Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është shpallur “Qytetar Nderi” i Fushë-Kosovës, në një ceremoni solemne në ambientet e shkollës së mesme “Hizvi Sulejmani”, në ditën e tretë të vizitës së tij në Kosovë.
“Ju falënderoj të gjithë pjesëmarrësve në këtë mbledhje të bukur që tregon jo vetëm fuqinë e shqiptarisë, por fisnikërinë e këtij kombi i cili është një nga kombet kryesore të Evropës. Jam shumë i lumtur për këtë festim prekës që tregon se me sa këmbëngulje njeriu shqiptar e ka ngritur në qiell dashurinë e tij, fisnikërinë e tij, qytetërimin evropian. Këto çaste do të ngelin të paharrueshme në jetën time”, ka thënë Kadare.
Certifikata “Qytetar Nderi” i është dorëzuar nga kryetari i Fushë-Kosovës, Burim Berisha.
“Zoti Kadare ka qenë frymëzimi ynë, ka qenë gjuha jonë, kënga jonë, gjithçka që kemi mësuar përmes tij. Është krijuar një popull që është rritur me veprën e të madhit Ismail Kadare”, ka thënë Berisha. Ai ka bërë të ditur se një rrugë e qytetit bashkë me Bibliotekën e Fushë-Kosovës do të marrin emrin e Ismail Kadaresë.
Shkrimtari shqiptar me nam botëror të mërkurën është dekoruar me urdhrin “Hasan Prishtina” nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe i është dhënë “Çelësi i qytetit” të Prishtinës, duke u bërë edhe “Qytetar Nderi” i Prishtinës.
Kadare sivjet ishte mysafir nderi i edicionit të 23-të të Panairit të Librit që ka filluar të martën e kësaj jave.