Italia ashpërsoi penalitetet në Kodin Rrugor i cili u miratua sot në Senat me 87 vota pro, 43 kundër dhe një abstenim. Mbi 350 amendamente të paraqitura nga opozita u hodhën poshtë. Masat e reja prekin aspekte të ndryshme të kodit, që nga përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të automjetit, deri te ashpërsimi i dënimeve për ata që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur ose nën efektin e drogës.
Kushdo që kapet duke përdorur celular gjatë drejtimit të mjetit do të sanksionohet me gjobë nga 250 euro deri në maksimum një 1 mijë euro. Për shkelësit e përsëritur gjoba mund të jetë ndërmjet 350 dhe 1400 euro. Me ndryshimet e reja shtohet edhe pezullimi i përkohshëm i patentës për 1 javë deri në 15 ditë. Këto afate dyfishohen nëse provohet se përdorimi i celularit gjatë drejtimit të makinës ka qenë shkak i një aksidenti me një automjet tjetër.
Nëse niveli i alkoolit në gjak është ndërmjet 0,5 dhe 0,8 gram për litër, në Itali mund të gjobiteni nga 573 deri në 2170 euro si dhe me pezullim të lejes së drejtimit për 3 deri në 6 muaj. Nëse niveli i alkoolit në gjak është nga 0,8 deri në 1,5 gram për litër, do të dënoheni me dyfishin e dënimit, arrest deri në 6 muaj burg dhe gjobë nga 800 deri në 3200 euro. Patenta pezullohet nga 6 muaj në 1 vit.
Nëse niveli i alkoolit në gjak është më i lartë se 1.5 gram për litër, shkelja dënohet me arrest në burg nga 6 muaj deri në 1 vit dhe gjobë nga 1500 deri në 6000 euro dhe me pezullim të patentës nga 1 deri në 2 vjet. Nëse rezulton pozitiv për drogë, patenta pezullohet për 3 vjet. Me ndryshimet e fundit janë vendosur rregulla edhe për skuterët elektrikë.