Grupi militant Shtetit Islamik (IS) angazhoi tre vrasëse për të vrarë Parwin, një gazetare që punon për një nga transmetuesit kryesorë të Afganistanit.
Nga frika për jetën e saj, Drejtoria Kombëtare e Sigurisë në Afganistan, agjenci kryesore e inteligjencës në këtë vend, urdhëroi Parwin të qëndronte në shtëpi dhe të ndërpriste çdo komunikim.
Brenda një jave, një ekip agjentësh të armatosur nxorën Parwin nga banesa ku jetonte, e futën brenda një automjeti të blinduar dhe e zhvendosën atë në një shtëpi të sigurt në kryeqytet, Kabul.
Parwin kaloi muaj të tërë e ngujuar në një dhomë, në pamundësi për t’u larguar ose parë familjen e saj. Përfundimisht, autoritetet afgane e larguan jashtë vendit, nga frika se jeta e saj ishte ende në rrezik.
“Nuk kam dyshim se do të isha e vdekur nëse nuk do të largohesha”, tha Parwin, e cila pranoi të fliste për Radion Evropa e Lirë, me kusht që emri i saj i vërtetë të mos publikohej.
“Sulmuesit dinin gjithçka për mua – si dukesha dhe ku jetoja”, tha Parwin, duke folur në telefon nga një vend i pazbuluar jashtë Afganistanit.
“Unë mund të isha vrarë në çdo moment”, shtoi ajo.
Parwini është në mesin e dhjetëra gazetarëve që kanë ikur nga Afganistani muajt e fundit – qoftë përkohësisht ose përgjithmonë – mes një vale vrasjesh që targetojnë shtypin e pavarur.
Të paktën nëntë gazetarë dhe punonjës të mediave janë vrarë në Afganistan vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit.
Për shumicën e vrasjeve u fajësuan talibanët, të cilët kanë intensifikuar sulmet kundër forcave afgane të sigurisë dhe civilëve edhe në kohën kur po zhvillojnë bisedime paqësore me qeverinë qendrore për t’i dhënë fund dekadave të luftës.
“Nuk dilja jashtë shtëpisë”
Parwin fillimisht pranoi një telefonatë nga Drejtoria e Sigurisë Kombëtare duke e këshilluar atë që të jetë “shumë vigjilente në lëvizjet dhe kontaktet me njerëzit”.
Parwini, e cili po punonte nga shtëpia për shkak të pandemisë së koronavirusit, fillimisht nuk e mori paralajmërimin shumë seriozisht.
Si reportere që punonte në një zonë lufte, ajo ishte mësuar me rrezikun.
Vetëm disa ditë më vonë, ajo mori një telefonatë nga punëdhënësi i saj, duke e paralajmëruar atë se “kërcënimi ndaj teje është serioz” dhe duke e këshilluar atë që të jetë “tepër e kujdesshme” dhe të mos dilte nga shtëpia.
“Kjo ishte kur u frikësova për herë të parë”, tha Parwin.
“Ndalova të dilja jashtë. Unë gjithashtu i thashë familjes time që të mos i tregonte askujt se ku isha dhe të më informonin nëse ndonjë i panjohur pyet për mua”, tregon Parwin.
Disa ditë më vonë, ajo mori një telefonatë tjetër nga Drejtoria për Siguri Kombëtare. Këtë herë ata ndanë detajet e komplotit kundër saj.
Ky institucion e paralajmëroi atë se tri gra të reja ishin angazhuar për ta vrarë. Ato mund të paraqiteshin si lypëse të rrugës, punëtore shëndetësore ose të kërkonin donacione për bamirësi, tha agjencia.
Drejtoria dha një përshkrim të njërës prej vrasëseve: e gjatë, lëkurë të çiltër dhe me gjasë e veshur me nikab, një veshje që përdoret nga myslimanet që e mbulojnë fytyrën.
