Izraeli prej javësh ka ndërmarrë veprime masive kundër terroristëve nga Hamasi dhe Hezbollahu. Një numër luftëtarësh, komandantë të rëndësishëm, udhëheqës të Hamasit dhe Hezbollahut u vranë dhe grupet terroriste me sa duket u paaftësuan për pak javë. Ky zhvillim po i shqetëson nacionalistët rusë.
Në pamje të parë, luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Por nacionalistët rusë e shohin atë ndryshe. Ata janë të shqetësuar se si Izraeli po e lufton Hamasin në Rripin e Gazës dhe tani Hezbollahun në Liban. Nacionalistët kanë frikë se Rusia mund të jetë gjithashtu e ndjeshme ndaj llojit të sulmeve që Izraeli përdor për të shkatërruar grupet terroriste. Moska aktualisht po shikon nga afër se çfarë po ndodh në Liban, shkruan Qendra për Analizën e Politikave Evropiane CEPA në një analizë të re.
Disa faqe propagandistike ruse shohin paralele midis Hezbollahut tashmë të dobësuar ndjeshëm dhe Rusisë. Ata paralajmërojnë Kremlinin të mos shfaq vetkënaqësi. Rusia duhet të nxjerrë mësime nga ajo që po ndodh aktualisht në Liban. Përndryshe, struktura udhëheqëse e shtetit rus mund të shkatërrohet në mënyrë të ngjashme me udhëheqjen e Hezbollahut.
Një nga nacionalistët kryesorë rusë së fundmi reagoi ndaj vdekjes së Hassan Nasrallah me fjalë veçanërisht radikale. Sulmi ushtarak izraelit kundër udhëheqësit të vjetër të Hezbollahut ishte “fillimi i fundit të botës” dhe një “goditje kolosale për të gjithë strukturën e rezistencës së Lindjes së Mesme”, shkroi Aleksandr Dugin, një filozof dhe nacionalist i vetë-përshkruar i afërt me Kremlinin.
Dugin dhe radikalët e tjerë tani me sa duket i shohin operacionet e suksesshme ushtarake kundër terroristëve si Nasrallah si një plan kërcënues për regjimin e tyre. Kjo është arsyeja pse ata po bëjnë thirrje për sulme parandaluese kundër kundërshtarëve të Rusisë. Analistët ushtarakë pranë Kremlinit gjithashtu besojnë se një qasje e tillë është e saktë, siç mund të shihet nga tekstet në platformën e Rishikimit Ushtarak. “Aktet terroriste të Izraelit në Liban ngrenë pikëpyetje për sigurinë e rusëve,” shkruan Yevgeny Fyodorov, një deputet ekstremist i krahut të djathtë nga partia Rusia e Bashkuar e Putinit në Dumën e Shtetit.
Izraeli: Rusia po e furnizon me armë Hezbollahun
Rusia nuk është formalisht në anën e terroristëve në Lindjen e Mesme, por tashmë ka një aleancë midis Moskës dhe forcave të ndryshme radikale anti-izraelite në rajon. Vërtetë me moton: Armiku i armikut tim, është miku im.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu madje akuzon Rusinë se po e mbështet Hezbollahun me armë. Netanyahu i tha gazetës franceze Le Figaro javën e kaluar se ushtria e tij kishte gjetur “armë të fundit ruse”, gjatë operacioneve në Liban .
Rusia ka ” shprehur solidaritetin e saj me të dëbuarit e botës ,” përmbledh analistja e CEPA, Kseniya Kirillova . Aleanca joformale midis Rusisë dhe Iranit gjithashtu përshtatet me këtë gjetje. Regjimi në Teheran është sponsori më i madh i Hezbollahut. Ashtu si Rusia, edhe Irani po drejtohet qëllimisht nga Perëndimi “në skenarin më të keq”, pohojnë analistët ushtarakë të lidhur me Kremlinin në “Military Review”. Prandaj, Rusia ndodhet nën presion për të përdorur armë bërthamore dhe Irani nën presion që të “hyjë në armiqësi gjithëpërfshirës me Izraelin”.
Prandaj të dyja vendet duhet të zhvillojnë një “zgjidhje të papritur dhe jo të parëndësishme”, është kërkesa e nacionalistëve. Përfshihen sugjerime konkrete: një sulm masiv me raketa mbi ndërtesat qeveritare në Kiev ose sulme ndaj vendeve të NATO-s, nën një flamur të rrejshëm sulmues. Dronët mund, për shembull, të sulmojnë sistemet amerikane të radarëve, ose stacionet e prodhimit të naftës dhe gazit në Norvegji. Ose një kompani satelitore në Finlandë. Apo stacionet e raketave në Rumani. Apo depo municionesh dhe depo karburantesh në Baltik. Ose të sulmohen dhe fundosen anijet britanike. Të gjitha me pretekstin se “Rusia nuk ka asnjë lidhje me këto sulme”.
Antisemitizmi në rritje në Rusi
Në këto paramendime absurde, ndihet një antisemitizëm tejet i rrezikshëm. Një narrativë konspirative është përhapur në mesin e nacionalistëve radikalë rusë se lufta në Ukrainë u nis nga çifutët, për të pastruar vendin nga sllavët dhe për t’u vendosur vetë atje. Histori të tilla absurde mund të kishin luajtur një rol në masakrat antisemite në Dagestan një vit më parë.
Ishte një kohë kur presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në veçanti kishin një marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Të dy vendet u afruan gjithnjë e më shumë, pasi Putin mori detyrën. Në vitin 2012, Putin hapi një muze hebre në Moskë. Në vitin 2016 ai u bëri thirrje hebrenjve evropianë të emigrojnë në Rusi, në sfondin e antisemitizmit në Evropë.
Pushtimi i trupave të Kremlinit në Ukrainë, fillimisht nuk ndryshoi shumë në marrëdhëniet e përmirësuara midis dy vendeve. Izraeli hodhi poshtë sanksionet kundër Rusisë dhe nuk e furnizoi Ukrainës me armë.
Megjithatë, situata tani ka ndryshuar dhe marrëdhëniet midis Rusisë dhe Izraelit, janë ftohur ndjeshëm. Qëndrimi anti-izraelit i Rusisë u bë veçanërisht i qartë pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar. Shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, i ofroi ngushëllimet kryeministrit të Izraelit vetëm dhjetë ditë më vonë dhe nuk foli në mënyrë eksplicite, për një sulm terrorist. Në muajt që pasuan, ai u distancua gjithnjë e më shumë nga Izraeli dhe iu drejtua kundërshtarëve të shtetit hebre. Putin fajësoi Perëndimin, jo terroristët, për luftën në Gaza.
Izraeli tani mund t’u ofroi kundërshtarëve të Putinit një plan, se si të mposhtin shefin e Kremlinit.
Nga Kevin Schulte
Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja