VOA
Forcat izraelite përparuan më thellë në qytetin jugor të Gazës në Rafah të dielën edhe pse Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Izraeli nuk i ka dhënë Shteteve të Bashkuara një plan të besueshëm për të mbrojtur më shumë se një milion civilë palestinezë të strehuar atje, apo një plan se çfarë pritet të ndodhë kur lufta shtatë mujore të përfundojë.
Rreth 300,000 nga 1.3 milionë palestinezë që u zhvendosën në jug të Gazës muaj më parë, me urdhër të ushtrisë izraelite për t’i shpëtuar sulmeve ndaj militantëve të Hamasit në Gazën veriore, janë urdhëruar sësrish të lëvizin, këtë herë në veriperëndim të Rafahut, në një territor përgjatë vijës bregdetare të Gazës në Detin Mesdhe.
Por zoti Blinken tha për rrjetin televiziv NBC të dielën se nuk ka asnjë plan specifik izraelit për të mbrojtur palestinezët ose për të ofruar ndihmë të mjaftueshme humanitare për ta.
“Ka edhe diçka tjetër që është e rëndësishme. Ne gjithashtu nuk kemi parë një plan për atë që do të ndodhë një ditë, pas përfundimit të luftës në Gazë. Por ajo që do të ndodhë edhe nëse Izraeli hyn dhe ndërmerr veprime të rënda në Rafah, do të jetë që me mijëra (militantë) të Hamasit, të armatosur, do të vazhdojnë të mbeten aty”.
Diplomati i lartë amerikan shtoi se “Uashingtoni ka parë në zonat që Izraeli ka pastruar në veri, madje edhe në Khan Younis, rikthim të militantëve të Hamasit”.
“Pra, situata ku ndodhemi tani është që edhe nëse Izraeli hyn në Rafah për t’u marrë me këto katër batalione të mbetura, veçanërisht në mungesë të një plani për të mbrojtur civilët, rrezikon t’u bëjë dëm të tmerrshëm civilëve dhe të mos e zgjidhë problemin, një problem që si SHBA-të ashtu dhe Izraeli duan që të zgjidhet, duke u siguruar që Hamasi nuk do të mund të qeverisë më Gazën“, tha zoti Blinken
Ndërkaq të dielën herët në mëngjes Izraeli dërgoi tanke në kampin e refugjatëve Jabalin i cili ndodhet në pjesën veriore të Rripit të Gazës, pas një nate bombardimesh të rënda nga ajri dhe toka, që shkaktuar 19 të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gazë.
Jabalia është më i madhi nga tetë kampet historike të refugjatëve të Gazës ku jetojnë më shumë se 100,000 persona, shumica e të cilëve pasardhës të palestinezëve që u dëbuan gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1948, e cila çoi në krijimin e shtetit të Izraelit.
Të shtunën në mbrëmje, ushtria izraelite tha se forcat që veprojnë në Jabalia po pengojnë Hamasin, që të rivendosë kapacitetet e tij ushtarake atje.
“Ne identifikuam javët e kaluara përpjekje të Hamasit për të rehabilituar aftësitë e tij ushtarake në Jabalia. Po operojmë atje për t’i penguar ato përpjekje“, tha kundëradmirali Daniel Hagari, zëdhënësi ushtarak i Izraelit, gjatë një konference për gazetarët.
Zoti Hagari tha gjithashtu se forcat izraelite vranë në Zeitoun të qytetit të Gazës rreth 30 militantë palestinezë.
“Bombardimet nga ajri dhe toka nuk kanë të ndalur që nga dje, ata po bombardonin kudo edhe pranë shkollave që strehojnë njerëz që kanë humbur shtëpitë”, tha Saed, 45 vjeç, banor i Jabaliat.
“Lufta po rifillon, kështu duket në Jabalia“, tha ai për agjencinë ‘Reuters’ përmes një aplikacioni që dërgon mesazhe. “Sulmi i ri podetyron shumë familje të evakuohen“, shtoi ai.
Ushtria dërgoi tanke përsëri në Al-Zeitoun, një zonë në periferi të qytetit të Gazës, si dhe në Al-Sabra, ku banorët njoftuan gjithashtu për bombardime të rënda që shkatërruan disa shtëpi, përfshirë ndërtesa banimi të larta.
Ushtria kishte pretenduar se kishte marrë kontrollin e shumicës së këtyre zonave muaj më parë.