“Agjencia më tha se vrasësit do të përpiqeshin të më joshnin jashtë duke më ftuar në një ngjarje shoqërore ose ata do të vendosnin një bombë ngjitëse në një automjet me të cilin do të udhëtoja”, tha Parwin.
“Nëse kjo do të dështonte, vrasësit do të vinin direkt në shtëpinë time”.
Parwinit iu kujtua papritur se ishte kontaktuar disa javë më parë nga një grua që i kishte kërkuar ndihmë.
Gruaja pretendoi se ishte viktimë e abuzimit në familje dhe donte të tregonte historinë e saj.
Parwin kishte rënë dakord, por e shtyu intervistën disa herë për shkak të angazhimeve të punës.
Në ditët në vijim, dy gra erdhën dhe trokitën në derën e Parwinit, në intervale të ndryshme kohore.
Njëra tha që ajo ishte një punëtore që merrej me vaksinim dhe kërkoi që ta lejonte të hynte brenda.
Një grua tjetër tha se po mblidhte donacione për familjet e gazetarëve të vrarë kohët e fundit në Kabul. Parwini nuk pranoi të linte asnjërin prej tyre që të futej brenda.
Një grua e tjetër u shfaq shpejt në derë. Nëna e Parwinit foli me gruan përmes vrimës së derës. Ajo përputhej me përshkrimin që i ishte bërë njërit prej vrasëseve.
“Unë menjëherë thirra Drejtorinë për Siguri Kombëtare”, tha Parwin.
“Ndjeva se gjithçka papritmas po mbyllej rreth meje. Vrasësit ishin fjalë për fjalë në anën tjetër të derës”.
Parwini u dërgua me shpejtësi në një shtëpi të sigurt.
Ajo u lejua të merrte me vete vetëm një çantë të vetme. Familja e saj u zhvendos gjithashtu.
“Nëna ime dhe unë po qanim derisa unë po bëja gati çantat”, tha ajo.
“Unë nuk pata kohë as t’i them lamtumirë siç duhet. Gjithçka ndodhi shpejt”.
Parwin kaloi katër muaj në një shtëpi të sigurt para se të largohej nga Afganistani.
Gjatë asaj kohe, agjencia e inteligjencës arrestoi tri gratë që mendohej se po përpiqeshin ta vrisnin.
Drejtoria Kombëtare e Sigurisë tha se gratë pranuan komplotin e vrasjes. Ata gjithashtu thanë se Parwini ishte zgjedhur në veçanti për ta vrarë, megjithëse nuk e zbuluan pse.
“Për mua është e qartë”, tha Parwin. “Unë jam gazetare. Unë jam një mbrojtëse e fjalës së lirë. Unë jam gjithashtu një grua. Talibanët dhe grupi militant Shteti Islamik i shohin gratë si një kërcënim për ideologjitë e tyre”.
Gjatë sundimit të ashpër nga 1996 deri më 2001, talibanët shtypën vajzat dhe gratë, duke i ndaluar ato të shkonin në shkollë ose të punonin jashtë shtëpive të tyre.
Parwin u largua për në një vend të huaj – por nuk ishte fundi i përpjekjeve të saj. Ajo ka telashe me depresionin, ankthin dhe sulmet e panikut që u shkaktuan nga kjo eksperiencë e tmerrshme.
“Kur flas me nënën time në telefon, përpiqem shumë të mbaj lotët”, tha ajo.
“Kur shkëpus linjën, unë qaj shumë. Unë qaj për familjen time, atdheun tim dhe profesionin tim – i cili është duke u sulmuar”.
Parwin takon rregullisht një psikolog dhe merr ilaçe për ta ndihmuar atë që të kalojë përvojën e saj traumatike. Ajo rrallë del jashtë shtëpisë edhe pse jeton jashtë vendit.
Ajo është e pasigurt se çfarë e pret në të ardhmen.
“Nëse kthehem në Afganistan do të vritem”, tha ajo. “Njëherë shënjestër, gjithmonë shënjestër”, shtoi Parwin. rel


