in

Ish gjenerali Mick Ryan: Ukraina po e godet Putinin në 4 vende, më fort se kurrë

Strategu ushtarak dhe ish gjenerali Mick Ryan vlerëson Ukrainën për aftësinë e saj goditëse, si dhe angazhimin për të zhvilluar aftësitë e saja. Ofensiva e fundit tregon dilemën e Rusisë dhe synon të detyrojë Putinin të marrë vendime të vështira. Aftësia sulmuese e Ukrainës po rritet dhe po përparon, duke përmbushur katër funksione kryesore.

1800 kilometra si korbi fluturon. Ja sa larg janë Ukraina dhe baza ajrore ruse Olenya. E megjithatë atje, pranë kufirit rus me Finlandën veriore dhe larg luftës aktuale në Ukrainën lindore, një bombardues supersonik rus Tu-22M3 me rreze të gjatë u shkatërrua nga një dron ukrainas .

Forcat e armatosura ukrainase kanë kryer “një nga sulmet e tyre strategjike më të gjera deri më sot” në ditët e fundit, shkruan strategu ushtarak australian dhe ish gjenerali Mick Ryan në X, dikur Twitter . Përveç sulmit në aeroportin në jug të Murmanskut në Arktik, ukrainasit sulmuan baza të tjera ajrore ruse në rajonet Saratov dhe Ryazan. Objektiva të rëndësishëm u sulmuan edhe në Krime. Ndër të tjera, trageti i fundit hekurudhor rus në Krime është dëmtuar rëndë.

“Kjo rrugë përdorej për të transportuar pajisje ushtarake te forcat ruse në gadishullin e okupuar dhe prej andej në Ukrainën jugore”, shpjegon Ryan, i cili i sheh sulmet e fundit të Ukrainës si funksione të rëndësishme për luftën, por gjithashtu njeh sfidat Ukrainase që do të përballen me sulmet e saj ndaj Rusisë për pjesën e mbetur të vitit 2024 dhe në vitin 2025.

 Aftësia sulmuese e Ukrainës, u zgjerua shumë

 

Së pari, eksperti vëren: “Nga një aftësi shumë e kufizuar në fillimin e pushtimit rus në shkallë të gjerë në 2022, Ukraina ka zhvilluar – dhe vazhdon të zhvillojë – aftësinë e saj sulmuese, me një sërë sistemesh të ndryshme.” gjatë 28 muajve të fundit ai kishte vëzhguar për muaj të tërë këtë aftësi.

Sipas Ryan, aftësitë e sulmit tani përfshijnë, ndër të tjera:

  • “Donët e veta të mbikëqyrjes ajrore dhe detare dhe luftarake,
  • sisteme të huaja si Storm Shadow, SCALP dhe ATACM,
  • Informacione inteligjente nga burime të ndryshme,
  • Vendosja e forcave speciale dhe pjesëtarëve të rezistencës në territoret e pushtuara, në Rusi dhe më gjerë,
  • aftësia për të mësuar dhe përshtatur teknikat, taktikat dhe procedurat.”

Që nga viti 2022, forcat e armatosura ukrainase kanë vërtetuar se janë të afta të përdorin sisteme sulmi shumë të sakta dhe me rreze të gjatë kundër rusëve, kujton Ryan. Kjo ndikoi në strategjinë e tyre për luftën dhe imazhin e Ukrainës. Sot ne shohim një Ukrainë të aftë që nuk është një viktimë e lehtë për Rusinë.

Rusisë duhet bërë trysni në disa fronte, në të njëjtën kohë

 

Sipas Ryan, aftësia sulmuese e Ukrainës në zhvillim të vazhdueshëm përmbush katër funksione thelbësore.

Së pari: “Për të mbështetur zhvillimin e aktiviteteve operative dhe taktike të Ukrainës.”

Së dyti, “për të rritur presionin mbi dilemat me të cilat përballet Rusia në luftën e saj kundër Ukrainës”.

