Sherif Ramabaja
Me shpërthimin e konfliktit Ukrainë – Rusi perëndimi si armën kryesore për ta gjunjëzuar Putinin i kishte sanksionet ndaj Rusisë, ku tash nga EU po punohet edhe në paketën e 19 të tyre. Megjithatë Putini deri më sot po i përballon sanksionet dhe nuk po jep shenja të dorëzimit, përkundrazi po i zgjeron provokimet edhe ndaj shteteve të NATOS, me mbulimin e qiellit të tyre me dronë, duke shkaktuar panik dhe duke e penguar infrastrukturën e tyre.
Nga provokimet e fundit ruse, perëndimi po e lodh mendjen si të përgatitet që ti luftoi dhe pengoi kolonat e dronëve të Putinit, nëse nuk i ndërpret provokime e tilla, duke ua cenuar hapësirën ajrore.
Përpos masave për krijimin e një muri mbrojtës ndaj dronëve rus, po hulumtohen ide për një gjunjëzim sa më të shpejtë të Putinit. Një nga këto ide ishte që të punohet në drejtimin që t´u mundësohet personave me ndikim në Rusi, të largohen së bashku me kapitalin e tyre drejt perëndimit.
Me largimin e tyre dhe kapitalit të tyre, llogaritet se do të vinte deri te dobësimi i regjimit dhe makinerisë luftarake të Putinit.
Me një qëndrim për dobësimin e Putinit tash u paraqit edhe ish drejtori i CIA amerikane David Petraeus, i cili beson se si të detyrohet Putini që të ulet në tryezën e negociatave. Tani ekziston një mundësi për të çmontuar vërtet ekonominë ruse të luftës dhe gjithashtu për të ndëshkuar, ata që e mundësojnë atë.
Në një intervistë me gazetën gjermane “Die Welt”, ish-shefi i CIA-s David Petraeus përshkroi një mënyrë për ta goditur Rusinë ekonomikisht aq rëndë sa Putini në fund të fundit nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të negocionte një marrëveshje paqeje. “Tani ekziston një mundësi për të çmontuar vërtet ekonominë ruse të luftës.” Dhe ekziston gjithashtu mundësia e “ndëshkimit të atyre që e mundësojnë këtë”. Sidomos do të ndëshkoheshin ata që vazhdojnë të furnizojnë Rusinë me çipa, komponentë dhe pjesë të tjera rezervë, që do t’i lejonin Putinit të vazhdonte prodhimin e sistemeve të armëve dhe armatimeve.
Petraeus shpjegon se dukshëm më shumë se 20 përqind e rafinerive të naftës në Rusi janë dëmtuar, ose shkatërruar. Përveç kësaj, fondi rus i mirëqenies do të mbetet pa para deri në vitin 2026. Vendosja e sanksioneve të reja kundër Rusisë dhe furnizuesve të saj, mund të “ndryshojë dinamikën në fushën e betejës”, tha ish-gjenerali për Die Welt.
Nëse Perëndimi e mbështet edhe më fort Ukrainën, atëherë Putini “më në fund do ta kuptojë se kjo është një luftë që ai nuk mund ta përballojë dot, ta vazhdojë”. Atëherë Putini do të duhet të “negociojë seriozisht” dhe ne do të kemi “mundësinë e një marrëveshjeje të qëndrueshme”, tha Petraeus në një intervistë për “Welt”.