radhë të parë , inskenimi i “kultit të heroizmit të rremë”, shpallja e shumë patriotëve “tradhtarë” sidhe rrënimi i arsimit me anën e shitjes së diplomave dhe marifetet tjera, ku matrapazët dhe të padijshmit fitojnë pushtet të plotë. Nuk është ngushëlluese që kjo epidemi murtaje ndodh sot kudo, meqë Kosova është një vend i vogël dhe pasojat janë rrënuese…
-Evropa e lirë: Çfarë mund të pritet tash e tutje prej jush: më shumë letërsi apo historiografi?J. Buxhovi: Shkruaj pareshtur në dy drejtime: në letërsi dhe në historiografi, edhe pse qasja është e ndryshme. Te unë ato sikur ndërthurën, si uji me bukën, plotësohen pareshtur. Hë për hë, po merrem me edhe me tri vëllime të tjera të “Kosovës”, ato që kanë të bëjë me kohën e protektoratit ndërkombëtar dhe të shpalljen së pavarësisë, në mënyrë që projekti im historik të përmbyllet. Por, nuk do të resht të plotësoj konceptin tim për shkatërrimin e gënjeshtrës historike serbe rreth Kosovës “si tokë serbe” dhe shqiptarëve “me histori të mjegulluar dhe mbetje osmane”, të mbështetur në falsifikime flagrante. Do të vazhdoj edhe me letërsinë, meqë ajo mundëson që krijuesi të çlodhet nga pragmatizmi shkencor, e ku edhe realiteti i zymtë, zëvendësohet me atë të imagjinatës së pakufijshme…
-Evropa e lirë: A keni ndonjë idhull letrar? Dëshironi të shkruani si dikush?J. Buxhovi: Çdo shkrimtar duhet të jetë një model i vetvetes, që si individaualitet dallohet nga të tjerët. Për mua, një model i tillë shëmbëllesë paraqesin shkrimtarët latinoamerikanë: Marquez, Ernesto Sabato, Borges si dhe shumë gjermanë (Getë, Man, Hesse e deri te Gras). Në filozofi parapëlqej Schopenhauerin dhe Nietzsche. Nga shkrimtarët bashkëkohorë gjithsesi se Orhan Pamuku paraqet një vlerë të veçantë. Edhe letërsia ruse, me interpretimin e praktikës së totalitarizmit komunist dhe dramës së tij, ka ruajtur namin që e kishte nga klasicizmi.
-Evropa e lirë: Letërsia shqipe sot në botë njihet kryesisht nga shkrimtari Ismail Kadare në saje të romaneve “Gjenerali Ushtrisë së vdekur”, “Dimrit të madh” dhe “Prillit të thyer”?J. Buxhovi: Kadare, një shkrimtar shumë i mirë, ka një problem kur e konsideron veten disident. Kadare ka shkruar dy ose tre libra të shkëlqyer, por pjesa tjetër e tregimeve dhe romaneve të tij është hija e trashë ideologjike, që atë do ta ndjek përherë pa marrë parasysh deklarimet e tij si dhe sukeset, që arrin jashtë, e të cilave ne u gëzohemi. Letërsia shqipe ka edhe shkrimtarë të tjerë të rëndësishëm, për shembull, postmodernistin Kasem Tribishina, Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj ,Zija Çela, Ben Blushi dhe të tjerë, të cilët kanë sjellë një frymë të re në letërsinë tonë.
Andrei SharyDrejtor i shërbimit rus në Radion Evropa e Lirë
Maj, 2017.