Synimi pas kësaj është të bëjë trysni mbi Rusinë në disa fronte, në të njëjtën kohë. “Qëllimi është të detyrohen rusët të marrin vendime të ashpra për shpërndarjen e burimeve në industrinë e mbrojtjes dhe për shpërndarjen e burimeve të pakta ushtarake,” tha Ryan.

Së treti: “Për të zhvilluar një luftë ekonomike dhe për të dobësuar kapacitetet energjetike dhe industriale të Rusisë”.

Megjithatë, siç tregojnë bombardimet strategjike aleate në Luftën e Dytë Botërore, është shumë e vështirë të shkatërrosh një sistem industrial të armikut, tha Ryan. Ndërsa sulmet e Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike ruse vazhdojnë, efektiviteti strategjik i kësaj fushate është ende i paqartë.

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë sulmuar sistematikisht infrastrukturën energjetike ruse prej muajsh, në një përpjekje për të rrëzuar ekonominë ruse dhe financimin e makinerisë së saj të luftarake. Shërbimi sekret ukrainas (SBU) njoftoi në mars, pas një numri të madh sulmesh në infrastrukturën ruse, se kishte një plan të sofistikuar, pas qasjes në dukje kaotike. “Ne po ndjekim një strategji të planifikuar sistematikisht për të reduktuar potencialin ekonomik të Federatës Ruse,” tha një burim i SBU për portalin e lajmeve Ukrainska Pravda.

Qëllimi është që kundërshtari të privohet nga burimet. Sulmet synojnë të ndërpresin furnizimet me karburant të ushtrisë dhe të ndalojnë të ardhurat nga nafta që Rusia përdor, për të financuar luftën dhe dhunën e saj, kundër qytetarëve ukrainas.

Së katërti: “Sulmet e Ukrainës janë gjithashtu të motivuara politikisht”.

Kjo do të thotë: “Ukraina po përpiqet të mbajë presionin politik ndaj Putinit dhe t’u tregojë qytetarëve rusë se lufta nuk po shkon ashtu siç duan ata,” vazhdoi Ryan.

Sipas ekspertit, një tjetër qëllim politik është t’u tregohet mbështetësve perëndimorë të Ukrainës se, vendi është ende duke luftuar. Gjithashtu duhet bërë e qartë se propaganda strategjike ruse për fitoren e pashmangshme të Rusisë nuk është e vërtetë.

Goditja e “qendrës së gravitetit të luftës”

 

Prandaj, Ukraina po fokusohet në katër elementë kyç të sistemit rus të luftës për të goditur “qendrën e gravitetit të luftës”: vullnetin e Putinit dhe qeverisë së tij, për të vazhduar luftën. Përveç operacioneve tokësore dhe përpjekjeve diplomatike, Ukraina po mbështetet gjithashtu në sulme të mëtejshme, për të kërkuar një çmim sa më të lartë nga Rusia dhe për t’i treguar Putinit se, suksesi në Ukrainë është i pamundur, tha Ryan.

Vështirësitë tani qëndrojnë në gjetjen e ekuilibrit të duhur midis sulmeve të motivuara politikisht, që synojnë të dobësojnë aftësinë luftarake strategjike të Rusisë dhe sulmeve që synojnë të konsumojnë forcat ruse dhe të dobësojnë ofensivën e saj të vitit 2024.

Megjithatë, që aftësitë e përmirësuara të goditjes së Ukrainës të jenë aftësitë strategjike dhe operacionale më efektive në luftën kundër Rusisë, Ryan thotë se ka ende një sërë sfidash që duhen kapërcyer. “Pesë sfidat më të mëdha përfshijnë orkestrimin, prioritizimin, aksesin në armë, vlerësimin dhe çështjet politike”, tha eksperti ushtarak.

Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja

Britani, turma e dhunshme përplaset me policinë pranë vendit ku u vranë 3 vajzat

Mallrat serbe po na falimentojmë, thonë fermerët e Maliqit